Bayerni do të përballet me një sfidë të vërtetë në udhëtimin drejt Lillles, pavarësisht mungesave të rëndësishme në skuadër.
Sipas mediumit gjerman “Kicker”, Dayot Upamecano do të luajë një ndeshje të veçantë në Francën veriore. Mbrojtësi i Bayern Munihut e njeh mirë këtë zonë, pasi në rininë e tij kishte luajtur për dy vjet te Valenciennes, klub që ndodhet pranë Lilles.
“Për mua është një ndeshje shumë e veçantë, pothuajse si një derbi”, ka deklaruar francezi në prag të përballjes.
Sot, 28-vjeçari konsiderohet njëri prej mbrojtësve më të mirë në botë dhe po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij. Madje, këtë sezon ka realizuar edhe tri gola në të gjitha garat.
Me problemet që ka Bayerni në repartin ofensiv, nuk është çudi që po diskutohet edhe aftësia e Upamecanos për të luajtur në sulm.
Vetë mbrojtësi zbuloi se në fëmijëri kishte luajtur si sulmues.
“Kur isha i ri, luaja si sulmues. Shënoja shumë gola, por tani kjo ndodh më rrallë”, u shpreh ai me humor.
I pyetur nëse mund të luajë sërish në këtë pozitë ndaj Lilles, Upamecano u përgjigj me shaka: “Këtë pyetje duhet t'ia bëni trajnerit”.
Megjithatë, francezi pritet të luajë në pozitën e tij të zakonshme në qendër të mbrojtjes.
Bayerni ka nevojë të kompensojë mungesën e golave të Harry Kane, Michael Olise dhe Luis Diaz, të cilët sezonin e kaluar kishin realizuar së bashku një numër të madh golash. Diaz ka udhëtuar me ekipin, por rikthimi i tij në formacionin titullar konsiderohet i parakohshëm pas dëmtimit muskulor.
“Po kalojmë një periudhë të vështirë, por kemi mjaft lojtarë me përvojë.
Duam të tregojmë se jemi një skuadër me karakter dhe jemi gati për këtë sfidë”, tha Upamecano.