Zbatimi i Master planit për ujitje do ta transformojë bujqësinë e Kosovës

Ekonomi

Zbatimi i Master planit për ujitje do ta transformojë bujqësinë e Kosovës

Më: 19 janar 2021 Në ora: 17:18
Besian Mustafa

Zbatimi i Master planit të ujitjes së tokave bujqësore do ta transformojë bujqësinë e Republikës së Kosovës, do të krijojë vende të reja të punës, duke përmbushur nevojat e bujkut dhe duke ndikuar pozitivisht në ekonominë tonë.

Kështu ka thënë sot ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa gjatë promovimit të Master Planit të Ujitjes në Kosovë.

Në konferencën virtuale ministri Besjan Mustafa theksoi se në kuadër të Master planit, përfshihen një numër i madh i projekteve për rehabilitim dhe ndërtim të sistemeve të reja të ujitjes anë e mbanë Kosovës.

Ministri në detyrë Mustafa tha se është hera e parë që nga vitet e 80-ta, që ministria së bashku me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian që ndërmarrim një plan investiv rreth 600 milionë euro në 10-12 vitet e ardhshme për të ngritur sipërfaqet në nënujitje për 20 mijë hektarët ekzistues në 90 mijë hektarë.

“Ne po bëjmë çmos që fermerët dhe tokat e tyre të kenë qasje në ujë për ujitje të tokave bujqësore. Ne jemi duke rrugëtuar drejt rimëkëmbjes ekonomike të vendit tonë. Këtë synim do ta arrijmë me punë të pa ndërprerë dhe përkushtim, sepse ujitja paraqet nevojën thelbësore që kulturat bujqësore të rriten e të piqen. Mastar plani i ujitjes së tokave bujqësore hartuar përmes projektit për bujqësi dhe zhvillim rural nga partneri ynë Banka Botërore paraqet një strategji kombëtare për ripërtëritjen e sistemit të ujitjes në gjithë vendin tonë…  Zbatimi i Master planit të ujitjes së tokave bujqësore do ta transformojë bujqësinë e Republikës së Kosovës do të krijojë nevojën për vende të reja të punës për qytetarët tonë, do të përmbushë nevojat e bujkut kosovar dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonominë tonë”, theksoi Mustafa.

Partner kryesor i këtij projekti është Banka Botërore. Kështu, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, Massimiliano Paolucci duke folur për rëndësinë e këtij projekti tha se Master plani u zhvillua duke vlerësuar tokën dhe burimet ujore të Kosovës, si dhe duke analizuar sistemin e sotëm dhe të nesërm të bujqësisë.

Paolucci tha se ky projekt është ndihmë teknike për bujqit për të mbështetur ujitjen dhe zhvillimin e bujqësisë në mënyrë që të rrisin vlerën e tyre të shtuar në zinxhirin e vlerës, të optimizojnë kostot e prodhimit dhe në të njëjtën kohë t’i shoqërojë ata në tranzicionin deri tek një bujqësi më produktive.

 

“Përveç kërkesës për ujë, bilancit të ujit dhe kapacitetit të magazinimit, objektivat strategjike të planit drejtohen nga parimet e fizibilitetit teknik, qëndrueshmërisë ekonomike, financiare, qëndrueshmërisë mjedisore, përfshirja sociale dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike. Duke u bazuar në atë master plan, përcaktohet një kornizë që identifikon zonat prioritare për investime në ujitje në të gjithë vendin, që siç tha ministri vetëm do të siguronte qasjen e nevojshme për ujë në zonat rurale. Ky është një parakusht për t’u përfshirë në një tranzicion, në një bujqësi më të qëndrueshme komerciale dhe për të rritur qëndrueshmërinë dhe përshtatjen e ardhshme të qëndrueshme ndaj klimës. Ky master plan propozon një udhërrëfyes dhe një plan veprimi për të zbatuar investimet prioritare afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, për të përmbushur objektivat e tij”, theksoi Paolucci.

Ai më tej tha se Banka Botërore do të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian për të krijuar një fond mirëbesimi për zbatimin e financimit të planit 10 milionësh të BE-së, për të forcuar më tej zhvillimin e kostos së sektorit të ujitjes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog tha se së bashku me fragmentimin e tokës, ujitja paraqet një sfidë kryesore strukturore me të cilën përballet sektori i bujqësisë në Kosovë.

Sipas tij, zona e kufizuar e tokës e mbuluar nga ujitja, përdorimi i dobët i shpërndarjes së pabarabartë të burimeve ujore dhe mungesa e njohurive dhe pajisjeve për ujitje në nivelin e bujqve, janë vetëm disa nga çështjet që pengojnë sektorin në përmbushjen e potencialit të tij prodhues.

“Masterplani kryesor i ujitjes, i hartuar nga Ministria e Bujqësisë, me mbështetjen nga Banka Botërore është mjeti i duhur për t’u përdorur për ndërhyrjet e ardhshme. Gjatë vitit të kaluar, zyra e BE-së ka përgatitur një plan veprimi në vlerë prej 10 milion euro. Qëllimi i këtij veprimi është të mbështesë sektorin e ujitjes dhe ta kthejë atë në një sektor të qëndrueshëm ekonomikisht dhe financiarisht përmes dhe masave ndihmëse teknike që do të rrisin efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe do të rrisin produktivitetin bujqësor”, theksoi Szunyog.

Me master plan janë caktuar 16 projekte kryesore ku si projekte afat shkurtra janë paraparë rehabilitimi i sistemit të ujitjes “Radoniqi”, “Drini i bardhë” në Pejë, “Drini i bardhë” në Istog, si dhe një skemë e re e devijimit të lumit në Junik dhe zgjerimi i rrjetit në Janosh e Cërmjan.

Ndërsa, me projektet afatmesme do të bëhet rehabilitimi i sistemit të ujitjes në Prizren, Komoran, Prolluzh dhe Rahovec. Po ashtu zgjerimi i rrjetit në Rugovë. Tri skema të reja lidhëse në “Lepencë”, dy skema të reja përgjatë rrjedhës në pendën në Morinë dhe Pollatë të Podujevës. Po ashtu do të krijohen pika mikroakumuluese në Viti dhe Kllokot. Në këtë konferencë është prezantuar edhe një video-dokumentar për nevojat e Kosovës për sistemin e ujitjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat