Lasgushi për poezinë, lirinë, dashurinë

Kultura

Lasgushi për poezinë, lirinë, dashurinë

Nga: Ramiz SPAHIU Më: 17 janar 2021 Në ora: 16:19
Lasgush Poradeci

P o e z i a  e Lasgush Poradecit është një bukuri poetike e rrallë, e paparë dhe e padëgjuar në gjuhën shqipe me harmoni e melodi të vargut e cila e ngriti muzikalitetin e vargut shqip në një shkallë më të lartë. Duke qenë një poezi- muzikë, harmoni apo një gurgullimë harmonike e përsosur, lexuesve u ngjallin emocione dhe u japin kënaqësi e gëzim estetik. Lasgush Poradeci poezinë e shihte si mjet të pazëvendësueshëm e të domosdoshëm për edukimin e kombit, dhe poetët si mësues të tij. “Si të mos jenë gjermanet ata që janë, kur kanë pasur një mësues (Getën) kaq të madh?” (P. Kolevica, Lasgushi më ka thënë, Tiranë 1999, faqe 89).

Lasgushi e thekson rolin edukativ të poezisë për bashkimin kombëtar. “Për fenë e shqiptarisë do të fliste profeti i kombit shqiptar Naim Frashëri, i cili me shembullesën dhe poezitë e tij fillon bashkimin e math të Kombit duke mënjanuar gjithë paragjykimet pengonjëse. Me këtë rast kryesorinë e kishin vargjet, vjershat e Naimit. Ato i kënduan atdhetarët dhe shpirti i tyre u tund, … u bintnë . U bintnë sepse e kishin ndjerë në zemër. Ato vargje e mbanin zemrën e kombit në dorë, flisnin drejt nga zemra dhe hynin drejt në zemër”. (L.Poradeci, Misioni i shqiptarëve të Bukureshtit dhe Naim Frashëri, Jeta e re 5/99, faqe 892).

Duke folur për rolin edukativ poezisë dhe këngës, Lasgushi përmend Himnet kombëtare me të cilat populli mobilizohet, të shkojë në luftë dhe të vritet, duke kënduar. P.sh. “Me vargjet: / Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë, /Bashkoi burra se s’ka me prit …/ , janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vëmë shpirtit të kombit themele të shëndoshë”. ( P. Kolevica, Vep. e cit, faqe88). Prandaj, vazhdon më tej poeti, arti është punë. Punë dhe vetëm punë. Unë një vjershë e kam shkruar shtatëdhjetë here. Edhe njëckë fjalë false e prish tërë poezinë.

* * *

Njeriu duhet të gëzojë të drejtën

të shkojë ku t’i dojë e bardha zemër.

(L. Poradeci)

L i r i a - Lasgush Poradeci e çmonte shumë lirinë, demokracinë dhe qytetërimin, ndërsa e urrente diktaturën. Tek ne politika ia ka zënë frymën letërsisë. Artistet duan liri, jo parti mbi kokë. Kjo jetë që po e jetojmë s’është jetë! “ Sa bij nënash dergjen në fund të këtij liqeni, se djemtë tanë nuk e durojnë dot këtë jetë të mbyllur në vathë, ëndërrojnë të mjerët të dalin në botën e lirë dhe i bien me not, por … të rrallë janë ata që triumfojnë mbi vdekjen”. (T. Mato, faqe 158). Dhe vazhdon më tej: “unë them se njeriu duhet të gëzojë të drejtën të shkojë ku t’i dojë e bardha zemër. Ndërsa te ne po ëndërrove të shkosh ne botën e lirë je tradhtar. Mua më vjen keq të mbytet rinia pa e parë Evropën“. Pastaj në një rast gjatë bisedës me një ish nxënësin e tij diplomat, Lasgushi thotë “ Ah sikur të kishin të gjithë udhëheqësat zemrën dhe mendjen tuaj, do të ishte Shqipëria “Amerika” e Evropës”. (T. Mato, faqe 55).

Poeti nuk e pëlqeu mbretërinë zogiste, por ai s’pati si ta pëlqej as “mbretërinë” komuniste, bile ketë e urrente më shumë. “Ne po vdesim për bukë, rrimë në radhë sitë na ketë ngurosur shtriga e përrallave. …Çfarë jete po bëjmë! Mizerabël! Jemi më të pocaqisurit e Ballkanit dhe Evropës” . (Tomi Mato, Të vërteta e të pathëna për Lasgushin, Tiranë 2006, faqe 46). Këta ia kanë kaluar edhe shejtanit, thotë me një rast dhe vazhdon më tej t’a shpreh mllefin ndaj sistemit diktatorial komunist duke pyetur : “Ku e gjejnë këtë të drejtë këta pushtetarë që ta shtrëngojnë rininë të jetojë në këto ferra dhe bunker. A s’është kjo çmenduri?!” (Po aty, faqe 169).

Në kuadër të pikëpamjeve të Lasgush Poradecit për lirinë, gjithsesi këtu do të mund të gjejë vend edhe qëndrimi i tij ndaj fesë dhe Zotit. Botëkuptimi fetar i poetit u formua nën ndikimin e familjes, vendeve ku mësoi dhe miqve të tij të nderuar, Fishtës e Mjedës. Lasgushi e adhuronte Zotin. Vente në kishë të qetësoj shpirtin dhe të merr uratën e Zotit. ”Gjithësia ka një Zot”, thotë në një rast dhe vazhdon: “ Po të mos ishte Zoti do hanim njëri tjetrin”. (T. Mato, faqe 364). Këtu poeti përafron me Dostojevskin, i cili thotë “Sikur të mos ekzistonte Zoti, atëherë çdo gjë do të kishte qenë e lejueshme”.

Qëndrimi i poetit ndaj fesë shihet edhe nga një bisedë që ai pati me në zyrtar komunist, në kohën kur në Shqipëri feja ishte ndaluar me ligj, me ç’ rast thotë: “unë jam ortodoks, kam besuar dhe besoj që ka Zot. Juve i shpallët luftë Zotit. Doni ta vrisni. E keni të kotë. Zoti nuk vritet. Ke për të parë ai do të rikthehet një ditë edhe në Shqipëri”. (Po aty, faqe 410). Dhe, tamam si një profet, poeti e parashihte rikthimin e fesë , gjë qe vërtetë ndodhi pas rënjes se sistemit komunist.

* * *

Se s’dashuroja as un’ as ti

Po dashuronte dashuria.

(L.Poradeci)

D a s h u r i a - është temë qendrore në krijimtarinë letrare të Lasgush Poradecit. Ai në poezitë e tij vashat i vizaton si me brushë, duke ua theksuar elementet e bukurisë: flokë, faqe, sy, buzë, gushë etj. Për t’i bërë kështu, të rrezatojnë më shumë dashuri. Por edhe krijon rrethana romantike, natyrore dhe morale të përshtatshme për dashurinë. Kështu poeti, në poezinë e tij, tek kur errësohet nis ta pushtoj të dashurën: “Pa zuri dita perëndoi, /pa zuri nata na mbuloi, /pa zura shoqen ta pushtoj (E mora shoqezën përkrah).

Dashurinë lasgushiane e përcjell turpi, intimiteti e fshehtësia. Ajo hapëron në përputhje me kulturën, moralin dhe traditën tonë edukative, prandaj edhe është erotikë edukative. Ndjenja e dashurisë është shumë e fuqishme. Ajo ndodh jashtë vullnetit tone, dhe është më e bukur, më humane dhe më natyrore vetëm në shoqëri të fshehtësisë: “ Se s’dashuroja as un’ as ti /Po dashuronte dashuria. /Një dashuri - një fshehtësi /M’ e fshehur sesa fshehtësia” (Ku shtrohet vala).

Sipas Lasgushit dashuria konceptohet si dëshirë, kërkesë e nevojë e domosdoshme pa të cilën njeriu e sidomos poeti nuk jeton dot. “Një poet pa femër pranë nuk rron dot, e sidomos nuk krijon dot”. (P.Kolevica, vep. e cit., faqe 125). Dhe, të merresh me poezi erotike duhet një jetë e tërë, një shekull jetë, bile nuk të mjafton. “Jo njëqind por as njëmijë vjet nuk mjaftojnë të shkruash për dashurinë! Ajo poezi dashurie që mund të shkruhet në moshë të thyer, s’mund të shkruhet dot në të ri”. (Po aty, faqe 137). Çudi, sa më shumë u plakërka, aq më shumë të zaptuaka malli i dashurisë. Dashuria në pleqëri qenka ç ‘qenka (T.Mato, fq 227). Në moshën tetëdhjetëvjeçare, Lasgush Poradeci pati një histori dashurie të jashtëzakonshme, një veprim të gjallë, një dhuratë që poeti ia bëri Shqipërisë. Ajo ishte një gjë hyjnore, një shenjë qiellore. Bile më dukej e mrekullueshme ajo që kishte bërë Lasgushi, thotë Ismail Kadare (Ikja e shtërgut, faqe 28), dhe vazhdon më tej, artisti nuk plaket kurrë, arti të mban të ri, dhe më shumë se kushdo artisti ka nevojë për dashuri. (Po aty, faqe 29)

Duke përfunduar, shtojmë. Lasgushi është një kaptinë me rëndësi në letërsinë shqipe. Ai është pasuri për kulturën tonë. Në krijimtarinë dhe biografinë e tij gjejmë mendime me vlerë edukative për poezinë, lirinë, dashurinë. Me Lasgush Poradecin letërsia dhe kultura shqiptare është më mësimtare, prandaj edhe më edukative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat