Kërkohet rishikimi i Programit për Rimëkëmbje Ekonomike

Ekonomi

Kërkohet rishikimi i Programit për Rimëkëmbje Ekonomike

Më: 4 prill 2021 Në ora: 08:59
Kosovë: Qytetarë në sheshim "Nënë Tereza" të Prishtinës

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti, që të rishikoj fondin për rimëkëmbje ekonomike, në mënyrë që të ndryshohet mënyra e destinimit të mjeteve.

Programi për Rimëkëmbje Ekonomike, buron nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike, që është miratuar më 4 dhjetor 2020 në Kuvendin e Kosovës, dhe që arrin shifrën 222 milionë euro. Ky ligj është paraparë që të sjell favore për bizneset dhe të lehtësoj gjendjen financiare pas humbjeve të shkaktuara nga sëmundja COVID-19.

Zbatimi i tij ka filluar në muajin janar dhe deri më tani, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, janë shpërndarë rreth 100 milionë euro.

Nga kjo vlerë rreth 30 milionë euro janë shpenzuar për sektorin privat, kurse pjesa tjetër për sistemin e shëndetësisë, skema sociale, arsim dhe kulturë.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, thotë se qeveria e re, me urgjencë duhet që të rishikoj këtë fond, pasi vlera më e madhe e mjeteve është paraparë për sektorin publik dhe jo për sektorin privat, sektor ky që ka pësuar nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Ai shpreh pakënaqësi me reagimin e qeverive të kaluara, karshi humbjes së bizneseve nga pandemia.

“Shpërndarja e planifikuar e fondit është jo adekuate, një vlerë e vogël e mjeteve është dedikuar për biznese, kurse pjesa tjetër do të shkoj për institucione shtetërore. Kështu që kërkojmë rishikimin e programit, të rishikohet përkrahja më e madhe e prodhimit vendor, stimulimi i eksportit, përkrahja për punësim dhe krijimi i një oferte që të ndahet një buxhet për kompanitë të cilat arrijnë të punësojnë deri në pesë persona. Pra, të ndihmohen bizneset që janë afektuar nga vendimit e qeverisë, siç kanë qenë masat kufizuese të lëvizjes dhe ndërprerja e aktiviteteve ekonomike”, tha Krasniqi.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, humbjet e bizneseve në Kosovë nga muaji mars deri në tetor të vitit 2020, ishin mbi 1.2 miliard euro.

MFPT: Jemi duke analizuar situatën

Zyrtarë të Ministrisë se Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjeje konkrete a do rishikojnë programin, por kanë thënë, se janë duke analizuar situatën në lidhje me dëmin ekonomik që ka shkaktuar sëmundja COVID-19 dhe ndërhyrjet e mundshme që ministria mund të ndërmarrë për të zbutur ndikimin e pandemisë në ekonomi”, thuhet në përgjigjje.

Por, Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, e quan shqetësuese faktin se bizneset kanë fituar shumë pak nga mjetet e qeverisë. Sa më shumë vonohet shpërndarja e mjeteve, ai thotë se më të vogël do ta kenë efektin në ekonomi. Rukiqi, madje dyshon në ekzistimin e mjeteve për këtë çështje në buxhet.

“Këtu kemi një problem tjetër, e gjithë shuma që është miratuar në Ligjin për Rimëkëmbje, që është mbi 200 milionë euro ndihmë direkt për bizneset, ajo vlerë as nuk është buxhetuar dhe as nuk është shpërndarë”, tha Rukiqi.

GAP: Çdo masë të ketë kriter kryesor dëmin e pësuar nga pandemia

Se bizneset kanë përfituar në mënyrë proporcionale dhe jo sipas ndikimit të pandemisë COVID-19 në aktivitetin e tyre, thuhet edhe në një raport të publikuar ditë më parë nga Instituti GAP.

Shumë nga institucionet, thuhet në raport, nuk kanë publikuar të dhëna lidhur me mjetet e ndara për përfituesit në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Instituti kërkon që të bëhet një auditim i mjeteve të shpenzuara në kuadër të pakove fiskale dhe masave nga Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike prej Zyrës Kombëtare të Auditimit, për të vlerësuar shpërndarjen e mjeteve, kriteret e vendosura për përzgjedhjen e përfituesve dhe arsyeshmërinë e dhënë për këtë përzgjedhje.

Njëherësh, thuhet se secila masë e re që synon të ndihmojë bizneset dhe qytetarët e prekur nga pandemia, përveç rasteve sociale, grupeve të diskriminuara dhe sektorëve apo grupeve me interes për shoqërinë (studentët e IT-së, sektorin e turizmit, etj.) të ketë si kriter kryesor dëmin e pësuar nga pandemia./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat