Mendja e kaprollit!

Kolumne

Mendja e kaprollit!

Nga: Mersel Bilalli Më: 25 tetor 2020 Në ora: 20:25
Mersel Bilalli

Një përrallë e mençur tregon se si luani mbret i plakur kishte lutur dhelprën që ajo t’ia sjellë kaprollin në shpellë. Dinakëria e saj bindi kaprollin se luani donte që atë ta bëjë mbret të ri të pyllit. Me të hyrë në shpellë, luani iu hodh, por kaprolli arriti të ik duke mbetur pa brinjët e tij të bukur. Sërish dhelpra iu afrua kaprollit duke e qortuar, se si kishte keqkuptuar pasi luani donte vetëm t’ia këput brinjët, sepse s’është në rregull mbreti i ri të ketë brinjë. Kaprolli besoi dhe u pajtua përsëri të shkojë te shpella e luanit. Edhe kësaj here ai i iku luanit, por mbeti pa veshët e tij. Dhelpra sërish e qortoi kaprollin se prapë s’e kishte kuptuar leksionin. Në fakt se kishte pas qenë adet që me rastin e dorëzimit të pushtetit, mbreti plak duhej t’ia heq veshët mbretit të ri. Kaprolli naiv sërish besoi dhe për së treti herë shkoi te luani dhe përfundoi keq. Luani urdhëroi dhelprën që ajo ta ndante çdo pjesë mishi veç e veç. Duke e bërë këtë punë dhelprës i shkuan ligat kur pa trutë e kaprollit dhe menjëherë i hëngri me bindje se luani s’e kupton. Por, kur luani pa se s’ishin trutë, i nervozuar pyeti: “E trutë ku janë!” Dhelpra e buzëqeshur iu përgjigj: “E çfarë tru lypën nga ai, i cili po t’i kishte nuk do vinte tri herë në shpellën tënde”!

Me dekada jemi duke shkuar në çfarëdo shpellash dhe si duket kemi humbur trutë dhe gjithçka të vlefshme, madje edhe atë më të vlefshmen – rininë që është shpirti i çdo shoqërie. Ditë e më shumë në rrethinën tonë mbeten vetëm do pleq të rastit dhe do që hanë tru njerëzish që u shërbejnë si ilaç i vetëm për shërim kompleksesh. Këtu për dekada as që ka ide për atë çka është zhvillim ekonomik, e të mos flasim për strategji, projekte dhe programe operative, atribute që edhe në shoqëritë më primitive kanë qenë prioritet. Këtu zbrazen vatrat, zbrazen shtëpitë, fshatrat e qytetet, vetëm që të mbushen do xhepa. Kemi kushte ideale për zhvillim të bujqësisë moderne kurse ne çdo vit importojmë prodhime bujqësore në vlerë prej 800 milion eurosh. Të vetmin produkt eksporti kemi shpirtin e popullit, të cilin e japim falas në Perëndim, kurse një i ri që ik, shoqërisë i kushton mbi 200 mijë euro (rritja, ushqimi, shkollimi, shëndetësia), kurse prindërve të tyre u kushton mjerim dhe vetmi. Rinisë së këtuit tani më i është prishur foleja nga ata që ndërtuan dhe vazhdojnë të ndërtojnë pallate, a meritojnë shpella sepse kanë logjikën e kohës së gurit. Fatkeqësisht rezultatet do t’i shohim nëse mbahet regjistrimi i popullatës. Në rrugë të mbarë jemi të korrim atë që gjithë kohën e kemi mbjellë mbrapsht, gjë e cila na ka sjellë gjer te zbrazja epokale e shtetit nga shqiptarët.

Trishtuese është kur personat e parë të shtetit publikisht tani thonë –“Ta mbajmë regjistrimin e popullatës duke miratuar një deklaratë se nuk do të ndryshohet Kushtetuta konform bazamentit të Marrëveshjes së Ohrit”. Ky mesazh qartë flet se popullata shqiptare rezidente (që efektivisht jeton këtu), tani më është dukshëm më pak se 20 për qind! Ne shtetas kemi plotë, por ata me arsye shpirtërisht, kulturalisht dhe ekonomikisht tani më janë të lidhur për vendit ku kanë lindur dhe jetojnë. Për Eurostat-in me rëndësi janë ata që jetojnë në vend. Këtu eksodi, sidomosi dy dekadave të fundit ka marrë përmasa dramatike, ndërkohë që këtë askush s’e përmend sepse i prishet rahatia e ëmbël e ndërtuar nga e vërteta aq e hidhur. Çdo ditë gjithnjë e më shumë boshatisja krijon vetmi që vret. Demografët thonë se pjesa perëndimore e shtetit dhe Kumanova me rrethinë - 60 përqind tani më është e shpërngulur. Shkupi me rrethinë akoma mundohet të rezistojë, por edhe atje si duket shpërthen. Njerëzit po ikin nga këtu në përmasa biblike, sikur besojnë se po të mbeten këtu do t’i kap ndonjë mallkim. Këtu është bë krenari të jesh i pandershëm, por poshtërim të jesh njeri. Tani shumë vite këtu mbjellet e këqija në emër të së mirës. Kultivohen antivlera në vend të vlerave. Sa më i paditur aq më i avancuar (me përjashtime simbolike). Sa më i korruptuar aq më afër xhepave të popullit. Sa më i pashkolluar aq më afër institucioneve arsimore. Mu sikur kaprolli besuam se të prapambeturit do na e sjellin përparimin, të paditurit diturinë, të padrejtët drejtësinë…Qeveria e kaluar me aq shumë lopata na e varrosi ardhmërinë, kurse kjo e tanishmja edhe shpresën.

Faktet tregojnë se aty ku ka ideal çdo gjë shkon mbarë e mirë. Aty ku qëllim ka qenë progresi, sukseset nuk kanë munguar, por aty ku ka munguar ideali, gjithçka ka përfunduar në humnerë. Kjo është dëshmuar edhe në rastin e Kinës, Vietnamit, Turqisë, Malajzisë, Izraelit, etj, të cilët bëjnë zhvillim marramendës. Madje “bum” ekonomik këto 20 vite kanë bërë edhe do shtete që me shekuj kanë qenë simbol i vuajtjeve dhe vdekjeve nga uria – Gana, Bocuana, Etiopia, Zambia, etj. Për shembull, shkalla e papunësisë në Gana 25 vite më parë ka qenë 69%, kurse tani vetëm 5%, kurse standardi është rritur në mënyrë marramendëse për 14 herë. Kur njëherë e kishin pyetur liderin e këtij shteti Seretz Jan Jama, se cili është sekreti i suksesit, ai u ishte përgjigjur – “Sekreti është të mos keni sekrete, por profesionalizëm të skajshëm dhe disiplinë fanatike”.

E ku jemi ne? Ne duke hedhur ujin e fëlliqur e hodhëm edhe fëmijën. Për dekada kemi qeveri, parlament e gjykata, por ato në masë të madhe janë mbushur me analfabetë kronikë. Andaj kemi plot institucione arsimore, por assesi edhe dije. Kemi plot institucione mjekësore, por jo edhe shëndet. Kemi plot institucione për zhvillim të bujqësisë, por jo edhe ushqim... Establishmenti na është shndërruar në faktor të lumturisë së vet dhe në kreatorë të fatkeqësisë sonë. U shndërruam në shoqëri ku disa mezi mbijetojnë me dhjetë gishtat, kurse do të tjerë gjithçka kanë me vetëm dy gishtërinj. Andaj nuk është e largët koha kur këtu si shumicë popullate do të jenë do kinezë, afrikanë, hindusë apo afganë, të cilët do të fillojnë të shkruajnë një histori të re. Ndokush do të duhet të banojë në ato aq shumë shtëpi të zbrazura. Ekspertët eminent të zhvillimit janë të mendimit se vendi ynë mund të bënte një “bum” të vërtetë zhvillimor nëse do të përqëndrohej në bujqësinë moderne me prodhime organike, në turizmin bashkëkohor malor, rural e banjor, në krijimin e terreneve rekreative atraktive malore, etj. E gjithë kjo e përcjellë me reklama adekuate, transporte të organizuara e të lirë, fluturime çartere, etj. Kjo njëherit do e mbante profitin në vend, ndryshe nga investimet e huaja ku fitimi shkon jashtë. Por, kjo kërkon një strategji serioze zhvillimi, institucione kompetente, ekspertë të shumtë, agro-këshilla të vazhdueshme, por parasëgjithash strukture tjetër mentale. I vetmi shtet në botë jemi që qytetarëve s’u japim as këshilla profesionale, as udhëzime apo kurajo, e lëre më ndonjë ndihmë tjetër!

Ku është opozita?

Opozita lëshoi shansin historik të bëjë ndryshime. Ajo në vend që të bëjë oferta konkrete për tejkalimin e gjendjes dramatike (a kishte program të mirë), gjithë kohën u mor me liderin shqiptar në pushtet. Kjo është mënyra më e sigurt për të siguruar humbjen. Nuk ofrohet ilaç më i keq se sa smundja. Madje nxorën do kandidatë që katastrofë humbën edhe nëpër lagjet e tyre, nëpër fshatrat dhe qytetet e tyre dhe në vend që të japin dorëheqje të parevokueshme si akt moral edhe ata vet edhe propozuesit e tyre, ata sikur kënaqen në kolltuqet e veta me djersën e të tjerëve. Në çdo shoqëri politike, humbja me automatizëm nënkupton dorëheqje të parevokueshme dhe ajo është akt i lartë moral që pretenduesve afatgjatë u jep kredibilitet për të ardhmen. Madje edhe seleksionimi subjektiv i kandidatëve pa iu nënshtruar asnjë sondazhi është përgjegjësi reale që duhet të shkojë në vend. Andaj ata duhet ballë hapur dhe me nderë me dorëheqjet e tyre të parevokueshme si përgjegjësi objektive, por edhe subjektive, e jo si taktizime boshe. Përndryshe, nëse kjo nuk ndodhë, ata do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjësi për mbajtje peng objektivave reale për ndryshime. Nëse këtë se kuptojnë, mbi supet e tyre do mbeten edhe dështimet në të ardhmen. Nëse nuk duan ta dëgjojnë oportunitetin aktual, kanë shanse të mëdha të mbeten përdhosës jo vetëm të subjektit të tyre politik, por edhe të popullit në tërësi. Gabim e kanë nëse mendojnë se edhe votuesit e tyre kanë mendjen e kaprollit. Të dhënat e fundit analitike tregojnë për pesimizëm të skajshëm të masës që ka pritur ndryshime dhe ata tani në masë të madhe mendjen e kanë përtej kufirit. Ata kanë nevojë edhe për një shpresë, të cilën duhet t’ua japin mu ata që janë më meritor që s’ndodhën ndryshimet !!!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat