Policia e Kosovës ka njoftuar për një sërë ngjarjesh kriminale dhe aksidentesh trafiku që kanë ndodhur në vend gjatë 24 orëve të fundit.
Në Prishtinë, është arrestuar një person pasi kishte sulmuar fizikisht një tjetër mashkull kosovar duke e goditur me thikë, dhe viktima pësoi lëndime të rënda trupore, duke u dërguar për trajtim mjekësor. I dyshuari u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit, njofton policia.
Gjithashtu, sipas policisë në burrë është arrestuar pasi kanosi një zyrtar policor gjatë kontrollimit të një veture me targa të Shqipërisë në Prishtinë.
Një tjetër i dyshuar u arrestua pas ngacmimit dhe rrezikimit të një personi me motoçikletë, ndërsa në Drenas një burrë dyshohet se u vet-plagos me armë zjarri, dhe policia konfiskoi pistoletë, pesë fishkë dhe një gëzhojë.
Në Prishtinë, gjatë kontrollit të një automjeti, një person u arrestua pasi iu gjetën 7 gramë kokainë. Ndërkohë, në Llapnasellë të Graçanicës një burrë ndërroi jetë si pasojë e rrëzimit aksidental në vendin e punës.
Policia njofton se në Prugovc, dy të mitur u arrestuan pasi kanosën një person dhe iu gjetën katër thika dhe një maskë.
Raportohet se gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe disa aksidente trafiku me fatalitet dhe me lëndime trupore, duke përfshirë një aksident në Loxhë, ku një grua ndërroi jetë si pasojë e përplasjes midis dy automjeteve.
Policia njofton gjithashtu për raste të dhunës në familje në Gjakovë, arrestime për vjedhje të rëndë në Prishtinë, kanosje ndaj zyrtarëve policorë në Mitrovicë, si dhe bastisje dhe konfiskim të pajisjeve të përdorura për skema piramidale në Rahovec.
Policia e Kosovës thekson se po vazhdon hetimet për të gjitha rastet dhe bën thirrje për respektim të ligjit, rritje të kujdesit në trafikun rrugor dhe bashkëpunim me autoritetet për parandalimin e veprave kriminale.