Ku është Idriz Rrecaj?

Kultura

Ku është Idriz Rrecaj?

Nga: Vehbi Xani Më: 21 prill 2021 Në ora: 16:17
Idriz Rrecaj

Këtë pyetje e bën Familja e Idrizit, ashtu si mijëra familje shqiptare të Kosovës që zgjohen e ngrysën, qe njëzet e dy vjet, me këtë ankth-pyetje për të pagjeturit e tyre. Kjo është pyetja e gjithashtu edhe dhimbja më e madhe e Kosovës që nuk po gjen as përgjigjeje e as shërim.

Në këtë përvjetor të Idriz Rrecajt po e sjellim shkrimin biografik me rastin e emërtimit të Sheshit “Idriz Rrecaj” në Skënderaj:

Llausha, si shumë fshatra të Drenicës, i ka dhënë historisë sonë burra të pushkës e të mendjes në të gjitha kohët, duke filluar nga ZeqirKurti, Miftar Bajraktari, Halil Bajrktari, Ramë Babaj Osman Gecaj, Idriz Rrecaj dhe të tjerë. Në këtë fshat, me shpatije të pjerrëta e kulla hijerënda, më 10 nëntor të vitit 1944 u lind Idrizi. Ai u përkund nën gjëmimin e topave, pra një luftë e solli në jetë dhe lufta tjetër e mori nga jeta. Idrizi u rrit bashkë me rrëfimet për bëmat e Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Ahmet Selacit e Shaban Polluzhës, të cilët ishin mysafirë të shpeshtë në Kullën e Zekë Sallahut, stërgjyshit të Idrizit. Kulla u bë një sogje e përhershme për trimat e lirisë, të cilët kanë lënë gjurmë të thella në personalitetin e Idrizit përmes rrëfimeve për heroizmat e tyre. Fryma patriotike e kullës u përcoll brez pas brezi nga Zeka tek Imeri, gjyshi i Idrizit, nga Imeri tek Islami(babai) dhe nga Islami tek Idrizi.

Idrizi e kreu shkollën fillore në Llaushë dhe në Skënderaj, kurse të mesmen, shkollën bujqësore, e kreu në Prishtinë. Edhe pse komuna kishte nevojë për ekspertë të bujqësisë, atij nuk i afrohet ndonjë vend pune, kështu ai u detyrua të bëjë ndryshimin dhe e kreu shkollën normale. Pasi u diplomua për mësues ai punoi në këtë profesion tre muaj në Orllat, por këtu nuk gjeti gjuhë të përbashkët me disa komunistë ekstremë, si e thotë ImerDubofci, ish drejtor i Shkollës fillore në Dobroshefc të Drenasit, për këtë u detyrua të shkojë në Dobroshec në vitin shkollor 1964|65. Kolektivi i kësaj sholle ishte një fole patriotësh, këtu Idrizi punoi me Fazli Grajqevcin, Zeqir Gërvallën, Musa Hotin, Rrustem Morinën, Lah Musliun e të tjerë. Ai ishte i adhuruar e i respektuar nga të gjithë, si nga kolegët ashtu edhe nga nxënësit dhe prindërit e nxënësve. Njëherë, një prind i drejtohet Idrizit: “Ti, mësues me shokët tu i keni pesëdhjetë shtëpi (aq kishte fshati atëherë), në çdo kohë jeni të mirëpritur”. Ndër të tjera, kështu rrëfen nxënësi i dikurshëm i kësaj shkolle HajrullahHajdaraj. Jo shtëpi,po ai kishte ndërtuar një kala miqësie, burrërie e trimërie dhe për katër vite duke mbjellë te nxënësit dituri e edukim në frymën kombëtare shqiptare, ndërsa te banoret e këtyre fshatrave kishte lënë shembullin e njeriut e intelektualit të pathyeshëm.

Shërbimin ushtarak e kreu në Slloveni dhe në Egjipt, në kuadër të forcave paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1968. Atje fitoi një përvojë të paparë dhe mësoi për atë: se çfarë është rrugëtimi i një populli drejt lirisë; sa fatale janë fatet e popujve të vegjël në përplasjen e interesave të fuqive të mëdha dhe sa është i rëndësishëm rreshtimi i duhur politik për një komb e për një shtet.

Demonstratat e vitit 1968 shënuan një kthesë në të mirë të Kosovës duke e ndalur, për një kohë, represionin çnjerëzor të UDB-së. Nga kjo klimë e zbutur politike përfitoi edhe Idrizi, ai u kthye të punojë në komunën e Skënderajt si ekspert i bujqësisë në kooperativën bujqësore.

Në vitin 1971 u regjistrua në Universitetin e Prishtinës,në Shkollën e lartë bujqësore,të cilën e kreu me sukses. Pas mbarimit të studimeve kthehet të punojë në Kooperativën bujqësore në Skënderaj, si inxhinier reparti në fillim e pastaj shef reparti.

Në vitin 1978 emërohet drejtor prodhimi në “Produkt”, kështu filloi të quhej atëherë kombinati bujqësor në Skënderaj. Postin e drejtorit e ushtroi me dinjitet e vendosmëri të madhe, punësonte njerëz që vërtetë e meritonin, njerëz që ishin të varfër, e jo ata që i propozonte komiteti,pranonte në punë ekspertë të mirëfilltë, e jo puthadorës dhe servilë. Kjo bëri që të jetë përherë e më shumë i padëshiruar për pushtetarët, por i respektuar për punëtorët dhe qytetarët e Drenicës. Punëtorët i dolën disa herë në mbrojtje, por nuk e shpëtuan dot nga shkarkimi prej postit të drejtorit të prodhimit.

Pastaj punoi si inxhinier në terren dhe inspektor i bujqësisë, për të qenë përherë në kontakt me popullin, e për të krijuar një respekt e admirim reciprok. Secili fshat e secila shtëpi e mirëpriste gjithëherë si njeri të mirë, njeri të guximshëm, human dhe të ditur. Ai ishte vazhdimisht në anën e popullit, kur duhej të jepte mendimin si ekspert i bujqësisë, në rastet e fatkeqësive natyrore dhe dëmeve tjera që shkaktoheshin në pronat e bujqve të fshatrave të Drenicës.

Fundi i viteve ’80-ta dhe vitet e ’90-ta ishin edhe një ngrysje për Kosovën. Pas suprimimit të autonomise së vitit 1974, populli shqiptar i Kosovës barti mbi supet e veta edhe një peshë të rëndë të robërisë, një nga ato më çnjerëzoret që vetëm pushtuesi serbosllav din t’i ushtrojë. Shpërngulja e madhe e popullatës, dëbimi i punëtorëve nga puna, mbyllja e shkollave, vrasjet, maltretimet dhe plaçkitja u bënë të përditshme, më të përditshme se buka që mungonte në shumicën e rasteve. Ushtria dhe policia serbe me tanke e blinda u munduan të vrisnin e të shkatërronin çdo gjë, por ideali i popullit për liri lartësohej, atij i duhej një organizim dhe ai u arrit përmes lëvizjes popullore që e pagëzuan Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën. