Letërsia në Kosovë

Kultura

Letërsia në Kosovë

Nga: Jusuf Buxhovi Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 20:01
Jusuf Buxhovi

Gjendja e letërsisë në Kosovë sot më së miri pasqyrohet në rrafshin tematik, atë të krizës së ndryshimit të gjeneratave si dhe mungesës së infrastrukturës së kritikës letrare dhe të studimit të saj si njëri prej kushteve që ajo të ruajë bazën vlerësuese mbi të cilën ajo qëndron në raport me kohën.

Sa i përket rrafshit tematik, mund të thuhet se proza, në saje të disa autorëve (J. Buxhovit, M. Krajës, I. Kadriut) ka ruajtur qasjen analitike dhe kritike ndaj proceseve nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë në këto njëzet vjetët e fundit. Këta shkrimtarë, si pjesë e brezit të artë të prozatorëve të viteve të shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta të shekullit të kaluar (A. Pashku, T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramadani) që i vunë themelet modernitetit, në disa nga veprat e tyre (M. Kraja me romanin “Prishtina”, J. Buxhovi me “Trilogjinë e Bllacës”, “Dosja B” dhe “Dushkaja”), trajtuan tranzicionin në një frymë kritike, duke u përqendruar të dramat e brendshme shoqërore. Por, kjo nuk ndodhi në poezi e as në dramën. Mungesa e poetëve të rëndësishëm (A. Shkrelit, Rr. Dedaj, A. Podrimjes e të tjerëve nga ky brez), jo vetëm që poezinë e la pa muzat e saj, por sikur ndërpreu vazhdimësinë e saj. Ndonjë poet i ri, nuk është në gjendje të plotësojë këtë zbarzësirë. Ngjashëm po ndodh edhe me dramën. Dramat e Teki Dërvishit (“Bregu i pikëllimit” dhe të tjera) si dhe ato të Ymer Shkrelit (“Trilogjia ilire”) kanë mbetur të vetmuara! Pra, hiq prozën, ku disa autorë të rinj premtojnë (G. Aliu, A. Haxhaj, A. Apolloni), në poezi dhe dramë, letërsia jonë po ballafaqohet me krizën e ndërrimit të gjeneratave, që është më se e domosdoshme.

Krahas mungesës së vazhdimësisë midis brezave ku autorët e rinj marrin stafetën krijuese nga paraprakët, letërsinë tonë sot e përcjell edhe mungesa e infrastrukturës së kritikës letrare si dhe vlerësimit të saj. Në të kaluarën, “Rilindja”, “Fjala” ose më vonë “Koha” kanë përcjellë krijimtarinë letrare me anën e recensionistëve, gjë që opinioni iu ka ofruar një pasqyrë kritike rreth vlerave. Në mungesë të kësaj qasje, sot ndodh që veprat që meritojnë vlerësim, sikur anashkalohen, ndërsa ato mediokre ose të “sponsorizuara” nga qarqe të ndryshme politike, lavdërohen! Inflacioni i mediokretizmit është kthyer në fenomen të manifestimeve të shumta letrare, shumë prej të cilave kanë devalvuar skajshmërisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat