“Betimi i virusit”

Kultura

“Betimi i virusit”

Nga: Genc Drini Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 06:13
Genc Drini

Në emisionin e Xhaxhiut, të orës 18, në Fax News, që po shoh tani, datë 7 dhjetor, më bën përshtypje titulli:”Covid “19 Pabesia e një virusi”. Sido që në thonjëza, përsëri nuk përtypet. Nuk është dëgjuar që viruset, virusi Covid 19, të ketë marrë  një zotim kundrejt njerëzve sesi do sillet me ta, dhe nuk po e mban.

Por ka një përbetim solemn në mes njerëzish, në mes shqiptarësh të forcave të ndryshme politike, të bërë në shtatorin e v. 1942, në Konferencën e Pezës,

Nën formulën, “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”, të gjithë do bashkoheshin në Frontin Nacional Çlirimtar, që u krijua aty, për luftë kundër armikut, dhe Pas lufte do zhvilloheshin Zgjedhje të lira demokratike.

Vetëm komunistët partizanë “e mbajtën solemnisht betimin”, u vërsulën, si gjatë, edhe pas luftës kundër shqiptarëve dhe i Vranë pa dallim feje, krahine dhe ideje”. E rroposën ndërgjegjen kombëtare shqiptare, dhe shqiptarët i zhytën në honin më të thellë, nga i cili ende pas rreth 80 vjetësh, rropaten e rropaten e nuk po dalin dot.

E megjithatë, edhe sot Virusi partizano-komunist, diktatorial, mburret për krimet dhe shkatërrimet “mahnitëse” që u ka shkaktuar shqiptarëve gjatë luftës, dhe pas luftës.

Lufta Nacional Çlirimtare u zhvillua kundër armikut?  Po, por as sot nuk duket kund në historiografi dhe politikë një ndarje e luftës kundër armikut, nga lufta vëllavrasëse civile,  dhe krimet dhjetëra vjeçare që komunistët bënë kundër shqiptarëve. Asnjë vrarje ndërgjegjeje për këto krime , as prej personazheve direkt, dhe as prej pasardhësve të tyre që sot po sundojnë vendin. Madje sot, zëdhënësit, historianët e komunizmit bërtasin: “Mos e prekni luftën nac.çlirimtare”, dhe klon parlamenti kalon një ligj parlamentar që ndalon deri studimin e arshivave për krimet gjatë Luftës Nacional Çlirimtare të bëra nga paraardhësit e tyre.

Me këtë vendim pasardhësit vërtetojnë se edhe ata vetë janë virus klone komuniste me potencë rrënuese edhe në këtë periudhë sistemi kapitalist.

Një luftë  e lavdishme, do duhet të shpalosej në çdo detaj, po duke mos lejuar hulumtimin, cilës frikë i fshihen? Frikës se mos i hiqen dhe më petët lakrorit ku brenda içit do duken edhe më qartë duart e serbëve dhe të komunistëve shqiptarë në një cikël krimesh të pa fund mbi shqiptarët. Duar që kriminale zgjaten deri në ditët tona? Edhe në Kosovë u bë një luftë çlirimtare, arshivat nuk u mbyllën..

Për Covid-19, nga studimet këmbëngulëse dhe të pa censuruara ,u gjet një vaksinë. Me censurim të historisë, si do arrihet të prodhohet një vaksinë për shpëtimin e shqiptarëve nga virusi shkatërrues që ende sillet mes tyre i futur në Konferencës e Pezës nga partizan-komunistët e Shqipërisë të lidhur me sllavët?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat