Dogana e Kosovës bënë të ditur se ka sekuestruar sot shtatëdhjetë e nëntë (79) telefona mobil të kontrabanduar në vlerë mbi gjashtëdhjetë e katër (64) mijë euro, raporton KosovaPress.
Sipas njoftimit, Dogana ka ndërmarrë një kontroll të detajuar në një subjekt afarist në Prishtinë, i cili merret me shitjen e telefonave mobil, pas pranimit të një informacioni nga një qytetar përmes linjave të hapura për raportimin e kontrabandës dhe veprave të tjera penale.
“Pas verifikimeve paraprake, njësitet e Doganës kanë realizuar një kontroll të plotë të lokalit dhe hapësirave përcjellëse. Gjatë kontrollit, në një aneks shtesë (bodrum) është gjetur një kasafortë, brenda së cilës janë zbuluar: 49 iPhone 16 Pro Max, 1 iPhone 16 Pro, 12 iPhone 15 Pro, 9 Samsung A36 5G, 6 copë Samsung A56 dhe 2 Samsung A26”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës, të gjithë këta telefona janë gjetur pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre dhe dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës. Dogana tha se vlera e përgjithshme në treg e këtyre pajisjeve është rreth 64,340.00 euro.
“Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore ndaj subjektit në fjalë, duke sekuestruar mallin dhe duke iniciuar procedurat hetimore për kundërvajtje apo vepër penale, varësisht nga të gjeturat e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe inkurajon të gjithë që të vazhdojnë të raportojnë rastet e dyshimta përmes linjave të hapura, duke kontribuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.