Gjuha (turke) dhe ministrat e Qeverisë së Wiedit

Kultura

Gjuha (turke) dhe ministrat e Qeverisë së Wiedit

Më: 5 mars 2021 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Nga: Daut Dauti

Mbledhja e parë e qeverisë shqiptare të Princ Wiedit është mbajtur në Durrës me 18 mars 1914. Gjuha në të cilën është zhvilluar mbledhja ka qenë turqishtja. Pra, qeveria shqiptare ka folur turqisht edhe zyrtarisht. Kjo ka ndodhur për arsye se gjysma e kabinetit nuk kanë ditur shqip, kurse gjysma tjetër kanë ditur por e kishin më të lehtë të shpreheshin turqisht.

Qeveria ka patur këtë përbërje:

Turhan Pashë Përmeti – kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme; Esat Pashë Toptani – ministër i brendshëm dhe i mbrojtjes (luftës); Aziz Pashë Vrioni – ministër për bujqësi dhe tregti; Mufid Bey Libohova – ministër për religjion dhe drejtësi; Hasan Bey Prishtina – ministër i punëve publike; Dr. Mihal Turtulli – ministër për arsim; Dr. Adamidh Bey Frashëri, i cili njihej edhe me emrin Gaqo Adamidhi –  ministër për financa.

Fakti që kanë folur turqisht nuk do të thotë se nuk kanë qenë patriotë. Pos Esat Pashës, natyrisht. Shumica prej tyre kanë jetuar në Shqipëri vetëm sa kanë qenë fëmijë dhe pastaj janë shkolluar në Stamboll e gjetiu e më vonë janë shpërndarë nëpër botë ku kanë punuar si diplomatë otomanë dhe funksionarë tjerë shtetëror. Pos, Hasan Bej Prishtinës dhe Esat Pashë Toptanit që kanë jetuar kryesisht në territore shqiptare, të tjerët janë kthyer në Shqipëri për shpallje të pavarësisë ose më vonë. Të gjithë kanë ushtruar funksione të larta shtetërore, pos Turtullit dhe Adamidhit që ishin mjekë dhe jetonin në Egjipt. Adamidhi, për shkak se ishte shqiptar, ka qenë mjek personal i mbretit të Egjiptit, Abazit II, të dinastisë shqiptare. Kjo ka qenë arsyeja që intelektualët, por edhe populli, këtë qeveri e ka quajtur ‘qeveria e të huajve’.

Duncan Heaton-Armstrong, sekretari i Princ Wiedit, ka shënuar se kjo qeveri, pos gjuhës, ka funksionuar në mënyrë të çuditshme. Mbledhjet mbaheshin pasdite. Kur kryheshin mbledhjet në mbrëmje, të gjithë shkonin në Tiranë në konak të Esat Pashës ku hanin, pinin e bënin muhabet tërë natën dhe kah mëngjesi binin e flinin. Zgjoheshin para mesditës dhe pasi hanin drekë e pinin kafe e duhan, niseshin për Durrës ku ishte selia e qeverisë. Mbledhja që duhej të fillonte në mëngjes, fillonte pasdite dhe kështu përsëritej cikli.

Me ligj kjo ka qenë qeveria e Princ Wiedit, por praktikisht ishte në duar të Esat Pashës. Pos Hasan Prishtinës, ndoshta edhe dy tjerëve, kjo ka qenë qeveri koti. Prandaj, qe bërë objekt për shaka.

Më herët Andon Zako Çajupi  kishte një zënkë personale me Adamidh Frashërin dhe e gjeti rastin që t’i hakmerrej kur e shkroi ‘Klubi i Selanikut’. Çajupi, pos personaliteteve tjera, këtu merret edhe me Adamidhin të cilin e quan ‘Adhamudhi’, dhe e cilëson edhe si njeri pro-otoman, injorant dhe pseudo mjek. Duket që as rilindasit nuk e kanë kursyer gjuhën kur e kanë urryer njëri tjetrin. Ama sharjet, për t’i bërë, i kanë bërë shqip. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat