“Së shpejti..”

Kultura

“Së shpejti..”

Nga: Qerim Raqi Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 16:55
Ilustrim

Së shpejti të gjitha ditët e orët

do të bëjnë vetëvrasje

dhe fëmijët e tyre – minutat,

të stërlodhur nga maratona e gjatë e vrapimit,

do të arrijnë cakun:

të hedhin këmbët

mbi pragun e motit që po vjen

dikund

njerëzit do të ngrejnë dolli

me gotat e shampanjës

me urimet më të mira

për shëndet e gëzime

do të pikturojnë me fjalë të bukura

fytyrën e panjohur të një viti që mbase nuk i do,

që mbase nuk i falë

derisa mundohen ta fshijnë

tërë fytyrën e asaj që lanë pas

të një viti plotë ankth e shqetësime

derisa fjalët e këqija dhe mëkatet e vitit paraprak

rëndojnë ndërgjegjen e tyre

gurë të rëndë në qafë

thika të mprehta

në fyt…

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat