Profesori i logjikës

Kultura

Profesori i logjikës

Nga: Lekë Imeraj Më: 18 janar 2021 Në ora: 23:16
Lekë Imeraj

Në Luftën e Dytë Botërore, në Gjermani, të gjithë meshkujt, të moshës mbi katërmbëdhjetë vjeç, duhej të paraqiteshin vullnetarisht, në qendrat e rekrutimit që të mobilizoheshin për luftë. Ndryshe, do të merreshin forcërisht.

Një profesor i logjikës, kur e mësoi urdhërin, si i logjikshëm që ishte, u paraqit vetë, menjëherë.

Që në takimin e parë me eprorët ushtarakë, ai ua bëri të qarta principet e tij mbi luftën: “Unë nuk mund të luftoj. Nuk mund të vras njerëz, aq më tepër, ata që nuk më kanë bërë asgjë. Arsyen, përse unë nuk mund të vras, ua argumentoj: Unë kam studjuar logjikë dhe, nuk mund të bëj gjëra të palogjikshme. Lufta është gjëja më e palogjikshme që mund të bëjë njeriu. Ajo ka vrasjen, dhe vrasja është barbari.Unë jam njeri, nuk jam barbar. Lufta nuk është puna ime. Ai që pranon të futet në luftë, i duhet të vrasë. Nëse vret një njeri, në rrugë, mendohesh kriminel dhe, dënohesh. Nëse vret dhjetëranë luftë, mendohesh hero. Unë nuk dua të jem, as kriminel, as hero.

Nëse ju duhet dikush, për të bërë marrëveshje me kundërshtarin, me atë që ju e mendoni armikun tuaj, jam gati. Këtë mund ta bëj shumë mirë unë”, sqaroi profesori.

Askush nuk ia vuri veshin argumenteve të tij. E urdhëruan të vishej me uniformën e rekrutit, dhe e dërguan te fillestarët, në fushën e stërvitjes.

Stërvitja filloi me ushtrime rreshtore ku dëgjohej zëri i fortë i komandantit: Majtas, kthehu! Djathtas, kthehu! Para, marsh! Vend qëndro! Vend numro!...

Të gjithë ushtarët ndiqnin me vëmendje komandat, dhe secili mundohej të vepronte sa më mirë.

Vetëm profesori, nuk lëvizte nga vendi, pavarësisht nga komandat që jepte oficeri.

Komandanti, disi i nervozuar, kur e pa njeriun statik, ngriti zërin. Për profesorin kjo nuk donte të thoshte gjë fare. Përseri nuk lëvizte.

Komandanti e njihte atë, dhe nuk e pa me vend që ta qortonte, menjiherë, si një ushtar të thjeshtë. Pas stërvitjes e thirri dhe i tha: “Mos keni gjë problem me veshët? Ndoshta nuk dëgjoni mirë”?

Profesori iu përgjigj i qetë: “Nuk kam asnjë problem me veshët. Dëgjoj shumë mirë. Gjatë gjithë kohës i kam dëgjuar të gjitha komandat tuaja”.

Komandanti, i habitur, duke menduar se, tani e mbërtheu, i tha: “Atherë, si duhet ta kuptoj unë mosreagimin tuaj? Përse nuk i zbatuat komandat”?

“Përse”? u përgjigj profesori. “Kur të gjitha rrotullimet, djathtas, majtas, para, prapa, dhe ecjet para-prapa, në fund fare, na kthejnë në pikën e nisjes, çfarë fitojmë ne me këto lëvizje?”, kundërshtoi profesori.

“Këtu nuk është fjala për të fituar por, për t’u stërvitur”, tha oficeri, i nevrikosur.

Profesori vazhdoi i qetë: “Unë nuk kam nevojë për stërvitje. Pas njëqind lëvizjesh prej budallai, ju na ktheni përseri në pikën e nisjes. Kjo më duket gjë e pakuptimtë, dhe gjëra të tilla, nuk i pranon logjika ime. A mund të më sqaroni, ju lutem, përse duhet të kthehem apo shkoj djathtas, dhe jo majtas”?

Komandanti tundi kokën, i revoltuar.

“Nuk ka ushtar që bën pyetje të tilla. Ju jeni i çmendur”, i tha ai.

“Për të palogjikshmit, logjika është çmenduri dhe, të logjikshmit, janë të çmendur. E di edhe këtë. Kjo është logjika juaj. Por, unë nuk jam ushtar, jam profesor logjike. Unë u detyrova nga ligji që të vi këtu, por ju, nuk më detyroni dot që unë, në kundërshtim me inteligjencën time, të kryej këso veprimesh prej budallai”, u përgjigj profesori i qetë.

Komandanti po ndihej gjithnjë e më keq me atë njeri rebel. Nuk i kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë, dhe po vriste mendjen, për të gjetur një rrugëzgjidhje. Ky, më prishë edhe të tjerët, mendoi ai. Të gjithë e shikojnë, qeshin dhe thonë: Bravo profesor! Shumë mirë profesor! Ai vetëm pyet dhe pret përgjigje. Ai thotë, nëse nuk e kuptoj një diçka, nëse nuk e shikoj të arsyeshme, nuk e bëj.

Me këtë motivacion, e raportoi ai te shefi.

“E njoh”, i tha shefi. “Eshtë një logjikës i madh. Ai kërkon që, gjithçka, ta kuptojë nëpërmjet pyetjeve. Mos u bëni merak! Do të merrem unë me të”, e qetësoi shefi komandantin.

Shefi e thirri profesorin në zyrë dhe i tha: “Më vjen keq që ju shikoj këtu por, nuk kam çfarë t’ju bëj. Atdheu është në luftë dhe, i duhen ushtarë. Do t’ju jap një detyrë të posaçme që, nuk sjell probleme as për ju dhe, as për të tjerët. Ejani pas meje në kuzhinë”, i tha ai dhe i priu përpara.

Në kuzhinë, ai i tregoi profesorit një kazan të madh me bizele.

“Uluni këtu”, i tha ai profesorit. “Detyra juaj është, të ndani bizelet e mëdha nga të voglat. Kaq. Pas një ore, do të vi t’ju kontrolloj, për suksesin që keni arritur”, dhe u largua.

Kur u kthye pas një ore, për ta kontrolluar, e pa profesorin të ulur pranë kazanit, pa prekur asgjë me dorë. Shumë i revoltuar iu turr atij.

“Ç’është kështu me ju? Si nuk keni filluar akoma nga puna”, i bërtiti ai me zë të lartë.

Profesori, fare i qetë, e shikoi drejtë në sy oficerin madhor dhe i tha: “Më mirë kursejeni atë të bërtiturën për njerëzit tuaj, të pa logjikë! Po ju them për herë të fundit, duke shpresuar se do të më kuptoni: Unë nuk do të bëj asgjë, nëse nuk ma shpjegoni qëllimin e asaj që duhet të bëj. Ju më thatë që të ndaj bizelet, pa më shpjeguar se, përse duhet ta bëj një gjë të tillë. Ju po më fyeni inteligjencën time. Mos vallë, me mendoni një idiot që të merrem me bizelet? Dhe, përse kaq shumë bizele? Kjo është punë idiotësh. Pastaj, këtu, duke menduar, më lindën edhe disa probleme. P.sh. Ju më thatë që të ndaj të voglat nga të mëdhatë por, këtu ka edhe mesatare. Ku t’i çoj unë ato, në cilin kazan? Nuk kam kazan për të tilla. Ju nuk më sqaruat asgjë, as arsyet, as kriteret”, u përgjigj profesori.

“Ju jeni i çmendur dhe e dini qëndrimin tonë ndaj tipave të tillë”, i tha oficeri. “Megjithatë, nuk do t’juvras por, do të urdhëroj t’ju mbyllin në çmendi”, vazhdoi ai.

Profesori qeshi me ironi dhe iu përgjigj: “Kjo nuk do të thotë asgjë për mua. I njoh principet tuaja. Aty ku komandojnë të çmendurit, të diturit dhe të shëndoshët vriten ose, në rastin më të mirë, mbyllen në çmendi. Ky ishte edhe fundi i Sokratit. E vranë se ishte i ditur, filozof. Këtë na mëson logjika juaj”...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat