Një ditë e flamurit tonë kombëtar të cilën na e rrëmbeu tërmeti, dhimbja, lotët dhe pikëllimi..!? - Bota Sot
Një ditë e flamurit tonë kombëtar të cilën na e rrëmbeu tërmeti, dhimbja, lotët dhe pikëllimi..!?

Kolumne

Një ditë e flamurit tonë kombëtar të cilën na e rrëmbeu tërmeti, dhimbja, lotët dhe pikëllimi..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 23:12
Rexhep Elezaj

Tërmeti i cili në ara 03:55 të mëngjesit të 26 Nëntorit 2019 goditi Durrësin me rrethinë, do ua ndërpres përgjithmonë gjumin e ëmbël si dhe ëndrrat e bukura 29 filizave, nxënësve, nënave dhe vëllezërve tanë durrsakë..!?

Oh Zot, sa i pamëshirshëm që Je..., sepse sa e sa herë ndër vite dhe mote shqiptarëve ua more më të dashurit e tyre, herë me luftëra e tragjedi, herë me tërmete, me rrebeshe me borë e shi, të cilat gazepe gati kurrë njëherë nuk na u ndanë, po sikur ta kishim vrarë dhe masakruar Jezu Krishtin..! Thua se kaq mëkatarë të mëdhenj qenkemi para Madhështisë Tuaj, që një popull të vogël në Ballkan me emrin shqiptar ta “godasësh” kaq shumë herë, e kaq pa mëshirshëm..!?

Burrat e shtëpisë që ka emrin Shqipëri, me vetë dëshirë kanë dalë në ballë të popullit, dhe, ata duhej ta dinin se  godinat dhe shtëpitë e ndërtuara në kohën e errësirës komuniste, duhej të rrëzoheshin me kohë dhe në vend të tyre të ndërtohen pallatet e reja, sikur këto që ishin pranë të vjetrave, por të cilat nuk u rrëzuan, sepse ato i përballuan dridhjeve të forta të tokës. Mjerisht në dy shtetet tona ende politikanët dhe përgjegjësit shtetëror janë lartë mbi popullin dhe interesat e tij.!?

Dhe, sa herë që kombin shqiptar e kanë goditur tragjeditë natyrore, apo ato njerëzore, ai është bashkuar dhe ka qëndruar më afër vetes, sepse kur qenies së njeriut i dhemb një pjesë, të tërën e kaplon dhimbja, sikur që këto dhimbje janë përjetuar gjatë luftës dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, me 1998/99, kur mijëra kosovarë gjetën strehimin dhe shpëtimin tek vëllezërit e tyre në Shqipëri, Maqedoni, etj., njëjtë po e gjejnë shpëtimin dje, sot dhe gjithherë strehimin tek vëllezërit kosovarë shqiptarët e Durrësit me rrethinë..!

Madje, dje në rrjetet sociale hasëm në atë thënien lakonike, “se shqiptarët vetëm rreziku dhe tragjeditë i bashkojnë”, dhe kjo bindshëm u vërtetua dje e sot, kur tërmeti goditi rënd Durrësin, duke rrënuar ndërtesa dhe godina nën rrënojat e të cilave humbën jetën 29 shqiptarë, për shpëtimin të cilëve u ngritë në këmbë dhe u mobilizua i gjithë shqiptaria..!?

Pa dyshim, kombi ynë dje dhe sot nga dhimbja, ndjenja e dashurisë dhe e solidaritetit ndaj vëllezërve në Durrës me rrethinë, ku humbën jetën shumë shqiptarë dhe ku me qindra familje mbeten pa kulm mbi kokë, tuboi ndihma të ndryshme me tonelata në mënyrë dhe me shpejtësi të paparë ndonjëherë më parë në historinë tonë të re !

Mbase, pranë faktit se kjo tragjedi e madhe na i mori me vete shumë vëllezër dhe motra, duke na e rrëmbyer dhe mbuluar me dhimbje, lot dhe pikëllim Ditën e Flamurit tonë të pavarësisë sonë kombëtare, të urojmë nga zëmra që kjo frymë vëllazërore dhe kjo vlerë në marrëdhëniet tona brenda-shqiptare, ani se nuk mund të na i zvogëlon dhimbjet për humbjen e 29 vëllezërve tanë nën rrënojat e shtëpive të tyre, ky solidaritet duhet të shënon fillimin e një epoke të re në forcimin e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë midis nesh, madje edhe si kusht për suksese të reja në rrugën e bashkimit dhe prosperitetit tonë gjithëkombëtar !

Qoftë i përjetshëm kujtimi ynë për (29) viktimat e tërmetit të djeshëm në Durrës ! 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat