Banka gjermane Deutsche Bank ka realizuar fitime të mëdha, më 2025.
Ajo, sipas të dhënave të publikuara të enjten, shënoi rezultatin më të mirë ndonjëherë, para tatimit, që kap vlelrën prej 9.7 miliardë euro e që ëshhtë një rritje prej 84% krahasuar me një vit më pare
Soc bën të ditur kompania e listuar në indeksin DAX me seli në Frankfurt, rezultati përfundimtar ishte një fitim neto prej 6.1 miliardë eurosh, që është vetëm pak më i ulët se 6.5 miliardë eurot e shënuara në vitin rekord 2007.
Ky ishte viti i gjashtë me radhë që Deutsche Bank e mbylli me fitim. Paraprakisht, për goxha një kohë, ishte në krizë.
Drejtori ekzekutiv, Christian Sewing, tha se banka është inkurajuar edhe nga ajo që e quajti “fillim i fortë” i vitit 2026.
“Zbatimi i agjendës sonë për vitin 2028 do të na mundësojë të arrijmë qëllimin tonë afatgjatë: të bëhemi kampioni evropian në bankari, sipas një grupi kriteresh të përcaktuara qartë”, tha ai, njofton DPA, përcjellë Kosovapress
Aksionarët e kësaj banke do të përfitojnë një dividendë prej 1 euro për aksion, rreth një herë e gjysmë më shumë se një vit më parë. Banka njoftoi gjithashtu blerje të mëtejshme të aksioneve të veta.
Sidoqoftë, ky suksesi në biznes është “errësuar” nga hetime të reja ndaj drejtuesve dhe punonjësve të bankës, nën dyshimet për pastrim parish, të cilat u bënë publike një ditë para prezantimit të bilancit financiar.
Hetuesit bastisën të mërkurën selinë qendrore të Deutsche Bank në Frankfurt dhe ambiente biznesi në Berlin, mes tjerash, në kërkim të provave.
Sipas Zyrës së Prokurorisë së Frankfurtit, e cila po udhëheq hetimin, çështja lidhet me marrëdhëniet e mëparshme të biznesit të bankës me kompani të huaja, të cilat vetë dyshohen për pastrim parash.
“Ne e dimë se ku duam të shkojmë dhe nuk do të pengohemi nga kjo rrugë,” u shkroi drejtori ekzekutiv Christian Sewing punonjësve të Deutsche Bank. “Veprimi i djeshëm i Prokurorisë së Frankfurtit nuk e ndryshon këtë. Sigurisht që do të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet për të shqyrtuar transaksionet e së kaluarës. Por, përndryshe, ne jemi të përqendruar vazhdimisht në të ardhmen.”
Christian Sewing mori drejtimin e institucionit më të madh financiar të Gjermanisë në vitin 2018, në një kohë kur banka ishte e zhytur në një krizë të vazhdueshme.
Ai ndërmori shkurtime të mijëra vendeve të punës dhe uli ndjeshëm aktivitetin e bankës në sektorin e bankarisë investuese, duke e rikthyer bankën në rrugën e rritjes.
Agjencia e lajmeve DPA raporton se bastisjet lidhen me transaksione të kryera ndërmjet viteve 2013 dhe 2018 brenda konglomeratit kompleks të kompanive në pronësi të oligarkut rus Roman Abramovich. Ky i fundit, që ndodhet në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian që nga viti 2022, tha përmes avokatit të tij se nuk ishte në dijeni të ndonjë hetimi nga autoritetet gjermane lidhur me këtë çështje.