Vrau një fëmijë në 97-tën, arrestohet në Greqi 59-vjeçari nga Gramshi

Kronikë

Vrau një fëmijë në 97-tën, arrestohet në Greqi 59-vjeçari nga Gramshi

Më: 30 janar 2026 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Policia e Shtetit njoftoi se, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The wanted”, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi K.N. alias B.D. alias H. V., 59 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një të mituri 9-vjeçar në vitin 1997 në Gramsh.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ky shtetas fshihej prej vitesh në Greqi, duke përdorur një identitet shqiptar të falsifikuar, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një nga krimet më të rënda të pas viteve ’90.

Ngjarja e rëndë për të cilën ai u dënua ka ndodhur në muajin mars të vitit 1997. Siç sqaron policia, K.N., së bashku me një shtetas tjetër, R. K., kanë shkuar të armatosur në banesën e shtetasit K. B., duke kërkuar vëllanë e këtij të fundit, V. B., i cili ishte arratisur nga institucioni i vuajtjes së dënimit. Ky i fundit vuante dënimin për vrasjen e vëllait të K.N, të ndodhur në vitin 1993.

“Pasi familjarët nuk i janë përgjigjur kërkesës mbi vendndodhjen e personit të arratisur, shtetasi K.N. ka qëlluar për vdekje me armë zjarri djalin 9-vjeçar të K. B.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Për këtë krim, në vitin 1998, Gjykata shqiptare e dënoi Nishkun me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”. Megjithatë, ai arriti t’i shmangej drejtësisë për dekada me radhë, duke u fshehur në Greqi nën një identitet të rremë.

Policia bën të ditur se arrestimi i tij është rezultat i një bashkëpunimi disavjeçar ndërkombëtar, ku janë përfshirë Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i DPPSh-së, Interpol Tirana, Oficeri Ndërlidhës i Policisë shqiptare në Athinë, Interpol Athina, si dhe Sektori i Identifikimit dhe Krahasimit të Fytyrës (Facial Recognition).

“Identifikimi i këtij shtetasi u bë i mundur përmes krahasimit të fotografisë së vitit 1997 me fotografinë në pasaportën e falsifikuar të marrë në vitin 2013”, thekson Policia e Shtetit, duke nënvizuar rolin kyç të teknologjisë dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave homologe. Aktualisht, sipas autoriteteve, bashkëpunimi ndërmjet strukturave të INTERPOL-it vijon, me qëllim përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e K.N. drejt Shqipërisë, ku ai pritet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat