Antonelli dominon në Katar, Alonso befason me paraqitjen në prova

Formula 1

Antonelli dominon në Katar, Alonso befason me paraqitjen në prova

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 17:08
Pamje nga gara

Kimi Antonelli vazhdon të shkëlqejë në Çmimin e Madh të Katarit në Formula 1, duke regjistruar kohën më të shpejtë edhe në sesionin e tretë të provave të lira.

Piloti i Mercedesit ishte më i shpejti me 0.249 sekonda avantazh ndaj bashkëskuadrit George Russell, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në pistën e Lusailit. Ky ishte triumfi i tretë radhazi i Antonellit në tri sesionet e provave të lira të zhvilluara në Katar.

Sipas mediumit spanjoll, "Marca", pas dy pilotëve të Mercedesit u rendit Max Verstappen, me 0.510 sekonda prapa Antonellit, duke lënë të kuptohet se skuadra nga Brackley është favoritja kryesore për pozitën e parë në kualifikime.

Charles Leclerc u rendit i pesti, përpara dy pilotëve të McLarenit, Lindblad dhe Lewis Hamiltonit. Ferrari vazhdon të ketë vështirësi me kapjen e gomave në pistën e Katarit.

Ndërkohë, Fernando Alonso arriti një rezultat më të mirë se pritshmëritë, duke e përfunduar sesionin në pozitën e 17-të.

Piloti spanjoll u rendit përpara dy makinave Williams të Carlos Sainzit dhe Alexander Albonit, bashkëpilotit të tij Lance Stroll dhe dy makinave Cadillac.

Alonso tregoi ritëm më të mirë se Stroll, duke qenë gjashtë të dhjetat e sekondës më i shpejtë se shoku i skuadrës. Megjithatë, kalimi në sesionin e dytë të kualifikimeve (Q2) mbetet një sfidë e vështirë për spanjollin.

Kualifikimet për Çmimin e Madh të Katarit janë në program për sot, në orën 19:00.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat