Gjuhësia e tekstit

Kultura

Gjuhësia e tekstit

Nga: Zymer Mehani Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 08:14
Zymer Mehani

1. Hyrje

Në ligjërimin e përditshëm me gojë ose me shkrim, rrallë komunikojmë me fjali  të veçuara. Zakonisht, mesazhet tona përmbajnë një varg fjalish ose periudhash të strukturuara sipas rregullave të caktuara gjuhësore dhe logjike. Për këtë në gjuhësinë e sotme flitet edhe për një njësi gjuhësore që qëndron mbi  fjalinë. Kjo njësi është teksti, që nga madhësia mund të jetë një paragraf ose edhe në vepër e tërë. Studimi i lidhjeve sintaksore dhe kuptimore midis fjalive dhe periudhave të një  teksti ka çuar në lindjen e nje disiplinë të re, që quhet gjuhësi e tekstit.‘’Gjuhësia e tekstit hulumton ndërtimin e tekstit si rezultat i parimeve semantike, stilistike dhe pragmatike.’’

1.1 Lindja dhe zhvillimi i gjuhësisë së tekstit

Gjuhësia e tekstit është një disiplinë relativisht e re e gjuhësisë. Ndonëse elemente të gjuhësisë së tekstit shkojnë deri në retorikën antike, që nga Greqia dhe Roma e Lashtë, në Mesjetë e deri më sot, diskutimi modern për këtë disiplinë i përket shekullit XX. Gjuhësia e tekstit ka një histori të shkurtër, për sa u përket modeleve gjuhësore.
Ashtu siç shprehen në vitin 1997, Antos/Tietz që prej 25 vjetësh, gjuhësia e tekstit u përket nëndisiplinave gjuhësore. Gjatë kësaj kohe, ajo ka marrë në një formë të re tradita të vjetra dhe i ka çuar më tej (p.sh. teoria e gjinisë, retorika, stilistika, argumentimi dhe narracioni). Dhe Teun van Dijk-u thekson se gjuhësia e tekstit është zhvilluar si një disiplinë ndërdisiplinore e shkencave të veçanta si poetika, retorika, psikologjia, pedagogjia, teologjia, historia dhe jurisprudenca. Në të gjitha këto fusha, studiohen tekstet nga këndvështrime të ndryshme dhe me qëllime të ndryshme. Në teologji studiohen tekstet fetare, në jurisprudencë studiohen kuptimet e teksteve ligjore dhe përdorimi i tyre, në histori bëhen përpjekje për ndërtimin e teksteve konstante historike dhe variacioneve të llojeve të tekstit. Ndërsa psikologjia kognitive studion aftësinë mendore të njerëzve, nga ana teorike dhe empirike-eksperimentale, shkenca e letërsisë merret vetëm me analizën e teksteve dhe gjuhësia me analizën e teksteve dhe sistemeve të gjuhës.
Përpjekje për karakterizimin e dukurive të tekstit ka pasur shumë kohë para lindjes së një shkence për tekstin. Një linjë e rëndësishme e traditës së gjuhësisë së tekstit shkon deri në retorikën e antikitetit grek.Sipas Kirsten Adamzik-ut, retorika ka një lidhje të ngushtë veçanërisht me qasjen komunikative-pragmatike të gjuhësisë së tekstit, pasi interesimi për të folurit është një rizbulim i qasjeve të retorikës, e cila shihej si një ars bene dicendi, pra si një teori dhe praktikë e të mësuarit të komunikimit të efektshëm.
‘’Me interes të veçantë për gjuhësinë e tekstit janë pesë fazat e përpunimit të materialit/të temave, të cilave iu referohen në trajtimet e reja për tekstin.
Fazat e përpunimit të temave janë:
1.Inventio- gjetja e mendimeve të përshtatshme për temën;
2.Dispositio-renditja e ideve dhe ndarja logjike e fjalës në paragrafë, ku duhet të përdoren mjete të ndryshme;
3.Elocutio-shprehja gjuhësore që iu përputhet mendimeve të gjetura në inventio;
4.Memoriatio- të mësuarit përmendsh të fjalimit;
5.Actio et pronuntiatio-deklamimi i fjalimit me gjeste shoqëruese dhe normat përkatëse. ‘’

1.2 Zhvillimi i gjuhësisë së tekstit në hapësirën shqipfolëse

Në hapësirën shqipfolëse, studimet në gjuhësinë e tekstit kanë filluar në fund të viteve ’90. Botimet e para në këtë fushë të re për gjuhësinë shqiptare, kanë qenë ashtu sikurse dhe pritet, në kuadrin e paraqitjes së kësaj disipline përpara studiuesve shqiptarë.‘’E futur rishtazi në kurrikulën e studimeve universitare, dhe botimi i parë në këtë fushë mund të konsiderohet “Gjuhësi teksti”, botim i vitit 1999, me dy bashkautorë: Klodeta Dibra dhe Nonda Varfi. Vetë specifika e këtij botimi, i konceptuar nga autorët “në përputhje me programin e kësaj lënde në universitet” për t’u shërbyer “studentëve dhe specialistëve të gjuhës” ka përcaktuar dhe strukturën e këtij teksti, si një tekst hyrës në këtë disiplinë gjuhësore.’’  Autorët kanë bërë një paraqitje kronologjike të kuadrit historik të lindjes së gjuhësisë, duke i dhënë një vend të veçantë trajtimit të konceptit ‘tekst’, për të cilin, ndër qasjet e ndryshme dhe përkufizimet e ndryshme të konceptit tekst,ata janë ndikuar kryesisht nga autorët francezë. Ndërsa në trajtimin e kategorive të ndryshme në lidhje me tekstin, një vend të veçantë autorët i kanë kushtuar qasjes procedurale të De Beaugrande/Dressler-it dhe progresionit tematik. Duhet thënë se duke qenë një libër i bazuar kryesisht në trajtimin e dukurive gjuhësore brenda tekstit, në gjuhë të tjera, autorët janë përpjekur të japin përkatësitë e tyre në gjuhën shqipe, pa hyrë në analiza më të thella, për të përcaktuar nëse dhe në gjuhën shqipe këto elemente kanë të njëjtat funksione, si në gjuhët e tjera. Ndarja tipologjike e teksteve dhe karakteristikat e tyre, e bazuar në shembuj të shqipes, është një pjesë e rëndësishme e këtij teksti universitar.
‘’Një botim i dytë, i vitit 2004, është tekstii botuar në Prishtinë, nga studiuesi Hasan Mujaj, me titull “Gjuhësia e tekstit”, një tekst ky i ndikuar kryesisht nga autorët gjermanë, dhe i fokusuar në marrëdhëniet e gjuhësisë së tekstit me disiplinat jashtëgjuhësore, të cilat janë konsideruar mëse të nevojshme për të parë funksionin e
gjerë të gjuhës. ‘’
Nën ndikimin e autorëve gjermanë të gjuhësisë së tekstit, vjen në vitin 2005 dhe botimi i Arbër Çelikut “Koherenca tekstore-hyrje në konceptet bazë të gjuhësisë së tekstit nëpërmjet një qasjeje krahasuese të shqipes me gjermanishten”. Ky libër është konsideruar “një libër i rëndësishëm sepse jep një paraqitje të vlefshme, jo vetëm për studentët, por edhe për një kategori më të specializuar lexuesish si: asistentë e pedagogë, si dhe specialistë të gjuhës shqipe e të gjuhëve të huaja” .  Ashtu si dhe në tekstet e mëparshme, autori ka dhënë një paraqitje të drejtimeve dhe qasjeve kryesore të gjuhësisë së tekstit, koncepteve bazë të koherencës dhe kohezionit, si dhe ka bërë një përpjekje për të dhënë në plan krahasues mjetet e ndërtimit të tekstit në shqip dhe në gjermanisht. Si një risi e këtij teksti është dhe një shtojcë me një listë të lidhëzorëve të tekstit në qasje krahasimtare shqip-gjermanisht, sigurisht pa i analizuar në mënyrë më të plotë.
‘’Botimi i vitit 2011, “Gjuhësi teksti”, i Tefë Topallit, që sikurse e konsideron vetë autori mund të konsiderohet si “libri i katërt në literaturën tonë gjuhësore që bën objekt studimi tekstin, si kategori ligjërimore” është fokusuar kryesisht në aktin e komunikimit, në tekstet gjuhësore dhe në tipologjitë e teksteve, duke i dhënë një vend të veçantë analizës së tekstit narrativ dhe atij poetik.’’
Studime të tjera në gjuhësinë e tekstit janë kryesisht në nivelin përqasës-krahasues, të mjeteve që ndërtojnë tekstin në gjuhë të tjera dhe në gjuhën shqipe, ku elementet e shqipes janë parë kryesisht si format gjegjëse, pa qenë ato objekti kryesor i studimit.

1.3.Përfundime mbi zhvillimin e gjuhësisë së tekstit

Gjuhësia e tekstit është një disiplinë relativisht e re e gjuhësisë, e zhvilluar së pari në vitet ’60 të shekullit XX. Mund të thuhet se ajo zuri pozicionin e saj në gjuhësi, si një fushë studimi e veçantë në vitet ’70. Si pararendëse të gjuhësisë së tekstit konsiderohen retorika dhe stilistika, të dyja disiplina që kanë pasur ndikimin e tyre në
lindjen dhe zhvillimin e gjuhësisë së tekstit.
‘’Në fushën e gjuhësisë ka pasur drejtime që janë marrë me nivelin e tekstit, si glosemantika e Hjelmslev-it dhe tagmemika e Kenneth Pike-ut.
Në zhvillimin e gjuhësisë së tekstit dallohen tri faza të rëndësishme:
1) qasja transfrastike, e cila u përqendrua në mjetet gjuhësore, me anë të të cilave fjalitë krijonin rrjedhë koherente. Hierarkia e njësive të sistemit gjuhësor (fonema, morfema/fjala, fjalia) u zgjerua me njësinë tekst. Synimi i studimeve në këtë periudhë
është që të përcaktonin kushtet dhe rregullat për ndërtimin e tekstit.
2) qasja komunikative-pragmatike, në të cilën teksti nuk u pa më si një renditje fjalish të përbëra nga njësi gjuhësore të vogla, por si një tërësi që luan një funksion të caktuar komunikativ. Nën ndikimin e drejtimit pragmatik, në fillim të viteve ’70, gjuhësia e tekstit u largua nga përpjekjet për përshkrimin e strukturës së brendshme të teksteve, dhe u përpoq ta shihte tekstin në procesin dhe situatën komunikuese. Analiza e funksioneve komunikuese u realizua brenda teorisë së Aktit të të Folurit të Austin-it dhe Searle-it, ku teksti nuk u pa më si fjali të lidhura nga ana gramatikore, por si veprim gjuhësor, me anë të të cilit folësi ose shkruesi përpiqet të ndërtojë një marrëdhënie komunikuese me dëgjuesin ose lexuesin. Në këtë mënyrë, gjuhësia e tekstit e orientuar nga komunikimi u mor me qëllimet të cilave u shërbejnë tekstet në komunikim, duke analizuar në këtë mënyrë, funksionin komunikues të teksteve.
3) qasja kognitive-studimet në shkencat kognitive, ndikuan dhe në studimet për gjuhësinë e tekstit, të cilat filluan të fokusoheshin në proceset kognitive të përpunimit të njohurive, të prodhimit dhe të marrjes së tekstit. Ky orientim i gjuhësisë së tekstit u konsiderua si “ndryshimi kognitiv” .
Gjuhësia e tekstit është parë nga njëra anë si një nëndisiplinë gjuhësore brenda gjuhësisë, dhe nga tjetër si një qasje më e gjerë, e cila është përpjekur të trajtojë dhe të
zgjidhë të gjitha problemet e gjuhësisë që kanë të bëjnë me tekstin.
Gjuhësia e tekstit është zgjeruar si një fushë studimi ndërdisiplinore, ku janë integruar rezultatet e studimeve në fusha të tjera si ato të teorisë së veprimit apo të shkencave kognitive, për ta studiuar tekstin jo thjesht si produkt, por dhe për të kuptuar procesit e prodhimit dhe të përpunimit të tij. Po ashtu, studimet e bëra në gjuhësinë e tekstit janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren në disiplina të tjera si në didaktikë, në mësimdhënien e gjuhëve të huaja, në analizën e teksteve mediatike etj.
Ashtu sikurse, u theksua më lart, gjuhësia e tekstit merret me aspektet e ndryshme të ndërtimit strukturor dhe funksional të tekstit,me klasifikimin e teksteve, etj, por për këto kategori të gjuhësisë së tekstit, autorët kryesorë të kësaj fushe kanë sjellë përkufizime specifike, shpesh të ndryshme nga njëri-tjetri. Madje dhe për objektin bazë të studimit të gjuhësisë së tekstit, vetë tekstin, ka një sërë përkufizimesh dhe qasjesh, të cilat do të trajtohen më hollësisht në vijim.

1.4. Koncepti tekst

Pavarësisht nga qasjet e ndryshme, në qendër të studimeve për gjuhësinë e tekstit mbetet teksti.‘’Fjala tekst vjen nga latinishtja textus ose textum“i thurur”. Në këtë kuptim teksti është një lloj i thurjes, d.m.th.stili i thurur në një tekst. Sipas Scherner-it termi tekst tek autorët klasikë është përdorur rrallë, dhe më shumë në kuptim metaforik. Në Mesjetë përdoret për herë të parë termi “tekst” për mjetin, pra për tekstin e shkruar, librin ose kodin.Me tekste kuptohen paragrafët e shkrimit të shenjtë.Në këtë kohë nuk ka ndonjë reflektim gjuhësor për tekstin.
Në fillim të shekullit XX shfaqen përkufizimet për “njësitë e përbëra nga pjesët”.
Fillimisht Sosyri që e konsideron “langazh” si njësi prej “langue” dhe “parole”.
Interesi i Sosyrit është shumë i rëndësishëm për marrëdhënien mes shenjës dhe objektit, kategorive të gjuhës dhe renditjes si dhe organizimit të tyre të brendshëm, para së gjithash vendosjes së një metodike tëqartë dhe një prioriteti logjik të gjuhësisë së “langue”. Përcaktimi i konceptit “tekst” ka qenë objekt i shumë diskutimeve të cilat gjithsesi nuk kanë çuar në një koncept të përgjithshëm dhe të pranuar gjerësisht.‘’Duke iu referuar një parimi të vjetër skolastik që thotë  “atje ku ka mospërputhje konceptesh, duhet të gjenden dallimet”, Coseriu/Albrecht thonë  “nuk ka asnjë fushë tjetër kaq të pasur dhe të vështirë për konceptet sa gjuhësia e tekstit”.  Në studimet për gjuhësinë e tekstit ka përkufizime të ndryshme për tekstin. Teksti trajtohet nga këndvështrime të ndryshme, si i shkruar apo i folur, i përbërë nga një ose më shumë fjali, si monolog apo dialog, gjuhësisht i pastër apo i përzier me forma të tjera të komunikimit.’’
Ashtu sikurse u pa, drejtimi i parë i gjuhësisë së tekstit u zhvillua në sfondin e gjuhësisë strukturaliste dhe asaj gjenerative, ku brenda tyre njësia më e lartë gjuhësore konsiderohej “fjalia“. Me gjithë kritikën që erdhi në fillim të viteve ‘60 për kufizimin në fushën e fjalisë, nuk pati ndryshime të bazave teorike gjuhësore.Hierarkia e sistemit gjuhësor të deriatëhershëm (fonema, morfema/fjala, gjymtyrët e fjalisë, fjalia) u zgjerua me njësinë tekst.
Në kuadrin e një postulati të zgjerimit të kufijve përtej fjalisë, tekstet u panë si njësi përtej frazës, përkatësisht fjalisë. “Teksti“ u përkufizua si një renditje koherente fjalish. Koncepti bazë i koherencës së tekstit u pa thjesht nga ana gramatikore.
‘’Sipas Heinz Vater-it “qasja transfrastike niset nga fakti që tekstet janë njësi strukturore të të njëjtit lloj si fjalia, por më të gjera. Prandaj tekstet mund të përshkruhen me anë të instrumenteve të gjuhësisë strukturaliste dhe më vonë të asaj gjenerativo-transformacionale” . I konceptuar në këtë mënyrë, ndërtimi i tekstit shihej si i realizuar me anë të rregullave të gjuhës, por synimi ishte të gjendeshin parimet strukturore mbi të cilat ndërtohet teksti.
Një nga përkufizimet e para për tekstin, në fazën e tranzicionit nga gjuhësia e fjalisë drejt gjuhësisë së tekstit, u dha nga Koch-u: “Çdo sekuencë fjalish të rregulluara nga ana kohore ose hapësinore, në mënyrë të tillë që të sugjerojë një tërësi do të konsiderohet tekst”. Në këtë mënyrë Koch-u, e konsideron tekstin si term të mbivendosur.
‘’Harweg-ue sheh tekstin si “një zinxhir të pandërprerë përemëror të ndërtuar nga njësi gjuhësore të njëpasnjëshme”. Kjo qasje transfrastike e ka zanafillën tek ideja se tekstet janë njësi strukturore në kuptimin e fjalive, vetëm se janë më të gjera. Në lidhje me këtë përkufizim për tekstin, vetë Harweg-u do të thoshte më vonë: “Në librin tim “Përemri dhe ndërtimi i tekstit” e kam përkufizuar konceptin “tekst” si “një zinxhir të pandërprerë përemëror ose sintagmatik, më saktë: zëvendësimi dydimensional i njësive gjuhësore të ndërtuara njëra pas tjetrës”, ku njësi të tilla gjuhësore të lidhura pas njëra-tjetrës janë të specifikuara si fjali-më saktë: si fjali gramatikore, d.m.th. fjali të pranuara nga ana gramatikore”. Harweg-u bëri dallimin mes dy formave të konceptit tekst-asaj të orientuar nga performanca dhe formës së orientuar nga kompetenca. Sipas Harweg-ut“ koncepti ynë për tekstin kërkon një zinxhir të pandërprerë përemëror.
Një ndërprerje e këtij zinxhiri do të shënonte kufijtë, d.m.th. fillimin dhe fundin e një teksti specifik“. Harweg-u pranon se ka dhe tekste të caktuara ku parimi i ndërtimit të tekstit nga rrjeta përemërore nuk përmbushet, si në rastet e aforizmave të përbëra nga një fjali.‘’
Ky përkufizim është kritikuar shumë ndërkohë. Nga njëra anë, zinxhiri i pandërprerë përemëror është konsideruar si një kusht shumë i fortë, sepse ka dhe tekste, që nuk e plotësojnë këtë kusht, dhe nga ana tjetër i dobët sepse plotësimi i këtij kushti si mjet i ndërtimit të teksteve nuk mjafton.
Një autor i rëndësishëm i gjuhësisë së tekstit, Hartmann-i paraqet tezën e mëposhtme: “Teksti si formë e manifestimit të gjuhës” ndërton shenjën origjinare gjuhësore”. Hartmann-ie konsideron tekstin si “shenjë origjinare gjuhësore” dhe si “një zinxhir i pandërprerë emëror, i ndërtuar nga njësi gjuhësore të njëpasnjëshme”.  Hartmann-i thotë: “teksti, i konceptuar si mundësia bazë e shfaqjes së gjuhës në një formë të manifestuar, [...]ndërton njësinë gjuhësore origjinare. Prej andej mund të ndërtohet çdo përbërës material prej çdo bartësi shenje të mundshme gjuhësore.” Sipas Gansel/Jürgens-it, kjo tezë përmban aspekt të rëndësishëm: konceptin “origjinar”,që nënkupton se gjuha ndodh në parim në formën e teksteve, ose e thënë ndryshe një tekst është ndërtesa gjuhësore, pra, ajo çfarë kryhet në një akt performance (ose dhe një radhë aktesh performance), d.m.th. gjithçka çfarë thotë ose shkruan dikush.’’

LITERATURA:
• Mujaj, Hasan, Gjuhësia e tekstit, Faik Konica, Prishtinë, 2004;
• Mëniku, Linda. Doc, Konektorët e tekstit në gjuhën shqipe (punim doktorature), Tiranë, 2013
• ASHSH e RSSH. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. Tiranë, 2006.
• ASHSH. Gramatika e gjuhës shqipe 1. Tiranë, 2002.
• ASHSH. Gramatika e gjuhës shqipe 2. Tiranë, 2002.
• Belluscio, Giovanni; Rrokaj, Shezai. Fjalor krahasues i termave të gjuhësisë. Arbëria, Tiranë, 2011.
• Çeliku, Arbër. Koherenca tekstore. Hyrje në konceptet bazë të gjuhësisë së tekstit nëpërmjet një qasjeje krahasuese të shqipes me gjermanishten. Asdreni, Shkup, 2005.
• Mëniku, Linda. Çështje të konektorëve të teksti”. Studime Albanologjike, 1998, Nr.2.
• Topalli, Tefë. Gjuhësi teksti. Shkodër, 2011.

• Thomai, Jani. Teksti dhe gjuha.SHBLU, Tiranë, 1992.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat