Kujt duhet uruar 8 Marsi?

Kultura

Kujt duhet uruar 8 Marsi?

Nga: Lis Bukuroca Më: 8 mars 2021 Në ora: 10:42
Lis Bukuroca

Burrave, që keqtrajtojnë gratë

sepse ku nuk shtypen ato,

nuk ndihet nevojë për një ditë,

ku burrat,

dhurojnë trëndafil për të kërkuar ndjesë

për 364 gjembat,

apo për 364 ditë keqtrajtim

para Tetë Marsit?!

 

Tetë Marsi është ditë mashtruese,

ditë kur dhunuesi mendon se shëlbohet

kur beson se shpallet i pafajshëm:

me një lule,

me një rrasht,

por qysh nesër

vazhdon me të vjetrën

me dhunimin e nënës së fëmijëve të vetë!

 

Tetë Marsi është dëshmi e shtazërisë së burrit;

e diskriminimit,

e komplekseve

dhe çrregullimeve psikike të tij!

 

Gratë e vetëdijesuar,

gratë e emancipuara

gratë e guximshme,

të drejtat i marrin

nuk i presin si lëmoshë,

si dhuratë,

dhe

nuk ndiejnë nevojë për urime!

 

Ato respektohen çdo ditë

ato e presin respektin çdo ditë,

sepse Njeri janë çdo ditë,

si thotë ligji,

jo njëherë në vit!

Për urime nuk kanë nevojë as gratë e keqtrajtuara

para dhe pas Tetë Marsit!

 

Tetë Marsin është ditë e burrave

ku nis shërimi i tyre,

kur nis rritja e tyre

pavarësia e tyre

dhe guximi për t'u bërë burrë

jo guximi për të mbetur foshnje

në prehrin e Nanuses

deri në vdekje!

 

Burri që urren dhe abuzon me gruan,

le të martohet me burrë,

kështu dëmi do t'ishte më i vogël,

do të kënaqej më shumë

do të jetonte me atë që i pëlqen

dhe do të flinte me atë që përndizet,

por jo me atë që e urren!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat