Sot rreth orës 11:17, gjatë patrullimit në magjistralen Mitrovicë–Zveçan në rrugën “Kral Petri” në Mitrovicën Veriore ka ndodhur një vetaksident trafiku.
Në këtë vetaksident është përfshirë motoçiklisti 67-vjeçar me inicialet F.A., i cili ka pësuar lëndime trupore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas trajtimit mjekësor, personi i lënduar është liruar.
“Zyrtarët policorë i kanë dhënë ndihmën e parë të lënduarit deri në ardhjen e shërbimit emergjent mjekësor, të cilët më pas e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Pas trajtimit mjekësor, personi i lënduar është liruar”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se policia ka shikuar vendin e ngjarjes dhe është duke punuar për të identifikuar shkaqet e aksidentit.
Thuhet se të lënduarit i është bërë matja me alkool-test dhe ka rezultuar se ishte nën ndikimin e alkoolit me 0.53‰.
“Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë ngasësve, e sidomos motoçiklistëve, që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, të shmangin shpejtësinë e tepruar dhe asesi të mos ngasin nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera që dëmtojnë aftësinë për ngasje të sigurt, gjithashtu Policia apelon që të gjithë motoçiklistët të vendosin helmetën mbrojtëse gjatë ngasjes”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës ka përkujtuar se siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe vetëm me kujdes të shtuar parandalohen aksidentet e tilla.