“Mbështetja financiare nga Kurti lehtëson situatën ekonomike, ndihmon në zbutjen e vështirësive ekonomike”

Ekonomi

“Mbështetja financiare nga Kurti lehtëson situatën ekonomike, ndihmon në zbutjen e vështirësive ekonomike”

Nga: H.O. Më: 30 maj 2026 Në ora: 21:57
Albin Kurti

Eksperti i ekonomisë Jakup Bellaqa ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë për zbatimin e pakos mbështetëse “Inflacioni 2.0” do të ndikojë në rritjen e kërkesës në treg dhe të fuqisë blerëse të qytetarëve, veçanërisht për produktet bazike jetësore.

Sipas tij, mbështetja prej 100 eurosh për kategoritë pensionale, studentët aktivë, të punësuarit në sektorin privat me pagë nën 1 mijë euro dhe familjet që përfitojnë ndihmë sociale do të ndihmojë në zbutjen e vështirësive ekonomike.

“Kjo pako ndikon në rritjen e kërkesës dhe të fuqisë blerëse e shitëse, sidomos për produktet elementare bazike jetësore. Ajo e zbut situatën ekonomike, por nuk e frenon inflacionin dhe ka efekt afatshkurtër”, ka deklaruar Bellaqa.

Image
Jakup Bellaqa

Ai ka theksuar se vendimi për rritjen e mbështetjes financiare për lehonat nga 325 euro në 500 euro ka ndikim më të qëndrueshëm në aspektin ekonomik dhe social.

“Rritja e ndihmës financiare për gratë lehona ka efekt afatmesëm dhe afatgjatë dhe ndikon pozitivisht në përmirësimin e gjendjes financiare të kësaj kategorie”, është shprehur ai.

Bellaqa ka vlerësuar se partitë me orientim të majtë tradicionalisht fokusohen në politika sociale dhe në mbështetjen e kategorive me të ardhura më të ulëta, por ka shtuar se do të ishte më e dobishme një rritje e pensioneve.

“Do të kishte qenë më mirë të rriteshin pensionet, pasi një masë e tillë do të sillte efekte pozitive afatmesme dhe afatgjata dhe do të reflektohej drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike dhe sociale të qytetarëve”, ka përfunduar Bellaqa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat