Vështrim libri: Romani “ARBA” sintezë e kohës

Kultura

Vështrim libri: Romani “ARBA” sintezë e kohës

Tahir Bezhani  Nga Tahir Bezhani Më 15 prill 2021 Në ora: 09:02
Kopertina e librit

“A R B A”, romanmbotues “Lenagrafic”, 2020 Prishtinë

(As nuk ka djep për rritje ,as nuk ka shtrat për vdekje)

Romani ARBA i autorit Hysen Berisha, është i treti me radhë në opusin prej shtatë veprave të zhanreve të ndryshme letrare nga autori. Romani në fjalë është botimi më i ri nga penda krijuese e Hysen Berishës, i cili jeton larg vendlindjes, pjesë e diasporës sonë të përmallshme.

Ky krijues i spikatur në të gjitha gjinitë letrare, po lë gjurmë të dukshme në letërsinë tonë më të re, duke plotësuar ato zbrazëtira që i kanë munguar kohës sonë dhe vëlimeve më të reja në hapësirën shqiptare, për një jetë ndryshe, luftën për liri si gjithë popujt tjerë të botës së civilizuar dhe përplasjet tjera njerëzore.

Në gjithë opusin e tij letrar, është angazhuar që me pendën e tij të mprehtë, të realizojë aspiratat e popullit nga të gjitha këndvështrimet e mundshme, ku fjala liri, drejtësi e bashkim kombëtar të zënë vendin e vet, si pjesë e vuajtjeve tona shekullore .

Vepra më e re e autorit Hysen Berisha, ”ARBA”, është një roman që lexohet nga dorë e parë ,sepse tematika e shtruar në hapësirën brenda dy kornizave prej 227 faqesh, nuk të le mundësi largimi nga faqet plot ngjarje rrëqethëse, një kronologji e përjetimeve prekëse nga katër personazhet adoleshentë, të cilët shpesh të nxjerrin edhe pika lotësh nga përjetimet e tyre të tmerrshme, nga një pushtues barbar, pushteti serb.

Ngjarje e përjetime të tmerrshme, të futura në letërsinë tonë, kemi pasur edhe deri me tani, gjithnjë në rezistencë dhe luftë për të fituar lirinë e pavarësinë e shumëpritur, por që në lojën e roleve, si revoltë, qëndresë, vuajtje e pashembullt, nuk kemi lexuar (shumë) për moshat adoleshente, si gjen e gjeneratë e papërkulshme ndaj çdo okupatori.

Romani “ARBA”, në këtë rast është shumëdimensional në karakterin përmbajtësor, sepse ka përgjithësime të trajtuar nga aspekti historik, social, kriminalistik, por edhe si një prozë e gjatë kujtimesh të ngjeshura në dhomat e kujtesës së pashlyeshme te një moshë të re; që ka aspirata të ndryshme në embrionin e zhvillimit të tij personal.Sidoqoftë, personazhet e kësaj kronologjie të dhimbshme janë Beni ,Nora, Galani e Urtani, të cilët përjetuan luftën shpirtërore atëherë kur duhej të shkriheshin me ëndrrat e tyre në rritje,si shumë moshatarë fatbardhë.

Në vend të një jete të lumtur,ata i hante nga brenda varfëria, skamja e padrejtësia që pësonin në çdo hap të jetës. Ishin të rrahur nga të huajt, por edhe nga të vetët.

Gjithmonë i brente nga brenda shpirtit se jeta e tyre “as nuk ka djep për rritje, as nuk ka shtrat për vdekje”. Në këso momente vlonin idetë rebele, ku shpirti i tyre dëshironte mbi të gjitha, lirinë dhe një jetë të qetë brenda e jashtë kulmit të shtëpisë.

Autori i romanit “ARBA”, z. Hysen Berisha,duke qenë mësues me profesion ,tregohet i shkathët, duke njohur në aspektin psikologjik një moshe të tillë, kur ajo gjendet mes vëlimeve personale, duke ua “lexuar” shpirtin e revoltuar, por edhe dëshirat. Tatëpjeta dhe jeta plot katrahura, plot dhimbje e mundime të pakrahasueshme, fillon atëherë kur Arbeni kishte filluar të dëgjonte bisedat e familjarëve pasdarkave, kur ata mendonin se fëmijët e tyre flinin.

Në fakt, Arbeni shtihej i fjetur, por dëgjonte bisedat e prindërve për veprimet monstruoze që bënte regjimi i Beogradit ndaj popullit shqiptarë, mësoi se si ishte vra pa asnjë arsye vëllai i Norës, student në Beograd, i cili ishte parë në demonstratat e studentëve anekënd Kosovës. Mësoi edhe shumë e shumë gjëra tjera të paditura deri me atë kohë.

Në këtë gjendje pakënaqësie dhe revolte, ”grupi” prej tre shokësh, së bashku me Norën, fillojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme të rebelimit,duke bërë edhe vepra hajnie, shkatërrime varrezash, iritim i skajshëm ndaj bëmave të klikës së Beogradit, si okupatorë në Kosovë. Ai regjim përzuri nga puna shumë prindër nga puna, duke lënë pa ekzistencë mijëra fëmijë.

Këtyre veprimeve të grupit adoleshent, për fatin e keq, u vjen fundi mes janarit të viti 1988,në fushën e futbollit, afër “Varreve të Shkieve”. Atje, duke luajtur, iu afrohet një person i panjohur për ta,një rom,i cili i kishte përcjellë ditë të tëra, kudo,edhe rrugëve të fshatit. Ai rom ishte dorë e zgjatur e krimit serb. Quhej Xhemilin. Ky person kidnapon grupin e adoleshentëve, duke i mashtruar se do i regjistrojë në një klub të futbollit prestigjioz...

Nga këtu fillon një etapë e re, një kalavar i jetës plot mynxyrë të paimagjinueshme, të cilave u bëjnë ballë vetëm këta personazhe të rrallë si në veprën “ARBA”të autorit Hysen Berisha. Duke i tretur me padijeninë e tyre, skutave të mafies italiane, përjetojnë ferrin në gjitha format e skandaleve mafioze; atë të drogës, prostitucionit, grabitje, plaçkitje e çdo gjë tjetër ,duke mos i lejuar assesi të marrin fare kontakt me familjet e tyre.

Kjo mënyre e veprimit të mafies italiane, me në krye romin,Xhemilin, kishte edhe qëllimin e fshirjes së trurit në aspektin e të menduarit në familje dhe vendlindjen e tyre. Nga torturat e ushtruara ndaj grupit të adoleshentëve nga mafia, e pëson-vritet Urtani, i cili krijon dhimbje shpirtërore në mesin e shokëve të tij.Pas rastit makabër të mafias, ndaj Urtanit, fillon një sprovë e re,ajo e ikjes nga Italia dhe kampet e çmendura mafioze dhe me shumë peripeci kalojnë në shtetet tjera të Evropës, fillimisht, Austri, Gjermani, Danimarkë e Norvegji.

Gjithandej ,duke jetuar me të zitë e ullirit ,pa ditur gjuhë, pa para, pa punë, pa vendstrehim, duke kaluar kohën nëpër parqe, duke mbledhur e shitur kanaqe e shishe sa për bukën e gojës, duke u sfiduar me kohën....

Tërë ky strumbullar vuajtjesh i futur në shpirtin e një moshe të re, si shkaktar nga një armik i pamëshirshëm e barbar, siç ishte politika hegjemoniste serbe, te kjo mashë e re, pos plagëve, konsolidon edhe përvojën e qëndresës, po në ato kushte mjerimi, duke drejtuar mendjen se “vetëm me punën e djersën e ballit jetohet”, assesi me punën e krimit të drejtuar nga të tjerët .

Koha dhe vuajtjet kishin dhënë mësimin e të vepruarit ndryshe . Përkundër të gjitha vështirësive të përjetuar nga mafie italiane dhe dhuntitë jetësore të pastajme, nëpër vite, vetëm sa riformuan në kokat e tyre të menduarit për familjen, vendlindjen, ”Lagjen e mbrapshtë” fjalët e prindërve dhe të vjetërve të fshatit, për çdo aspekt të jetës. Siç thoshte Albert Kamy, “kotësia e jetës është fataliteti i vdekjes”.

Prandaj, koha kishte bërë të vetën, vitet kishin ikur ,ndërsa jeta filloi të merret me rrjedhat e reja në shtetet e Evropës. Përkundër marrjes me veprimtari agresive siç ishte Arben Bala ,duke punuar si roje nëpër kazino e vende të tjera të rrezikshme, nga ku ishte e pamundur tu ikësh skandaleve, megjithatë nga e kaluara i kishte mbetur në shprehi jete rrahja me njerëz, aty ku luftohej e keqja, futja e drogës si “kënaqësi” e masës rinore. Për këtë arsye te policia kishte krijuar aq autoritet dhe nuk merreshin masat ligjore ndaj tij edhe kur kishte raste teprimi të forcës si sigurimi i objekteve të tilla.

Arbenit dhe gjithë grupit të kidnapuar nga romi Xhemilin, kurrë nuk u ikte nga kujtesa kjo figurë kriminale,e cila i kishte dëmtuar skajshmërisht për gjithë jetën. Kur e mendonin pamjen dhe bëmat e tij, dhëmbët u kërcisnin nga urrejtja dhe dëshira për hakmarrje. Një ditë, papritur, Arbeni e takon rastësisht duke mbledhur kanaqe e shishe,sikur bënte vetë ai në fillim.Posa e identifikon, e ndalon dhe ia propozon një pune me fitim më të lartë, të cilin ai e pranon, duke mos e njohur tani më Arbenin, atë të cilin e kishte dhunuar në gjitha format e jetës. Pastaj Arbeni, në emër të gjithë të kidnapuarve, kryen hakmarrjen ndaj Xhemilit, duke i treguar të gjitha veprimet e veta monstruoze .

Rasti i lartcekur dhe i trajtuar në romanin “ARBA” nga autori Hysen Berisha ,duke përdorur realitetin e kohës, por edhe aspektin e fantazisë prej autori, vë në pah një pjesë të filozofisë së popullit të vet, se e keqja nuk harrohet kurrë dhe se ajo të rikthehet kurdoherë. Këto veprime janë pjesë e gjeneve të popullit që mbesin në mbamendje përgjithmonë.

Njëtrajtshëm është edhe trajtimi i dashurisë familjare dhe e vendlindjes, kur kriminelët kot kanë provuar shlyerjen e kujtesë për familjen dhe atdheun. Zaten, kjo formë trajtese është e futur që moti në materien e letërsisë sonë, qoftë ajo gojore apo artistike, që në kohën e Skënderbeut. Mjafton të përmendim marrjen e tij si jeniçer nga pushteti osman dhe bëmat e tij pasi bëhet ushtar e oficer trim e i stërvitur, si i kthehet atdheut në mbrojtje nga turqit....

Pra, kjo filozofi, e përdorur edhe te romani “ARBA” nuk është e re, por ekziston historikisht.Në rastin konkret, ky motiv bartet si produkt i kohës, më i freskuar në luftën e fundit të Kosovës me klikën shoviniste serbe.Personazhi Galani, kthehet për ta ndihmuar luftën për liri në Kosovë, por vritet heroikisht.

Rinjohjet familjare si në baladat e së kaluarës.

Në gjitha këto persekutime e katrahura të jetës, nga ndjekjet sllave nëpër shekuj, edhe në luftën e fundit në Kosovë, masakrat ishin qëllimi kryesor i armikut. Autori i librit ,Hysen Berisha, me mjeshtërinë e pendës, duke i përshkruar me shumë nostalgji, i ka balladizuar takimet e familjeve shqiptare gjithandej botës perëndimore, pas shumë e shumë vitesh. Këto ritakime, me përshkrime aq të zjarrta e të përlotshme, me gëzimin e vuajtjes, përmbajnë pjesën më të ndritshme të këtij libri historik.

Takimi i Arbenit me prindërit e tij pas gjashtëmbëdhjetë dhe i Norës pas shtatëmbëdhjetë viteve, janë piramida e veprës në romanin “ARBA,” të autorit Hysen Berisha. Bile, Nora, takon vëllanë i cili kishte lindur pas kidnapimit. Vëllain e madh ia kishin vrarë serbët kur ishte student në Beograd, në vitet e fundit të 80-tave.

Ka një element të padiskutueshëm pozitiv ,një rol i shumëfishtë i personazhit, Arbeni,i cili nga një reputacion negativ i botës së krimit, bëhet personazh dhe personalitet i admiruar në shumë filma në shtetin skandinav, Norvegji, me interpretimin e roleve negative. Shkathtësitë prej artisti ia zbulon një regjisor norvegjez, duke e përcjellë qëndrimin e tij në kafiteri, pamjen dhe sjelljet karakteristike personale. Me aftësinë kreative prej artisti, i pajisur edhe me inteligjencë e përvojë jetësore, por edhe shkollore, personazhi i këtij libri, Arbeni, ka luajtur në shumë filma e drama në rolet kryesore të shtetit norvegjez.

Nuk mendoj se duhet të “filozofojmë” duke ndarë rolet “pozitive” e “negative” të personazheve në këtë vepër për faktin se të gjithë si grup i moshës së mitur, janë viktimë e njërit personazh negativ,i cili kryen kidnapimin e tyre, duke ua dhënë të mbrapshtën përgjithmonë. Këtë rol e ka luajtur vetëm Xhemilini, dorë e zgjatur e armikut shekullor serb.

Si përfundim, pas gjithë asaj që cekem më lart, konsideroj se ky roman, falë talentit dhe ndjeshmërisë së autorit për temat e tilla,është një pasuri letrare në letërsinë tonë.Për faktin se një krijues si Hysen Berisha, përmes personazheve jomadhorë, që rrallë ngjan, ka portretizuar një kohë, një histori të popullit, përjetuar në mënyra e forma të ndryshme.

Romani në fjalë, mbetët si realitet i përjetuar, i hulumtuar dhe i studiuar, duke ua prezantuar lexuesve mynxyrat e kryera të një pushteti skizofren ndaj një populli heroik e historikisht të pafajshëm.

Gjithsesi, ky roman shkruar me një ndjeshmëri të skajshme, i bënë nder letërsisë sonë më të re, e cila po rrugëton çdo ditë kah përsosmëria, kah modernizmi evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat