Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Graçanicë, Drenas, Fushë-Kosovë, Prishtinë dhe Mitrovicë. Lidhur me këto raste u arrestuan katër të dyshuar.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Graçanicë është arrestuar një shtetas i huaj pasi dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj viktimës- po ashtu shtetase e huaj.
“Graçanicë / 15.12.2025 – 02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj pasi i njëjti dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër shtetase e huaj. Me vendim të prokuronit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Në Drenas është arrestuar një person pasi dyshohet se më 26 tetor e kishte kanosur përmes telefonit një grua.
“Drenas / 26.10.2025 – 21:30. Më 15.12.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se me 26.10.2025 përmes telefonit e kishte kanosur verbalisht viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Kurse, në Fushë-Kosovë është raportuar se një grua po përjeton dhunë psikike nga i dyshuari, i cili më pas është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Fushë Kosovë / 15.12.2025 – NN. Është raportuar se viktima femër kosovare është duke përjetuar dhunë psiqike nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Edhe në Prishtinë u arrestua një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj familjarit të tij.
“Prishtinë /11.12.2025-22:45. Me 16.12.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti me datën e lartcekur kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj viktimës mashkull kosovar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Në anën tjetër, në Mitrovicë u raportua se një grua është sulmuar fizikisht nga i dyshuari, i cili u lirua në procedurë të rregullt pas intervistimit.
“Mitrovicë Jug / 15.12.2025 – 22:10. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia.