Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka finalizuar operacionin “Ora e Fundit”, duke goditur një rast të rëndë të trafikimit të drogës.
Rreth orës 19:00, në magjistralen Podujevë–Prishtinë, pranë fshatit Trudë, njësitet policore ndaluan një veturë me targa vendore, të drejtuar nga një shtetas kosovar. Gjatë kontrollit, policia sekuestruar rreth 20 mijë tableta ekstazi (MDMA), të dyshuara të jenë futur ilegalisht nga Serbia për t’u shpërndarë në tregun e brendshëm. Vlera e substancës narkotike në tregun e zi vlerësohet rreth 200 mijë euro.
Si rezultat i operacionit:
Është arrestuar një person;
Janë sekuestruar shtatë paketime me ekstazi dhe një veturë Daimler Chrysler E320 CDI;
Gjatë bastisjes së banesës së të dyshuarit në Prishtinë janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri qese me marihuanë.
Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari ndodhet nën masa të mëtejshme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet si vepër penale e trafikimit të narkotikëve, sipas legjislacionit të Kosovës.
Policia e Kosovës njoftoi se do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe shpërndarjes së drogës, duke garantuar sigurinë publike dhe sundimin e ligjit.