Drita e Mësuesit

Kultura

Drita e Mësuesit

Nga: Albert HABAZAJ Më: 7 mars 2021 Në ora: 12:22
Arkiv

1.

Drita e Mësuesit, si frym’ e Bekuesit,

Lum ne për Mësuesit tanë, 

Qenë imazh i Udhërrëfyesit,

Dhanë dritën e mendjes

                               e shpirtin dhanë!

2.

Nderim Mësuesve të mi

 

Kur nxënës ne kemi qenë

Mësuesi quhej prind i dytë,

Dinjiteti i tyre kishte vlerë,

Si mësuesit s'kishte të dytë.

 

Ata qenë të mençur shumë, 

Qenë si male hyjnorë,

Ata qenë diell në furtunë,

Një nga një u bën' meteorë.

 

Mësuesit më ikën një nga një,

Fisnikët e mi të lartë,

I kam, dhe pse s'ua dëgjoj atë zë,

Në frymëmarrjen time dit' e natë.

 

Ku t'i gjej t'u puth fjalën

Siç puth Dheun e Flamurin,

Si bregu i detit pret valën

Pres urtësinë e tyre të Burrit.

 

Mrekulli mund të ndodhë vërtet

Të bëhem sa një e mijta e tyre,

Ata erdhën e ikën profetë,

Dhe zbukurojnë qiellin me yje.

 

Për nxënësin qe emri Mësues

Baras me Perëndi, Zotërues.

 

Dritanët e mi dritërofshin e të paharrueshëm qofshin,

Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!

 

7 Mars 2021. Nderim nga Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë, Albert Rexhep Habazaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat