Ç’popull janë serbët

Kultura

Ç’popull janë serbët

Nga: Merxhan Jakupi Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 12:34
Merxhan Jakupi

Që nga mbarimi i viteve të 80-ta të shek. 20 dhe dy dekada të tjera të këtij shekulli, nacionalizmi në Ballkan ka një vijimësi të pakëputur. Është bërë gjë normale që liderët politikë, si me rutinë, të ushqejnë dhe rrezatojnë fyerje, etiketime dhe intriga. Cilët janë faktorët dhe justifikimet që popujt në Ballkanin perëndimor po vazhdojnë edhe sot me nacionalizmin, armiqësinë, urrejtjen dhe fyerjen ndaj kombeve të tjera në fqinjësi. Pse ata prodhojnë nacionalizëm, duke mbajtur rajonin të trazuar, të tensionuar dhe me përplasje e urrejtje patologjike.

Para dy javësh, lideri boshnjak, Bahir Izetbegoviq, në një intervistë kishte deklaruar se "serbët janë një popull i keq", ndonëse ai më vonë e kishte demantuar këtë, me arsyetimin se ishte keqinterpretuar. Ai paska dashur të thotë se zgjedhësit, simpatizantët dhe admiruesit e liderit të Republika Srpska, Mirosllav Dodik, paskëshin qenë të këqij. Mirëpo, deklarata e Izetbegoviqit kishte bërë bujë në mediumet e rajon, ndërsa tek serbët kishte ngjallë tensione dhe urrejtje, ku më së shumti kishin përfituar disa politikanë për rritje reitingu dhe për shtim admirimi të masave ndaj liderëve nacionalistë.

Historiania serbe, Branka Prpa, shkruan se vazhdimi i nacionalizmit tek popujt e Ballkanit, sidomos tek serbët buron nga "amza" nacionaliste dhe narrativi ideologjik. Si autor dhe promotor të nacionalizmit në Ballkanin perëndimor janë serbët dhe shtron pyetjen nëse serbët vërtet janë një popull i keq. Kjo historiane thotë se nuk ka popuj të këqij ose popuj të mirë, por njerëz, individë të mirë dhe të këqij. Njeriu është i mirë ose i keq. Nga aspekti psikik, njerëzit disponojnë forca të vetëdijshme, racionale, të arsyeshme, në njërën anë, dhe forca të pavetëdijshme, irracionale e egoiste, në anën tjetër.

Historiania serbe, Branka Prpa, shton se liderët dhe elita politike serbe janë treguar të pasuksesshëm. Nuk ka pasur një konsensus, një shoqëri qytetare, që do të informonte, edukonte dhe emanciponte për të kaluarën, në mënyrë objektive dhe racionale. Narrativi serb ka vazhduar me hipoteza, stereotipa e shabllone, për të vazhduar mbetjen e tyre në pushtet, duke thënë se "ne jemi popull superior, mbinjerëzor, se çdo herë kemi qenë të kanosur dhe të rrezikuar nga popujt fqinj".

Ngritja e statujave me shpatë në dorë

Historiani Srgjan Millosheviq, një kritik i ashpër ndaj nacionalizmit serb, në një studio televizive thotë se nacionalizmi serb në Ballkanin perëndimor, vitet e fundit, sidomos në periudhën e Vuçiqit ka arritur në "aisberg" apo në piedestal. Narrativi ideologjik dhe imperativ ka qenë improvizimi historik, miti dhe konsumimi i nacionalizmit. Propaganda e Vuçiqit ka qenë se "serbët janë paqedashës, se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me fqinjët, se nuk kanë pretendime territoriale, por nëse dikush i ngacmon, ata janë të gatshëm me shpata në dorë për t'i mbrojtur territoret e tyre në Ballkan".

Për ngritjen e një statuje të ndonjë vojvode apo kleriku, si Stefan Nemanja me shpatë në dorë, historiani Srgjan Millosheviq ka plotësuar këtë narrativ serb, duke thënë se serbët me simbolin e shpatës nuk hapin fronte, por shpata është simbol i mbrojtjes. Për vendosjen e statujës së Stefan Nemanjës, me shpatë në dorë, ka pasur kundërshtime nga një pjesë e historianëve, intelektualëve, artistëve dhe shkrimtarëve. Por nga shumica e popullit, statuja e një vojvode dhe kleriku të shek. 13, me shpatë në dorë, për popullin serb nuk do të thotë se duhet të frikohen fqinjët. Shpata simbolizon koekzistencën, rezistencën dhe jo gjakderdhjen. Ky historian nuk ka pasur zëra kritikë nga opozita, e cila njeh mentalitetin dhe temperamentin e popullit serb, që, po qe se kundërshtonte ngritjen e statujës, opozita do ta humbte kredibilitetin dhe kapitalin tek elektorati, ashtu siç kishte humbur një akademik i ASHA-së, i cili kishte deklaruar para një muaji, se Kosova është e humbur. Shumica e opinionit publik atë e shpallën tradhtar, e lëçitën, duke kërkuar që të dëbohet për në Kosovë apo Shqipëri.

Ndërkaq, politologu i moderuar serb, Filip Ejdus, shkruan se Vuçiq ka zgjedhur kohën, që narrativi ideologjik të jetë koha e konflikteve. Në fund të "uljes së shpatave", Vuçiqi tregon krizën identitare të popullit serb, duke u mbrojtur me shpatë në dorë nga armiqtë që e rrethojnë. Me ngritjen e statujave, Vuçiq dëmton jo vetëm popullin serb, por edhe popujt e ish-republikave të tjera dhe largon Ballkanin nga BE-ja. Ky politolog thotë se simboli i shpatës si mbrojtje dhe rezistencë ka qenë tek popujt e mesjetës, por edhe te populli serb. Ndërtimi i statujave me shpatë në dorë në shek. 21 është kthim në mesjetë, i përngjet luftës së kryqëzatave, me flamurin në gjoks dhe në dorë.

* * *

Sipas historianes Branka Prpa dhe historianit Srgjan Millosheviq, promotore e krizës në Ballkan dhe rajon është Serbia, liderët nacionalistë serbë, lidershipi dhe elita politike, e cila në periudhën e Sllobodan Millosheviqit e deri më tash po vazhdojnë me diskursin dhe impaktin e njëjtë politik. Ajo tenton të destabilizojë Malin e Zi, duke mbajtur Republikën Srpska në një gjendje të status-quos. Ky shtet i dështuar, sidomos pas humbjes së hegjemonisë mbi Kosovën, po vazhdon me politikën e njëjtë unitarist, duke rrezikuar sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Sipas shumicës së serbëve në Serbi dhe Republika Srpska, një pakicë në Kosovë dhe Kroaci, kroatët janë ustashë dhe popull i rrezikshëm; boshnjakët janë turkoshakë dhe anadollakë, shqiptarët janë popull i egër dhe primitiv, maqedonasit janë ambivalentë, ndërsa malazezët janë serbë.

Serbia me modelin e Rusisë

Serbia në Ballkan është bërë mostër dhe model i Rusisë. Rusia, pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, vazhdoi me ekspansion dhe aneksimin e republikave ish-sovjetike, ku jetonte entiteti pakicë rus, si në Gruzi, Moldavi dhe Ukrainë. Serbia, në Ballkanin perëndimor, është një "Rusi e vogël", duke ndjekur politikën ekspansioniste për bashkimin e Serbisë së madhe dhe rikthimin e trojeve serbe që sot janë të ndarë në katër shtete. Narracioni ideologjik buron nga matrica e nacionalizmit primitiv të krijimit të ambiguiteteve, të vazhdimit të konspiracioneve dhe doktrinave që janë mbërthyer dhe çimentuar në mendjet e shumicës së popullit serb. Serbisë i mungojnë liderë të vërtetë e pacifistë, një prototip si Gierman, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, bëri që liderët dhe gjithë populli gjerman të kërkojë falje ndaj krimeve të luftës dhe gjenocidit që kishte bërë lideri i tyre, gjeneralët dhe gestapo. Populli gjerman, pas luftës u bë më liridashës dhe pacifist. Si do të ishte po qe se gjermanët do të vepronin pas luftës njëjtë si serbët, t'i mbronin pjesëtarët e gestapos dhe kriminelët dhe, në fund, t'i shpallni hero apo çlirimtarë. Si do të bëhej po qe se gjermanët do të mohonin gjenocidin dhe holokaustin, siç e mohojnë serbët gjenocidin në Srebrenicë dhe po të vazhdonin me idenë e super-kombit dhe racës së zgjedhur ariane.

Së fundi, më shumë se një shekull, u zhvilluan tri luftëra mes dy kombeve më të mëdha, atyre gjermane e franceze. Pas dhjetëra milionëve të vrarë, ata ulën armët, shtrinë dorën e pajtimit, duke u bërë bërthamë dhe promotorë të bashkimit të kontinentit evropian. Fatkeqësisht, serbët dhe liderët e tyre nuk morën shembull apo leksion, nuk nxorën ndonjë vizion nga veprimet e popujve perëndimorë, si nga gjermanët dhe francezët. Liderët nacionalistë, elita politike dhe kriminelët serbë të luftës i shpallën për hero. Pas lirimit dhe daljes nga burgu i Hagës, kriminelët e luftës, në aeroport, nga një pjesë u pritën si hero dhe çlirimtarë të kombit. Ata nuk pranojnë gjenocidin, vrasjen masive të civilëve, grave, pleqve dhe fëmijëve edhe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat