Spalletti i beson Ekhatorit

Futboll

Spalletti i beson Ekhatorit

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 17:06
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur në konferencën për media në prag të ndeshjes kundër Omonias, në kuadër të Europa League, duke zbuluar se sulmuesi i ri Jeff Ekhator do të jetë titullar në këtë përballje.

Sipas mediumit italian “La Gazzetta dello Sport”, Spalletti është ndalur edhe te çështja e sulmuesit qendror, duke sqaruar arsyet pse po e provon Randal Kolo Muanin në këtë pozitë.

“Përshtypja ime ishte se ju po kërkonit me ngulm një përgjigje për çështjen e numrit nëntë. Sa herë më keni pyetur për Vlahoviqin? Madje, më keni pyetur edhe pasi ai u largua.

Unë kam folur për karakteristikat e një lojtari, jo për një emër të caktuar. Kam nevojë ta provoj Kolo Muanin në atë pozitë, jo sepse Woltemade nuk ka bërë mirë. Përkundrazi, që nga ardhja e tij ka treguar paraqitje shumë të mira, por nuk mund të luajë gjithmonë”, deklaroi Spalletti.

Më pas, trajneri italian konfirmoi se Ekhator do të marrë një mundësi të rëndësishme në ndeshjen e radhës.
“Jeffe është një premtim. Tani do t'i japim mundësinë të luajë në disa ndeshje, për të parë nëse i kemi brenda skuadrës karakteristikat që po kërkojmë. Kundër Omonias do të jetë titullar. Edhe kur të rikthehet Nico, mendoj se edhe ai i ka karakteristikat për të luajtur si numër nëntë”, u shpreh trajneri.

Spalletti: Ekhator është një sulmues premtues

Trajneri i Juventusit vlerësoi veçanërisht cilësitë fizike të Ekhatorit, duke theksuar se ai mund të jetë një alternativë e rëndësishme në qendër të sulmit.

“E shoh si një sulmues qendror fizik, të aftë për ta mbajtur topin dhe për ta bërë më të dobishme fazën e posedimit, edhe në momentet e vështira.

Baldini, trajneri i Italisë U21, është shumë i entuziazmuar me të. Ai është një nga miqtë e mi më të mirë në futboll dhe tani që po punoj me këtë lojtar, jam plotësisht dakord me vlerësimin e tij. Megjithatë, nuk do t'ia ngarkoja të gjitha përgjegjësitë për zgjidhjen e problemeve të skuadrës.

Ai është një premtim”, deklaroi Spalletti.

Spalletti kërkon më shumë qetësi nga skuadra

Trajneri italian foli edhe për gjendjen e përgjithshme të skuadrës, duke pranuar se lojtarët duhet të luajnë me më shumë qetësi dhe vetëbesim.

“Duhet të gjejmë ekuilibrin për të luajtur më lirshëm. E shoh skuadrën ende të shqetësuar dhe të frikësuar. Një qasje e tensionuar ta merr lirinë dhe nuk të lejon të luash me qetësi e natyrshmëri.

Pres shumë nga dy ndeshjet e ardhshme kundër Omonias dhe Comos. Janë dy përballje shumë të rëndësishme për ne”, theksoi trajneri.

Cambiaso titullar, Spalletti flet edhe për Yildizin

Spalletti konfirmoi gjithashtu se Andrea Cambiaso do të luajë nga minuta e parë kundër skuadrës qipriote.

“E shikoj dhe e vlerësoj vazhdimisht. Është shumë inteligjent dhe profesionist serioz. Ai e di se do të marrë nga unë atë që meriton përmes punës së tij. E njeh potencialin e madh që ka dhe na e ka treguar edhe më parë. Ai do të luajë kundër Omonias”, u shpreh italiani.

Në fund, trajneri foli edhe për Kenan Yildizin, duke vlerësuar përparimin e tij në stërvitje, por duke theksuar se nuk duhet nxituar me rikthimin në fushë.

“Po shkon shumë mirë. Pikërisht sot zhvilloi një stërvitje të veçantë për saktësinë dhe më tregoi disa gjëra. Mezi pres ta shoh duke i bërë të njëjtat gjëra edhe në ndeshje. Megjithatë, duhet të presim momentin e duhur. Tashmë kemi kaluar një periudhë pa të dhe duhet të përshtatemi me këtë situatë”, përfundoi Spalletti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat