“Piratët” e Gjuhës Shqipe!

Kultura

“Piratët” e Gjuhës Shqipe!

Nga: Muhamet Mjeku  Më: 17 janar 2021 Në ora: 06:12
Muhamet Mjeku 

Nuk mendoj se mund të jap ndonjë vlerësim apo kontribut rreth nivelit të gjuhës së sotme të shkruar? Ajo që po shihet, jep sinjale të liga, sidomos gjuha e shkruar në rrjetet sociale, në disa portale e gazeta dhe e folmja në disa radio e televizione. Duke u nisur nga kjo gjendje e palakmueshme, gjithnjë sipas vrojtimit tim, profesionistët e kësaj fushe do të duhej të ngreheshin në këmbë e ta thoshin fjalën e tyre, jo njëherë, por për çdo ditë, dhe jo vetëm këta. Kujtoj se këtu kemi të bëjmë me mungesë vullneti e vetëdije për ta mbrojtur gjuhën tonë të shëndoshë nga "piratët" e saj, si çështjen më të shenjtë të identitetit tonë kulturor e kombëtar.

Kur lexon sot rrjetet socilale, disa portale, gazeta, akte zyrtare normative dhe, gjithnjë po them në mënyrë të zbutur, kur dëgjon deputetët në parlament, e të tjerë në biseda telivizive bashkë me moderatorin e disa emisioneve, merr përshtypjen e keqe se, gjuhës sonë, po i bëhet një padrejtësi e pashembullt, përbuzje dhe nënçmim nga "piratët " e saj, nga injorantët dhe sikur të ishin gjallë rilindasit tanë që i dhanë frymë kësaj dhe kombit tonë, do të na mallkonin deri në buzë varri.

Në një rast kur një studente e pyeti Bill Clinton-in kur ishte Presidend i SHBA, se çka do t'u preferonte amerikanëve të rinj në një ndërrim moti, ai u përgjigj pa hezitim:" Të flisni e ta shkruani sa më mirë anglishten". Natyrisht, që të rinjtë amarikanë mund të kishin dëshira krejt tjera, por, ai u propozoi gjuhën me të cilën identifikohet një kulturë dhe një popull.

Është krejt e ditur se pa dashuri ndaj gjuhës, s'mund të ketë as dashuri ndaj atdheut e kombit. Gjuha është lidhëse dhe aq e rëndësishme sa vetë rrënjët e një populli.

Ndërsa, liria është frymëzim dhe zhvillim i të parës dhe i të dytit, gjuhës dhe kombit. Këtë më së miri i dinë shqiptarët që kaluan nëpër një histori të stuhishëm nga pellazgët, të lirët e deri këtu, ku jemi sot.

Ta duam gjuhën shqipe siç e deshën Rilindasit tonë dhe të brengosim siç u brengosën ata kur shihnin se ajo po devijohej.

"Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dlirë..." N. Frashëri.

"Kështu gjuha po shemtohet, dhe kështu kombi po mjerohet..." F. Shiroka.

Të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë në gjuhën e tyre amtare, askujt s' mund t'i mohohet asnjë shkronjë e vetme e alfabetit, por, njëherësh, askush s'ka të drejtë ta përbaltojë aq mizorisht gjuhën tonë të shtrenjtë-antike, kushdo qoftë ai: nxënës, student, arsimtar, politikan, doktor shkencash, akdemik etj.

Nuk mjaftojnë vërejtjet që i bëjnë aty-këtu dashamirët e saj, kjo çështje duhet të sankcionohet me ligj në sistemin arsimor dhe, kështu lënda e gjuhës shqipe, të jetë obligative edhe për ata që studijonë matematikën, filozofinë, historinë apo ndonjë dretim tjetër.

Shumëkush ndalet vetëm në lëshimet ortografike, por aq e randësishme është struktura sintaksore e fjalisë se pa të, ajo duket e rrënuar, jo e rrjedhshme, mbase edhe e pakuptueshme. Një fjali e ç'thurrur i përngjan një shtëpie asimetrike që s'ka funksionalizëm, strukturë dhe estetikë.

Pse s'po mund ta gjejmë rrugën e dashurisë ndaj gjuhës sonë " të ëmbël e të dlirë..."!?

PS: I bëja shoqëri një miku në një restorant shumë të njohur te një shqiptari në NY. Pasi porositëm drekë, pronari na u afrua duke buzëqeshur: "Kur të dilni, te banaku e kam vendosur një fletore përshtypjesh për mysafirë të zgjedhur". Njeriun që e shoqëroja hiqej i dishëm, mësimdhënës në një fakultet. Në Kosovë ishte luftë, me një shpresë të madhe në pritje. Në këtë restorant, gjatë viteve të 90-ta, kishin kaluar shumë intelektualë, politikanë, gazetarë e njerëz të njohur të kulturës nga Tirana, Prishtina, Shkupi dhe Ulqini, në mesin e tyre edhe shkrimtari Ismail Kadare dhe artisti Bekim Fehmi, të dy të njohur për famën e tyre në botë.

Kur u ngritëm të dilnim, i zoti i restorantit shfaqi dëshirën të na përcillte, dhe kur u afruam tek banaku, mysafiri la përshtypjen e tij në fletore në në dy fjali, por me shumë gabime, aq sa kishte fjalë. Profesori, i ardhur nga atdheu, kur i pa terthorazi mesazhet e tjerëve, u skuq me vetveten. Tek tash po e kuptonte se në ç'nivel ishte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat