Edhe shpirti i nënshtrohet proceseve

Kultura

Edhe shpirti i nënshtrohet proceseve

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 16:55
Engjëll I. Berisha

Ndue Kajtazi, Frati shqiptarë, vjen para publikut me tri libra të konceptuara e të redaktuara për mrekulli nga studiuesi dhe krijuesi, Anton Nikë Berisha. Botimi tejet solid del në dritë nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë dhe Kuvendi Françeskan në Gjakovë, 2020, me titujt: “Ai vetë është drita, përsiatje pëshpirtshmerie” I. “Çështje të identitetit të krishterë” II. “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi” III.

Morali në relacion me besimin!

Sa herë i ofrohemi burimeve intime të cilat e konceptojnë moralin në relacione me besimin në shpirt, shohim një përfytyrim në mes realitetit botëror dhe krizave që na qasen pas. Të besosh është edukim që marrim dhe pastaj e përpunojmë sipas situatave që bimë në to, si veprim parcial, e duke u pjekur me atë besim edhe e rrisim, forcohemi dhe bëhemi edhe mësues të mirë të këshillave. Kur ke marrë një këshillë të mirë, ke një petk në trupin tënd që quhet dashuri. Në mos tjetër, të paktën dashuria nuk i lë vend frikës.

Mësuesi i mirë! Në kohën kur shumëçka është në kundërthënie me njëra tjetrën, edhe shpirti i nënshtrohet proceseve, ideve universale dhe tipareve heterogjene nga ana tjetër. Psikologjia po i shikon si kriza të progresit mendor, pasi që njeriu e ka konsumuar së tepërmi qenien e vetë. Jo vetëm se teknologjia e ka pushtuar botën, por humanizmi ka rënie pas tendencës kur njeriu do me çdo kusht të ngritët në perëndi. në rrethana tjera kjo njihet edhe si hajdutëri, sikur provojmë të vjedhim diçka. Edhe fara e mirë shkundet kur bota lëkundet. Këtë na e mëson liturgjia, psikologjia nga filozofia e jetës, se ne i nënshtrohemi ndryshimit deshëm apo nuk deshëm, jemi të shkatërrushëm fizikisht.

Krijime dhe rrëfime

Që të tri librat, krijime, rrëfenja, qasje nga e përditshmja dhe intervista, paraqesin karaktere njerëzish, secili për kohën e vetë, me historinë e parimeve morale, duke na bindur se njerëzit janë ata që e gjejnë mënyrën për ta jetuar moralshëm, pasi ta kenë përkufizuar nga proceset materiale. Po ashtu, rrëfenjat janë çastet intime të meditimit të fratit, që reflektojnë e bëhen të pushtetshme për publikun, sa një uratë e mësuar përmendësh prej kohësh. Kur e themi kështu, nuk do të lejoja të kapem mat nga lexuesi, gjë që do ta pasqyrojë. Krejt çka themi me zë, nga mënyra se si e tregojmë, bëhet edhe më e besueshme. Fjala ka shpirt, e shpirti i fjalës ngjiz në ne besimin, kur, ku dhe si e themi. Njeriu provon të jetojë ashtu sikur është, sepse ka frikë nga e panjohura. Derisa në një kohë, Frojdi ndriçonte nënvetëdijen e njeriut, sikur i zgjonte njerëzit nga fjetja e tepërt, Atë Ndue Kajtazi, i kompozon momentet për secilin, ta vret frikën, e ta mbjellë besimin, me vizion ta duash jetën. E ka këtë fuqi, prej Zotit e prej edukimit të tij nga pema e mirë. Kur folëm për kolapsin e humanizmit, kishim për qëllim shtegun e udhëkryqeve që gjendemi shpesh. Ky njeri hap shtigje, me predikimin, me uratën, me rrëfimin, me këshillën me peshë të fjalës. Zoti nuk është frika, sikur mëtojnë ta shpjegojnë disa njerëz.

