Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një prej garave më të vjetra në Europë, ka mbyllur dje edicionin e tij të 82-të, me etapën e pestë dhe të fundit, Vlorë-Fier.Ashtu sikurse pritej, holandezi Tom Jonkmans certifikoi suksesit, duke u shpallur fitues i kompeticionit.
Çiklisti i skuadrës Wielerploeg Groot Amsterdam e kishte bërë diferencën në etapën vendimtare, atë të katërt në Vlorë, ndërsa dje për të ishte gjithçka e thjeshtë për ta mbrojtur fanellën e verdhë të liderit në një garë të karakterit fushor.
Me kohën totale 17 orë, 11 minuta e 43 sekonda, Jonkmans u shpall kampion i Rrethit Çiklistik, duke lënë pas me 2 minuta e 56 sekonda italianin që garon për Shqipërinë, Gabriele Fabritiis.
Ndërsa në vend të tretë në renditjen e përgjithshme u klasifikua serbi Ognjen Iliç i skuadrës BK Pljevlja. Për sa i përket etapës së djeshme Vlorë-Fier, me distancë 117.8 kilometra, siç pritej ajo nuk kishte ndikimin të madh në klasifikimin final, duke qenë se gjërat ishin “kopsitur” në maloren e Llogarasë. Gjithsesi, çiklistët luftuan fort për fitoren e etapës, duke dhuruar një pedalim emocionues në sprintin final. Kështu etapa e pestë, e cila nisi në Vlorës, për të vijuar më pas në autostradën Vlorë-Fier, në Unazën e Fierit, Fier-Savër, e deri në dalje të Levanit për të përfunduar në qendër të Fierit, u fitua nga serbi Jovan Divniç.
Çiklisti i skuadrës BK Pljevlja regjistroi kohën 2 orë, 46 minuta e 10 sekonda, duke mposhtur në sprint bullgarin Georgi Lumparov (Hemus Troyan) dhe bashkëkombësin Marko Stankoviç (CCN Metalac). Ky i fundit në mbërritjen në finish u bë protagonist i një rrëzmi të frikshëm, por fatmirësisht pa pësuar dëmtime të rënda.
VERDIKTET Me mbylljen e garës në Fier, u zhvillua edhe ceremonia tradicionale e ndarjes së çmimeve për fituesit, e udhëhequr nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Kështu, fanella e verdhë e kampionit të Rrethit Çiklistik u fitua nga holandezi Jonkmans i ekipit Wielerploeg Groot Amsterdam. Britaniku Callum Macleod i skuadrës Schils-Doltcini mori fanellën jeshile si fitues i klasifikimit të pikëve. Holandezi Jelle Boonstra (Wielerploeg Groot Amsterdam) meritoi fanellën e kuqe si maloristi më i miri në këtë edicion të Rrethit Çiklistik. Shqipëria iu gëzua fanellës së bardhë për të riun më të mirë të kompeticionit, me italianin De Fabritis.
Për sa i përket klasifikimit final ekipor, triumfi u takoi holandezëve të Wielerploeg Groot Amsterdam, me kohën totale 51:39:58. Shqipëria u rendit në vend të dytë me +14:11 nga kreu, ndërsa në vend të tretë u pozicionuan britanikët e Schils-Doltcini.