Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me dy vjet burgim të pandehurin V.H., pasi si përgjegjës i një kompanie kishte mashtruar një person lidhur me një grant bujqësor.
V.H. ishte person përgjegjës i personit juridik “E.D&C”. Ai dhe kompania akuzoheshin se në vitin 2019 e kishin mashtruar viktimën R.H., duke i premtuar se do të fitonte një grant bujqësor (traktor) në vlerë 25 mijë euro, nëse i depononte te ky biznes 4,280 euro.
Pas kësaj, atij i ishin kërkuar edhe 800 euro shtesë në emër të planit të biznesit.
Më pas, V.H. dhe kompania nuk i kishin lajmëruar viktimën, as nuk ia kishin kthyer mjetet dhe ai nuk kishte marrë grantin e premtuar.
Gjykata e ka dënuar kompaninë me 6,000 euro gjobë, ndërsa V.H., si person përgjegjës, me dy vjet burgim dhe 2,000 euro gjobë.
Në njoftim theksohet se me aktvendim të veçantë, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.