Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton se ka kërkuar paraburgim ndaj pesë të pandehurve me inicialet E.B., A.B., N.H., J.M. dhe Z.P., për veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, sipas nenit 294 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, nga një kohë e pacaktuar deri më 12 mars 2026, në lokalin afarist të E.B. në Malishevë, i pandehuri E.B., në bashkëpunim me të tjerët, ka organizuar dhe marrë pjesë në lojëra të fatit të ndaluara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.
Gjatë kontrollit policor, të pandehurit tentuan të arratisen duke kërcyer nga dritaret, por u ndaluan nga policia. Në lokal u sekuestruan pesë aparate lojërash të fatit, ndërsa në aparatin nr. 3 (Kajot) u gjetën 20 €, në aparatin nr. 4 (Apex) 150 €, dhe në aparatin nr. 5 (Kajot) 70 €. Po ashtu, në çantën e pronarit E.B. u gjetën 2,000 €, gjithsej të sekuestruara nga policia.
Të pandehurit aktualisht gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë, për të siguruar prezencën e tyre gjatë hetimeve dhe për të parandaluar rrezikun e arratisjes ose pengimit të procedurës.