Tri libra, me shumë dimensione

Libri i parë paraqet përsiatje e përshpirtshmërie, cituar nga Bibla, me veçanti psalmet që i këndojnë jetës, e të cilat frati i këndon çdo ditë. Kjo është veçantia e fuqisë së fjalës, me të cilën ai jeton e që i zbërthen për ne duke i rikrijuar në adaptim të kapshëm.

Pjesa e dytë e këtij librit të parë, me meditime poetike “Net të mugëta”, paraqet para lexuesit krijimet e tija. Pastaj pjesa e tretë e librit vazhdon me rrëfenjat poetike, psalmet e autorit, kompozojnë për çastet tona. Kompozitë plot shpresë e dashuri. Dikush lind nga natyra për ta qetësuar bishën, për ta shpartalluar turmën. Përderisa libri mbyllet me “Portrete”, përkushtime dhe meditime me personalitete prej Gjeçovit e deri te mësuesi i autorit, shkrimtari zymjanë Nikollë Kërhanaj, që u nda i fundit nga kjo jetë.

Libri i Dytë, “Çështje të identitetit të krishterë”, kapë vështrime sikur e quan ai, “ një përgjigje, dhe një definim në Shkrimin e Shenjtë”. Sikur thotë redaktori i librit Anton Nikë Berisha, po parafrazojë, - besimi në Krishtin e në Hyjin, ndërlidhet me traditën tonë të pasur që zë fill nga Pasthënia e Gjon Buzukut, pastaj me Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin, e tutje. Libri i dytë, jep pasqyrë historike të disa ngjarjeve me rëndësi në traditën e kishës në Zymë, pastaj në Kuvendin Françeskan në Gjakovë dhe në filialat e saj. Këto shënime dokumentojnë më së miri komunikimin e kishës me komunitetin kurdoherë. Si dhe intervista që janë bërë në kohë të ndryshme me Atë Ndue Kajtazin. Në vitin 1998, kur kisha serbe propagandonte se Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë, Atë Ndue Kajtazi, personalisht mua më dha një intervistë, ku tha botërisht se “ Kosova është e shenjtë, jo për serbët, po për shqiptarët”. Si dhe: Është e shqiptarëve se, shqiptarët janë rrënja dhe trungu i këtij trualli ilir. Stërgjyshërit tanë na e lanë amanet. E, nëse ndonjë vend është i shenjtë për serbët, le ta kërkojnë nëpër bjeshkët e Karpateve, e jo këtu në zemër të Ilirisë. Është kontradiktore ajo çka thonë me atë çka bëjnë serbët. Është e pamundur ta mbrosh shenjtërinë duke vrarë të pafajshëm, fëmijë e pleq.

Libri i Tretë, përmban shembuj dhe personazhe plot me besim në vete. Si bari i mirë, Frati shqiptarë, gjen metoda si të nxjerrim ide të reja, prej atyre që përfaqësojnë. Shihet qartë se autori, Françeskani nga Zymi, dëshiron të jetë i hapur para shërbimeve inteligjente, i ekuilibruar dhe me të tjerët, sikur para Zotit.

Shënim: Atë Ndue Kajtazi, françeskan, është i lindur në Zym të Hasit. Mbaroi për liturgji, prift katolik, ndërsa veshi petkun e françeskanëve, që tek ne petku me litarë të ngjeshur identifikohet me Gjergj Fishtën, Shtjefen Gjeçovin, Luigj Palajn, Anton Harapin, Zef Pëllumbin, e shumë figura françeskane dhe të tjera, prej të cilëve edhe shkruhet sot një pjesë e ndritur e historisë kombëtare. Shërben në Gjakovë në Kuvendin Françeskanë, i vetmi me këtë rregull kishtar në Kosovë, duke e menaxhuar me shërbim dhe funksion me parime sikur e kishin të parët. Është dhe kryetar i Klubit Letrar “Shtjefen Gjeçovi” në Zym, duke e ruajtur këtë traditë për trashëgimi kombëtare, shumë e pasur me traditë të lashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat