Më zgjo nga Ferri i Dantes

Kultura

Më zgjo nga Ferri i Dantes

Nga: Agim Desku Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 15:50
Agim Desku

Mbaje guximin se ke fatin e hyjnive

Nesër perënditë do të gjunjëzohen

Para teje dhe tokës që kurrë nuk na bashkuan

Vallë kemi lindur të ndarë apo na ndanë djajtë.

 

Kemi mbijetue vetëm duke pasur dorën e nënës Tereze

Nuk kemi harrue të lutëm në gjuhën e zotit e të shqipeve

Me ballin lart dhe bukurinë e zanave përherë në fytyrat tona

Cila është dhembja që peshon një shekull më shumë se burgu yt Seferina.

 

Me trëndafilat u ndamë në rrugën që për mua s´ka fund nëse ti dhemb

Nuk e kemi pasur në natyrën e hyjnive as të traditës sonë

Të ju lamë nën mëshirën e fatit të pafat dhe duarve të krisura kriminale

O zot bëhu vetëm sonte me ne e për Seferina Seranin dhe lutjet e njëmijë poeteve.

 

Të njerëzve të mirë dhe  atyre që për dritë të jetës ende kanë ferrin e Dantes

Jeto ose vdis si heroinë ,si Shota e Azemit,si Marije Shllaku,a si Doruntinë

Por nëse duhet vdekur ,vdeksha unë për ty e ti Seferina jeto e lirë

Duhet të jetosh për Ditën e Alfabetit të Manastirit ku fëmijët e Malësisë të presin.

Vdekjen secili ta kemi borxh ashtu siç ja kemi atdheut të ndarë

Edhe lirinë ta kemi për ta dhënë ose asnjë nuk do të kemi liri

Sonte dua ta zgjoj zotin tim që t´i them se Parisi qenka vet ferri i jetës

Që mbanë në pranga një fëmijë të perëndisë a nuse të malësisë.

 

Zgjohu zoti im shikoje Kullen e Ejfelit ,se as ditë e as natë nuk bën më dritë

Nëse zgjohem unë kam frikë se do t´i zgjoi vullkanet e Etnes

Me to ndoshta do të përmbyset një ditë bota e djajve

Dhe njeriu i varfër vallë a do të jetoj i lirë si dielli që ngroh njëjtë.

Më zgjo nga ferri i Dantes zoti im, nëse nuk do të rebelohem e ta përmbys botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat