Pse u asgjësua vepra e Ali Hadrit nga komunistët maqedonas?

Kultura

Pse u asgjësua vepra e Ali Hadrit nga komunistët maqedonas?

Nga: Shkëlzen Halimi Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 14:25
Shkëlzen Halimi

Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, organet e rendit të ish Jugosllavisë në përgjithësi, e organet e rendit në Republikën Socialiste të Maqedonisë në veçanti, ndërmorën një sërë masash brutale ndaj shqiptarëve, edhe atë pothuaj në të gjitha sferat e jetës së tyre.

Në vitet që pasuan shqiptarët (në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë) ishin në shënjestër të kontrollit total, sa që u krijua përshtypje se policia sekrete hetonte edhe ajrin që ata thithnin.

Me urdhër të organeve komuniste, sidomos kultura dhe arsimi (të cunguara) shqip, iu nënshtruar rishqyrtimit të plotë, duke hartuar platforma, informata e konkluzione, ashtu siç u konvenonte atyre, duke i shpallur jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithçka që mbante atributin shqiptar, si element armiqësor, nacionalist e irredentist.

Duhet thënë se, atëbotë, policia maqedonase ishte më brutale se ajo federative e serbe. Në një dokument që gjendet në Arkivin shtetëror (të Maqedonisë së Veriut) e që ka të bëjë me konkluzionet e Dhomës shoqërore-politike të Kuvendit të RS të Maqedonisë, i miratuar në mbledhjen e mbajtur më 27 maj të vitit 1981, lidhur me shqyrtimin e Raportit të punës së Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim, ndër të tjera thuhet se “Dhoma vë në dukje nevojën e rishikimit të plotë të të gjitha planeve, programeve dhe librave, përfshi edhe ato historike, nga këndvështrimi ideor dhe edukativ”, ndërkaq shkak i drejtpërdrejtë për miratimin e konkluzioneve ishte diskutimi që u zhvillua në trupat e Kuvendit të RS të Maqedonisë, në lidhje me “ngjarjet nacionaliste, irredentiste e kundërrevolucionare në KSA të Kosovës dhe në viset tjera të RSFJ”.

Në këtë mbledhje antishqiptare, siç bëhet e ditur në dokument, ndër të tjera do të bëhet fjalë edhe Dr. Ali Hadrin, përkatësisht librin e tij, “Kritikë historiografike”. Bëhej e ditur se libri ishte botuar në vitin 1973, në kuadër të botimeve të “Flakës së Vëllazërimit”.

Komunistët maqedonas kishin konstatuar se “në këtë libër autori Ali Hadri, duke i mbrojtur në tërësi qëndrimet e PKSh-së dhe të historiografisë shqiptare, bën kritikë të ashpër e joparimore ndaj historiografisë jugosllave, duke e vlerësuar atë si joshkencore dhe aspak objektive”, duke shtuar se “që para ngjarjeve nacionaliste dhe irredentiste, ky libër ka qenë lëndë e një kritike të ashpër që është publikuar edhe në shtypin ditor”.

Me këtë rast, bëhet e ditur në dokument, redaksia “Flaka e Vëllazërimit” në janar të vitit 1981 do ta tërheqë librin nga shitja dhe më vonë do të asgjësuan 390 ekzemplarët që kishin mbetur pa u shitur. Jo vetëm kaq, por përmes policisë sekrete, do të ndërmerren masa për asgjësimin e 1600 ekzemplarëve tjerë që gjendeshin nëpër biblioteka.

Pra, pothuaj 2000 ekzemplarë të librit të Hadrit, “Kritikë historiografike”, do të asgjësohen.Duke folur për Dr. Ali Hadrin, në këtë dokument vërejmë se komunistët maqedonas të asaj kohe, që kishin marrë edhe rolin e historianëve, kishin theksuar se “nëpër tubimet shkencore të historianëve jugosllavë, Dr. Ali Hadri kishte sulmuar historiografinë maqedonase si nacionaliste. Sipas tyre, “sulme të drejtpërdrejta i janë drejtuar librit “Historia e popullit maqedonas” për prezantimin aspak objektiv të së kaluarës së popullit shqiptar”, në të cilin libër shqiptarët prezantohesh edhe si “cubat shqiptarë, hajdutët shqiptarë” e ngjashëm. Kështu do të prezantohen edhe më vonë nga të njëjtit, por të maskuar me kostum demokratike, në “Enciklopedinë e Maqedonisë”, e botuar në vitin 2009.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat