Shpirt i ndrezur flakë...

Kultura

Shpirt i ndrezur flakë...

Nga: Vlash Prendi Më: 14 janar 2021 Në ora: 18:31
Hasan Hasani

Ndёrsa po lexoja librin më të ri të shkrimtarit dhe poetit të shquar mirditor, Hasan Hasani - Përkola, që tani jeton në Prishtinë “Mirditë e mirditorë”, botuar nga SHB “Konica” në vitin 2019, nën redaktimin e shkrimtarit të njohur Nazmi Rrahmani, me parathënie brilante dhe emocionale shkruar nga krijuesi tashmë i njohur mirditor, Llesh Ndoj, mendova tё paraqes pёr lexuesin disa opinione lidhur me vepёn nё fjalё tё shkrimtarit tё shquar, me rastin e 73 vjetorit tё lindjes.

Poeti i njohur Hasan Hasani, me veprën e tij të 74 në radhë, vjen para lexuesit me një poezi ndryshe, poezi historike, kronikë poetike e gdhendur, skalitur në kujtesën njerëzore për të mos u shuar kurrë. Autori është nga Mirdita, e njeh mirë trevën ku kanë jetuar e punuar të parët e tij, ku kanë lindur heronjtë, ku kanë mrizuar zanat, ku janë ngritur katedralet, ku ekzistojnë gurrat, kalatë, kështjellat, qytezat. Prandaj poeti shprehet lirshëm, vargjet rrjedhin vetë, sepse brenda tyre sëmbon dashuria e pakufijshme për vendlindjen, për Mirditën, për Fanin, për Domgjonin historik, trojet e Fishtës së madh, Gurrës shekullore, Munellës krenare, qytezës legjendare. Ka ardhur poeti për të vizituar këta troje, është mallëngjyer në vatrën e të parëve, lotët e kanë tradhëtuar, por ka shpërthyer në vargje aq të bukura sa vështirë të harrohen ndër mote. Kjo ka ndodhur kjo, sepse prof.Hasan Hasani është poet me eksperiencë, e kjo eksperiencë është shprehje e shpirtit artistik të tij, i shijeve të tij estetike, i kultivimit që i ka bërë ndër vite artit poetik duke e ushqyer me elementë të krijimtarisë së tij artistike. Kështu ndodh edhe në vëllimin më të fundit të poetit Hasan Hasani, i cili i kushtohet tërësisht Mirditës dhe mirditorëve, vendlindjes dhe vëllezërve të një gjaku, siç i quan ai. Libri ndahet në katër pjesë, të cilat funksionojnë të lidhura në mënyrë organike dhe artistike dhe plotësojnë njëra - tjetrën.

Që në librin e parë, sintetizohet historia,e kaluara dhe e tashmja e Mirditës, sepse ndjenjat e shqetësuara dhe mendimi artistik i poetit pasqyron sublimen përmes një ekspresioni të ngjeshur dhe të organizuara deri në përsosmëri: “…Dhe shalova kalin e erërave trup e t’thuer Mirditës, / Duke kapërcyer pellgje gjaku, ku notonin bjeshkët, kullat, / Kudo këmisha të shkyera të vdekurish në degë lisesh, / Jataganë e pushkë të ndryshkura nën rrasa e gurë, / Vajtore të veshura me rroba të zeza e lot të ngrirë në bebëza, / Re të bardha mbi Munellë, krrusur mbi supe shpellash”. Dhe kur është fjala për impulse të derdhura në formacione më gjata poetike të vjen në kujtesë eleganca e mendimit poetik të Hasan Hasanit, elegancë që e zotëron më së miri, që nga fillimet e veta poetike aty nga vitet 1967, kur ishte vetëm 20 vjec dhe nga duart e tij lindi vepra madhore “Krojet e bardha”. Prandaj ambjenti dhe peisazhi mitik i përshkruar në poezinë “Mirdita”, ngjizen në ndjenjat e poetit dhe vijnë tek lexuesi si një projeksion poetik i trazimeve shqetësuese të poetit, apo si impulse reflektive të nxitura nga historia dhe tradita e kësaj treve të njohur.

Duke shëtitur nëpër larminë tematike të poezisë së poetit Hasan Hasani – Përkola, ndalemi tek poezia “Domgjoni”, ku mendimi poetik na jep mundësinë të fantazojmë përmes fakteve historike, sepse ky fshat është vendlindja e poetit tonë kombëtar Atë Gjergj Fishta, këtu kanë lindur edhe të parët e poetit Hasani, Prend Kola. Kumti i vargjeve aq të arrira do të kalojë kufijtë e ndjeshmërisë artistike, sepse forca vitale e jashtëzakonshme e poetit e ka burimin tek traditat e forta patriotike dhe ndjenja e pashuar e dashurisë për trojet e të parëve. Ndjehet krenar poeti sepse “…Para Lterit do t’u betohemi se, / Preng Kola e Mark Paci këtu u kunguan, / Le të bindet Munella e Domgjoni, / Këtë gjak kemi,s’mund ta mohoni. Asgjë me vete Përkolë mos merr, / Veç ndoj varg për lterin, gurrën, / Zanat nga Munella i kem me vete, / Na ruajn dhe me ne ato mburren…”.Është kjo poezi që poetin e lidh me ndjenjat njerëzore,e lidh me të kaluarën,e lidh me jetën. Përshkruan poeti vendet nga kanë kaluar të parët e tij, ku kanë punuar, mrizet ku janë flladitur, si: Qyteza, Sukrrasa, Arat e gjata, Lugjet e Verdha, apo mali legjendar i Munellës, ku lindin dhe rriten shumë kujtime që gjallojnë edhe sot në Domgjon.

Domgjoni krenohet me Gurrën shekullore. Poeti i sheh dhe ndjen tërë qënien dhe historinë e saj, me shijen dhe kthjelltësinë, fshehtësinë, urtësinë, durimin dhe imazhet e çuditëshme reale. Gurra rrjedh siç rrodhi jeta e vështirë e domgjonasit. Pikërisht në këtë gurrë shekullore, kanë shuar etjen patriotë, atdhetarë, kapedanë, udhëtarë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës dhe burra të shquar të krahinës. Këtu ka shuar etjen edhe Mark Paci, Gjergj Fishta, Pren Kola. Këtu sot po shuan etjen edhe poeti ynë, madje ky uji magjik e frymëzon: “…Ku janë histoianët e kohës së vjetër që mëdyshen, / Të rrëfejnë për gurrën që mbështillet me tym? / Atëherë e sot ujin e bekuar e pijnë dallëndyshet, / Ku humbën njëmijë vjet si dy - tri ditë pa agim? Kush qenë ustallarët e parë që ndërtuan këtë mrekulli, / Këtu nën rrëzë Munelle, ku nuk flenë kurrë zanat, / Ku burrat e këtij nënqielli krenarisht ngrinin dolli…”. Me këtë gurrë të lashtë, me këtë ujë të bekuar që rrjedh pa pushim, që ndër shekuj ka shuar etjen e brezave, hidhen kujtimet, brengat, ëndrrat dhe shpresat e poetit. Në pasqyrën e ujit kristal të Gurrës shekullore, ai sheh të parët, figurat e shquara të kësaj krahinë, historinë e lavdishme, luftrat për liri, heronjtë e rënë në frontin e luftës, përpjekjet për të përballuar sfidat e jetës, prandaj poeti qëndron i magjepsur para këtij monumenti të veçantë listorik dhe arkitekturor duke kërkuar identitetin e të parëve të tij. E mahnisin imazhet piktoreske të kësaj krahine të bukur, qëndron poeti mbi strukturën murale të Gurrës dhe mahnitet me peisazhin madhështor, me gurgullimën e ujit të kristaltë, qe ngjan si këngë bilbilash, e cila nuk u shua dhe nuk do të shuhet ndër shekuj sepse: “…Aty ku frymon etrit e epikës shqiptare n’legjenda, / Çuditërisht më merret goja e s’ngopem dot me frymë, / Nga Munella zbret fllad i egërsuar me barë dhe akuj, / E Gurra e Domgjonit m’shtrëngoi e shpirtin ma ujiti…”. Duke qenë Brenda traditës kombëtare, poezia e Hasan Hasanit pasqyron pareshtur tinguj dhe ngjyra të reja krijuese që transmetojnë tek lexuesi ndjenjën dhe shpirtin e poetit. Kështu ndodh në një cikël poezishë, që poeti plot krenari dhe mallë u kushton vendeve historike në Mirditë si dhe Mali i Shejtit Bukmira, Fani, Shëngjergji, Kashnjeti, Kaçinari etj, ku poeti përmes poezisë na jep realitetin historik të së kaluarës, vlerat monumentale si një pasuri shpirtërore tradicionale, sepse edhe emërtimet toponomastike të tyre, kanë një domethënie logjike, shpesh mbështetur mbi gojëdhëna dhe fabula. Në këtë kontekst, poeti Hasani sjell para lexuesit mendimin poetik duke e shkrirë natyrshëm me fakte ndjesore - historike dhe me lëvizjen e zhvillimin e pandërprerë të jetës.

Këtu ze fillë historia, sepse rast unik në këtë trevë ka qënë edhe menyra e udhëheqjes së bajrakut në Mirditë. Në krye të bajrakut ishte bajraktari, i njohur nga autoritetet osmane, por qe gëzonte disa cilësi të vyera shoqërore, e këto cilësi mirditorit nuk i kanë munguar ndër shekuj. Duhet theksuar se treva e Kanunit të Lek Dukagjint është Mirdita. Këtë kanun , Atë Shqefen Gjeçovi e mblodhi pikërisht në këtë trevë, kur ishte famullitar në Gomsiqe, aso kohe nën administrimin e bajrakut të Spaçit. Ai i pati shetitur në këmbë të pesë bajrakët e Mirditës, ku mblodhi nga burrat më në zë dhe kodifikoi pjesë nga ky material, i cili nisi të botohet në “Hylli i dritës”, rreth vitit 1913.Kështu, Mirdita ka pasur burra të shquar dhe ligjet e saja, ku dera e njohur e Gjomarkajve njihej si “themel i kanunit”. Autori liston pesë bajrakët më të njohur në mirditë, por është thënë se Mirdita ka pasur 12 bajrakë. Kjo ndodhi pas ndarjes në njësi të reja administrative nga autoritetet e Perandorisë Osmane, Mirdita pati 5 bajrakë, në kazanë e Lezhës qenë 4 bajrakë, ndërsa në kazanë e Krujës ishin 3 bajrakë.Këta element strukturorë organizimi dhe drejtimi lindën së pari në Mirditë, pastaj u përhapën në Shqipërinë e Veriut dhe Kosovë. Në mirditë ka ekzistuar një abaci benediktine nga më të vjetrat në Shqipëri dhe më gjërë, vendosur mbi malin e Shejtit në Orosh, abacia e Shenllezhdrit, e cila daton para vitit 1166 kur del në dokumente Kuvendi Benediktin i Rubikut. Ndoshta kjo është arsyeja, qe shumë studiues të sferës kishtare, Mirditën e kanë quajtur “Vatikani i Ballkanit”. Në këtë institucion të shenjtë, kanë shërbyer mjaft figura të njohura që kanë kontribuar në konsolidimin e besimit fetar në këtë trevë, si administrator apostolic Shtjefën Gaspri, por një nga figurat më në shej, duket se ishte Abati Prend Doçi, një person me kulturë të gjërë qe dha shumë për Mirditën dhe gjithë Shqipërinë.

Në këtë trevë kanë lindur dhe rritur burra të njohur për mend dhe kuvend, qe u dëgjohej fjala dhe ishin të aftë të shuanin grindje dhe hasmëri, sepse mirditorët janë të mençur dhe të shkathët nga natyra.Kjo trevë dhe bijtë më të njohur të saj kanë luajtur një rol të rëndësishëm në periudhën e konsolidimit të shtetit të Arbërit më 1119, ku fshati Gëziq, ku janë zbuluar dy pllaka – dëshmi e ekzistencës së qëndrës fetare të principatës dhe funksioni i kishës së Shen Llezhdrit në Orosh, të krijojnë bindjen se Mirdita ka qënë qendër e rëndësishme e kësaj principate dhe ka luajtur rol të rëndësishën në ekzistencën dhe formimin e saj. Figurat e shquara të krahinës, materializohen artistikisht, ngrihen në peidestal dhe nxisin shqetësimin emocional dhe shpirtëror, imponojnë respekt deri në kufijtë e adhurimit, duhen nderuar deri në kufijt e madhështisë, prandaj autori i quan këta heronj “Vikingët e Mirditës”: “…I kërkova thellë ndër shekuj n’hullitë e mesjetës, / Ku lanë gjurmë fjalë,peshën e rëndë të mendimit, / I gjeta tek Gjon Gazulli hy në qiellin e s’vërtetës, / n’Bulger e Domgjon, Doci e Fishta uratën e shëlbimit.Se ndal hapin nëpër Mirditë:bjeshkë,curra e boka,/Si barinj të varfër ku grigjën ka humbur diku në mal, / Para m’del preng Marka Prenga e Zef Kolë Noka, / merr armiku në luftë që n’Mirditë kurrë s’u ndal…”, vargje që fuqishëm të emocionojnë përmes rrëmujës dramatikë të kohës,shprehur mjeshtërisht përmes një ritmi të tendosur emocional të derdhur në ndjesi shpirtërore elegante. Libri i dytë i veprës së prof.Hasan Hasanit – Përkola, i titulluar “Tri kurora”, i kushtohet tërësisht veprës së gjeniut të letrave shqipe atë Gjergj Fishta. Poeti ka disa vlera të përbashkëta me Fishtën. Janë nga një fshat, kanë prejardhje nga familje patriotike nga më të njohurat në krahinë dhe janë krijues dhe poetë të spikatur me vlera kombëtare dhe më gjërë. Fishta është quajtur “Homeri shqiptar”, kjo përsa i takon nivelit ideoartistik të veprës, ndërsa përsa i takon tematikës, stilit, larmisë së vargut, nivelit të trajtimit të çështjeve kombëtare, poeti ynë qëndron më lart se poeti i lashtë grek. Prandaj figura dhe krijimtaria e Fishtës ka tërhequr aq shumë vëmendjen e studiuesve në mbarë globin. Prandaj në këtë kapitull, konceptuar në 15 këngë, poeti Hasan Hasani derdh lirshëm frymëzimin e tij poetik, sepse pasqyrimi i së bukurës, madhështores, përmes të thjeshtës, të zakonshmes, ndjehet nga autori si një kërkesë që buron nga raportet harmonike që ka me veprën, por edhe me natyrën e krijimit te tij poetik. Në këtë poezi takojmë shpesh edhe vargje që pasqyrojnë ankth dhe tmerr, sepse edhe jeta e Fishtës e tillë ishte, prandaj poeti mbështetet fort në realitet: “Ati ynë zulmëmadh, o idhulli ynë shenjtërorë, / Eshtrat peng ngushëllimi seç e mbollën tokën, / N’Deçiç e Tarabosh u përzien gjak e barë, / Gjyshërit e shqipeve mbollën lavdinë e kokën! Shekujt zvarriten njëri pas tjetrit të tmerruar, / Në krah të qiejve krenar qëndronte dyshimi, / Gjarpërinjtë nën tokë çuditërisht të egërsuar, / Te t’banat e Curr Ulës rritej e rritej tërbimi…”. Kur lexon krijime të tilla, kupton se poeti shpreh me respekt dhe forcë poetike botën e pasur të poetit tonë kombëtar, portreti i të cilit vizatohet me ngjyra të forta dramatike, si pasqyrë reale e fateve historike të popullit tonë, por edhe me tonet e ndezura lirike të dashurisë për atdheun, vendlindjen dhe patriotët që ka nxjerrë nga gjiri kombi ynë. Shqetësohet poeti për veprën e Fishtës, për jetën e tij, për eshtrat që u hodhën në lumin Dri në vitin 1940, për qëndrimin që mbahet sot ndaj figures madhore të tij, “Ruajtur të kemi në arkat e nusëve të malsisë, / Si djepin,si pushkën,mik e kishim lahutën, / Plagosur muzgjesh me Ëndërrbardhat e rinisë, / Mbi kullat tona të moçme se duruam futën. Na gjuajtën rrufetë me bubullima dhe vetëtima, / O Ati ynë i shenjtë, që s’të gjenim askund, / Kot të njollosën e përdhosen hije e brerina, / Kot t’i humbën eshtrat në ujërat e pafund…”. Fizionomia e poetit të madh është dhënë me gjithë forcën e shprehjës artistike, sepse është hero i dramës së madhe të së kaluarës, është poeti i revoltuar ndaj padrejtësive, është krenar për kombin e tij, i lidhur fort me fatet e këtij kombi të cilit i kushtoi veprat e tij, por edhe me ndjenjën e zjarrtë të atdhedashurisë që shpesh e ka detyruar të heqë veladonin dhe të rrëmbejë penën. Dhe frymëzimi i poetit nuk njeh kufi: “As lot, as këngë, as kujë në odat e burrërisë, / Për atë që kohën mbarsi ndër shekuj nëpërkë, / Yll n’horizont Gjergj Fishta - Lahutë e Malcisë, / Pështyn Kongres Berlini n’Europën njerkë. Heu, Atë i Madh, këngës m’i dhe zjarr e flakë, / Mbajte gjallë shpirtin që sot ndër ne po rron, / Shekujt nën sundimtarë kan vra e përgjakë, / Fuqi e këngës sate stinëve gjakun zgjon…”. Siç shihet, poezia e Hasan Hasanit është e pasur me episode të shumta që përbëjnë minisubjektin e vjershave, ku burojnë ndjenjat dhe mendimet, shprehur në hovet dhe ritmet e vargjeve dhe në shpërthimet artistike, shpesh dhe në karakter polemik ndaj sistemeve të kaluara shoqërore. Krahas kësaj figure të shquar, nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së autorit edhe dy figura të rëndësishme të kombit tonë, që rrjedhin nga e njëjta trevë, Prof. Anton Çeta, misionar i pajtimit të gjaqeve në Kosovë, poeti e shkrimtari i njohur mbarëkombëtarë dhe Dom Anton Kçira, misionar i fesë katolike në Detroit. Dy figura mjaft të vlerësuara edhe nga krijues të tjerë, por subjekti i poetit Hasan Hasani kosiston tek platforma e qartë ideoartistike, përshkrimi real i figurave të tyre dhe tingulli artistik i gjërë dhe i thellë njerëzor, duke iu kundërvënë tendencave skematike. Prof. Anton Çeta vlerësohet me shumë respekt dhe dashuri nga autori për thjeshtësinë, mencurinë, talentin dhe misionin fisnik që i ka vënë vetes në ato ditë të vështira për kombin kosovar, “Zogj Atmës i dhurove n’synin plot magji, / N’Drenicë e Has, Llap, Drini e Dushkaja, / Me kalorësit e paqes udhëtove si hyni, / Askund fëmijët për prindin të mos qajë. Udhëtoi fjala lumë, hyri zemër në zemër, / Kullë në kullë n’bjeshkë e vërri përherë. / Gjenit mijëvjeçarë botërisht i dhanë emër, / N’shpirt të nënave dimri t’bahet pranverë…”. Dashuria për Perendinë, për misionarët e fesë, është një nga manifestimet më të bukura artistike të poetit Hasan Hasani. Është një ndjenjë e pastër që nuk njeh dallime fetare, e kjo ndjenjë i fisnikëron shpirtin dhe e bën poetin të dojë të bukurën, të ndjejë gëzimin dhe të jetë optimist për të ardhmen, prandaj shkruan: “Rojë këtu në kulla,pararojë, përtej Adriatikut, / Miku ynë i përjetshëm që s’njohe kurrë frikë! Katundarët e mi shpesh pyesin me zërin e mikut: A t’shkruan? Si asht Dom Antoni n’Amerikë?”. Vite të maratonës qenë këta kobe kohe mbi ne, / Me durim guri kapërcyen tufanë gurëzuar! / Bashkëudhëtarë së bashku – Ne këtu, e Ju atje, / Deri në fitore kur kjo luftë do të ketë mbaruar!...”. Kjo dlirësi e bukur, kjo frymë artistike që pasqyron dashurinë për njeriun, shërbëtorin e njerëzimit, të ngjall respekt pafund , për misionarë të tillë dhe ndjenja të thella njerëzore.

Mirdita pati perfaqësuesit e saj në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Aleksandër Nikolla – Spaç, Ndue Marka Preni – Kthellë, Llesh Biba – Orosh, të cilët u vunë në krye të lëvizjeve për liri dhe pavarësi.Edhe në periudhën e shpalljes së Pavarësisë, burrat e shquar të Mirditës kanë dhënë kontribut të rëndësishëm.Madje, ndoshta pakkush e di se Preng Bib Doda ka qënë nënpresident i Qeverisë së Perkohëshme të Vlorës. Këtë fakt e verteton telegram id t.19 dhjetor 1913, ku thuhet:…Prej imzot Doçit u informova se Prengë Bibë Doda ka marrë një telegram prej Ismail Beut, me të cilin i njoftohet atij emrimi si nënpresident i Qeverisë Previzore dhe mëkëmbës i Ismail Qemalit në këto vise.Telegrami iu komunikua Preng Pashës…Shkodër, 19 dhjetor 1913.Nuk mund të harrohet vepromtaria patriotike e burrave të mençur, prijës të shquar popullorë, si Prengë Bibë Doda, Marka Gjoni, Kolë Toma, Prengë Marka Prenga, Kolë Prengë Kola etj, për pavarësi. Edhe sot e kësaj dite, mirditorët krenohen me figura të tilla qe dhanë gjithçka për çështjen kombëtare shqiptare dhe punuan për t’i dhënë shkëlqim kombit dhe emrit, Mirditë. Mirdita është një trevë ku kanë lindur dhe janë rritur figura të shquara, qe jo rrallë kanë kontribuar në çështjen kombëtare shqiptareKjo ka ndodhur, sepse vetë historia dhe figurat historike të kësaj treve, kanë qënë pjesë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare.Kintributi i këtyre figurave në shumë raste ka qënë vendimtar në përcaktimin e kornizës historike trojeve tona.Duke qënë se qe në shek. XVI në këtë trevë u hapën shkolla dhe u shkrua shqip, edhe figurat historike do të njiheshin në këtë krahinë.Natyrisht, pot ë kujtojmë figura të njohura kombëtare që kanë vepruar në Mirditë si Gazulli dhe Engjëlli, shkrimtarët Zarishi dhe Doçi, do të kujtojmë mjaft mirë kontributin e figurave të shquara të kësaj treve në lëmin e historisë sonë kombëtare.Përmendim këtu vëllezërit Gjon dhe Pal Gazulli, të dy ambasadorë dhe diplomat të kohës, njëri në Hungari, tjetri në Raguzë.Një nga figurat më të spikatura mirditore që shpesh identifikohet me trevën e tij, Prend Doçi, një klerik i rangut të lartë, një dër abatët e Mirditës dhe një nga krijuesit dhe përhapësit e alfabetit të shqipes së sotme, drejtues i Shoqërisë kulturore dhe gjuhësore "Bashkimi" dhe delegate i Kongresit të Manastirit më 1908, autor id y vjershave me temë patriotike "Shqypnia në robin" dhe "Nji kushtrim shqyptarëve", shkruar në shqipen e sotme.Në traditën kulturore dhe letrare kombëtare, një kontribut me vlera ka dhënë edhe mirditori Dom Prend Suli, i cili qe marrë kryesisht me studime historike, madje pati lënë në dorshkrim veprat "Mirdita e vështruar së largu" dhe "Mirdita në rrjedhën e pamvarësisë", ku përshkruan figurën e abat Doçit dhe rolin e lij në lëvizjet për pavarësi kombëtare. Ndërsa bashkëkohësi i tij Nikollë Kimza, fort aktiv në revistën "Hylli i dritës", pati botuar veprat studimore "Shka thotë gojdhana për vjerërsinë e Mirditës" dhe "Një fletë historije për Mirditën", duke plotësuar, më tej vlerat e kësaj krahine mjaft të njohur në vendin tonë.Nuk duhet harruar i mirnjohuri prof. Zef Vorf Nekaj, apo prof. Zef Mirdita, që punoi dhe krijoi në Zarë të Kroacisë, por kurrë nuk i harroi trojet e të parëve.Vite më parë pata lexuar dy vepra të tij "Studime dardane" dhe "Krishtenizmi ndër shqiptarë" dhe më pati bërë përshtypjë studimi i thelluar, gjuha e pastër dhe dashuria për vendlindjen.Këta korifej të kulturës, traditës dhe letersisë, krijuan bazën për t'i thënë botës se ka edhe një vend të vogël me emrin Mirditë, por me rëndësi dhe peshë në historinë kombëtare shqiptare.Dhe traditën kulturore dhe historike do ta vazhdonte studiuesi Kolë Shtjefni me veprën "Mirdita etnike", perms së cilës do të synonte të vertetonte lashtësinë dhe lavdinë historike të kësaj treve.

Një nga imazhet karakteristike dhe ndjesore përmes të cilit poeti Hasani fikson momentet historike është vlerësimi emocional për të kaluarën e vendlindjes.Ai kthehet pas në kohë dhe përshkruan vlerat historike,natyrore të Domgjonit,të Pren Kolës – të parit të familjes. Është krenar poeti për prejardhjen e tij,madje këtë e deklaron me emocion dhe mallë,sdepse autori e ka një peng: “…Treqind vjet udhëtove nëpër mugëtirë, / Nëpër ëndërra e zgjemba hije e padukshme, / Për të arritur këtu ku jam sot,e s’kam qenë kurrë, / Rrëzë Munellës ku zanat rrinë gjithmonë zgjuar. Ballë për ballë me Sukrrasën dhe Kaptinën,/Këtu me domgjonin e muzës sime të plagosur, / N’shesh ku Guri na uron mirseardhjen, / Dhe Lteri na bekon heshtas me shekujt vrarë.Po,po erdha këtu të marr bekimin e Domgjonit,/Ashtu sic e mori edhe Pren Kola im i parë, / Këtu në vendin tim i përbiruar fytit të shekujve…”. Nuk është e vështirë të kuptohet se në këtë system vlerash universale dhe letrare,në këtë hapësirë të sistemuar poetike,përmes së cilës kërkohet identiteti historic i autorit.Ai e gjen dhe ndjehet krenar për Domgjonin,historinë e tij,të parët që jetuan atje dhe banorët e sotëm,vëllezërit e një gjaku.Por në momente të caktuara,poeti është edhe i hidhëruar.Krenar për Domgjonin, por jo për Spaçin, ku ekzistonte një burg, që mohonte lirinë e individit. Ai ishte vendi ku kishin humbur një pjesë të jetës së tyre shumë figura të njohura dhe intelektualë si Maks Velo, Visar Zhiti, Havzi Nela. Kjo i kujton poetit masakrat e shtetit shovinist serb mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. E ka ndjerë poeti peshën e rëndë të robërisë, sepse rreth 45 vitet më të mira të jetës së tij i ka kaluar në robëri. Prandaj, jo pa dhimbje, shkruan: “…Spaç, o Spaç varr a djep, / Ferr i çarë në histori, / Havzi Nela, Visar Zhiti, / Bij të shqipes, / N’vargoj t”zi, / Oxhaqe kullash, / pa mëshirë, / Mbulue n’zi”. Por ky moment hidhërimi nuk ja prishi vlerat librin, sepse shëtitja artistike e poetit nëpër Mirditë është sa emocionale, aq edhe interesante..Nga Spaci me histori tragjikë në të kaluarën,autori ndalet neë Orosh,kryeqendrën e Mirditës,zemrën e Principatës së Arbrit.Vargje të bukura që dalin nga thellësia e shpirtit të poetit Hasan hasani,sepse tani e njeh Oroshin,e ka viztuyar,ka dëgjuar për historinë e tij të bukur dhe të trishtë,prandaj shpesh takojmë edhe intonime të zymta që lindin kohrave të ndryshme,megjithatë poeti mbetet gjithnjë rob i së bukurës: “Bjeshkët e Mirditës: Orosh, Spaç, Kuzhnen, Dibër e Fan, / Dera e Gjomarkajve t’Oroshit,burrërisht ulet në Kuvend, / Kapedani i kapedanëve në histori gjithnjë ka lënë nam, / Derë e parë e fjalës dhe pushkës siç thonë denbabaden! Nuse bjeshke e bukur ashti siç Zoti ka ditur për ta krijuar, / Rrethuar me bukuri t’rralla që n’shqiptari nuk i gjen dot: Mali i Shenjtë, Gryk - Orosh, Kodër Kolike nga Zoti uruar, / Fjalë e kapedanit të Oroshit n’Atdhe kurrë shkuar kot…”.Ky vezullim yjesh që ndjen autori, ka çiltërsi zemre dhe vezullim shpirti, kjo simfoni ritmike vargjesh e mbushin autorin me shpresë dhe besim se jehona e lavdishme e Oroshit dhe mençuria e kapedanëve të Mirditës do të jehojë ndër breza.

Kjo krahinë e njohur dallon për vlerate saj morale, traditat zakonore, folklorin dhe veshjet, cilësi tepër të vyera të familjes mirditore, zbërthyer ndër mote përmes këngëve dhe vargjeve popullore. Mjafton të përmendim të madhin Gjokë Beci, Ndue Dedaj, Llesh Ndoj, Gjon Marku, Viktor Gjikola, Pjetër Marku, Mark Gjoka, këngëtarët Fran Vorfi, Prena Beci, Fran Preçi, Kastriot Kola, të cilët me zërin e tyre zgjonin zanat në logun e bjeshkës, “…Zëri i tyre, kushtrim i të parëve, / Hapën shtigje përtej Shqipnisë, / Me fjalë zjarri u prinë luftëtarëve, / Përmendore n’tela të çiftelisë. Ai Gjok Beci, pinjoll Selite, / N’këngë i rriti trimat n’Mirditë, / Kapedanët n’zemër kishte, / N’këngë lahute zanat ka zbritë…” Mirditori, vërtet ka qënë i varfër, por në jetën dhe veprimtarinë e tij karakterizohej nga veti morale mjaft të vyera, të trasheguara ndër shekuj, qe e dallonin nga krahina të tjera. Janë njerëz të besës dhe këtë virtut e kanë trasheguar brez pas brezi. Mjafton të kujtojmë legjendën historike të nuses së Shtufit për të vertetuar këtë veçori njerzore të mirditorit. Mirditori nuk e ka shkelur kurrë besën dhe thyer fjalën e dhënë. Dera e mirditorit ka qënë e hapur gjithmonë për mikun, madje kur në shtëpitë e mirditorëvë msynte ndonjë mik, aty bëhej festë. Këtë atmosferë e krijonte sofra mirditore, qe ishte kurdoherë e gatëshme për mikun. E padushim këto cilësi të qenësishme i trajton në poezitë e tij edhe prof. Hasan Hasani: “…Kemi raki mani, rrushi, kumbulle, thane, / Molle, dardhe, ftoi, dëllinje, arre…Ama, për mysafirët e rrallë si ju, kemi edhe raki qershie…”. Një veçori tjetër dalluese e poezisë së prof. Hasan Hasanit është shkrirja harmonike dhe e natyrshme e elementit shoqëror tek trajtimi artistik i figurës së mirditorit. Kjo vihet re në kapitullin e tretë që e ka titulluar “Mirditorë”. Autori niset nga momente poetike të realitetit historik, ose nga motive me ngjyra intelektuale dhe njerëzore, të cilët veprojnë në shoqërinë e sotme. Përshkruan figura historike që i dhanë emër krahinës dhe personalitete të kulturës, artit dhe jetës shoqërore. Me një gjuhë të pastër, me fjalor të thjeshtë, por të ndjeshëm në artin e poezisë, këto personalitete marrin vlera shoqërore dhe përjetësohen në kohë. Përmes një reflektimi të thjeshtë, autori vlerëson figurën e Gjon Gazullit, Abat Prend Docit, bajraktarit Preng Marka Prenga, Lleshit të Zi, mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka, Bardhok Biba, artistit me famë botërore Aleksandër Moisiu, poetit të Rilindjes Kombëtare Ndre Mjeda, Kapedanit të Mirditës Gjon Marka Gjoni, Zefit të Vogël etj, për të ardhur deri tek figurat e njohura të kulturës, artit dhe letërsisë të ditëve tona. Është për t,u përshendetur kjo ndërmarrje e poetit që synon të sjellë para lexuesit kontributet e brezit të kohës sonë. Shkruan poeti për etnografin e famshëm prof. Mark Tirta, vepra e të cilit ka lindur nga vlerat etnografike, zakonore dhe shpirtërore të popullit tonë. Me veprën e tij ka ushqyer masat e gjëra me traditat më të mira të popullit tonë, ka transmetuar brez pas brezi teorinë dhe estetikën e traditave popullore. “Kaloi nga Mrizi i Zanave e n’Munellë, / Në Bjeshkë të Oroshit, deri në Kaftallë, / Nga Komsi në Ungrej e Qafë t’Malit, / Shtëpi më shtëpi e kullë më kullë, / Shpirti i derdhun në mitologji, / Dhe ornamentet që stolisin veshjet mirditore…”. Kështu etnografi ynë, dukë shëtitur nëpër truallin e vendit të tij, shprehu qëndrimin e tij ndaj jetës, pasqyroi traditën popullore mitologjike, manifestoi gjenin krijuese dhe pikpamjet estetike të kësaj teorie. Ndalet poeti edhe tek figura të tjera me vlera të spikatura shoqërore si historiani Pal Doçi, Liza Vorfi, gazetari i njohur Frrok Çupi, gjeneral Dodë Prenga, dom Gjergj Meta, autorin e mirënjohur i kinematografisë shqiptare Robert Ndrenika, aktoren Roza Anagnosti, artistin, piktorin e njohur mirditor Pjetër Marku, njeriun aktiv, energjik dhe të palodhur. Duke i dhënë një karakter vlerësues punës dhe aktivitetit artistik të Pjetër Markut, autori shkruan: “Ta vë në gjerdanin e poezisë Pjetër Markun, s’e kam të vështirë, / N’tavolinën e punës kam një jetë të tij të derdhur me ngjyra, / Heronj e peisazhe në tipare e karaktere që flasin në heshtje, / Rrëfejnë për ritet e lashtësisë, për legjendat, heroike…”.

Pastaj autori vijon me Mark Gjergjin, gazetaren e njohur Erestina Halili. Vend nderi rezervon autori edhe për poetin dhe studiuesin e mirënjohur domgjonas Llesh Ndoj. Ishte pikërisht ky krijues që e njohu poetin me vendin e tij të lindjes, e njohu me historinë, kulturën, bujarinë, mikpritjen, traditat dhe zakonet e Domgjonit dhe Mirditës, prandaj autori ka synuar të skalisë portretin e tij përmes shprehjeve plot emocion dhe figurave të goditura letrare: “Ti ke pi ujë të Gurrës shekujve të ikur, / Ndërsa unë tek kroi në Lug të Shavarit, / Zanat nga maja e Munellës pse heshtën, / Elegji vargjesh reshnin mbi qërpikë, / Dhe mbillnin qetësi mortore…”. Lindur në të njëjtin fshat, por jetuar larg, 300 vjet pa u njohur, erdhi momenti fatlum që të njihet vëllai me vëllanë. Ky fakt e entuzizmon poetin, i jep forcë, i jep jetë, i jep shpresë, për unitet, respect, dashuri vllazërore, bashkim. Nuk harron autori të na njohë edhe me personalitete të tjera të spikatura nga Mirdita, siç është koreografia Angjelina Leka, Prend Filipi, Leze Qena – Spaci, aktorja e mrekullueshme kosovare, pasardhësit e Fishtës Besnik Paci, Petrit Lleshi, gazetaren Edi Luarasi, studiuesin Nikollë Loka, Dava Nikolli, autorin e librit në dy vëllime “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” Gjon Marku, për të cilin shkruan: “ …I ke rënë pikes miku im i shtrenjtë, / Sehir mund të bëhet rreth e qark, / Por vetëm e vetëm, / Një natë mbret në një vend tjetër…”, gazetarin e njohur Aleksandër Ndoja, të cilin e fton:”…Eja në Prishtinë mik, / T’i lidhim legjendat, / Në rrfanën e ëndrrave…”, Ndue Preçi qe përsonifikon traditën dhe bujarinë mirditore, sepse:”…O krejt Mirdita u ringjallën sot, / Në sofrën e bekuar të Ndue Preçit, / Për ta gostitur Hasan Hasanin – Përkolën, / Me zemër, raki e bukë, / Nga shkrepat mirditorë”. Vazhdon autori me Gjon Gegën, Marie Krajën, mjeshtrin e instrumentëve muzikore Zef Përshqefa e deri tek studiuesi i mirënjohur kosovar Mikel Gojani, autorit të shumë veprave letrare, për të cilin shprehet:”Kanga asht emir ynë i përbashkët, / Mbiemri poezia, gjakimi. Kështu ikën kohët tinzare, / Diell dhe reshje mbi morenë. Mirdita, lter i pagzimit t’parëve, / Unë e ti Dukagjinin mbajmë në amzë…”.

Siç kuptohet, vatër e ndezur e krijimtarisë poetike të poetit Hasan Hasani – Përkola, është Domgjoni, është Fani, është krejt Mirdita, me historinë, kulturën, traditat, figurat patriotike dhe bijtë e saj kreshnikë, që përmes këtij vëllimi të bukur poetik, hyn në histori për të mbetur kujtim ndër breza. Hasan Hasani u nda nga jeta ne kulmin e krijimtarisё letrare, duke lёnё nё proces botimi edhe disa vepra tё tjera, pёr tё treguar se emir i tij do tё ndriҫojё nё panteonin e perjetshёm tё letersisё shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat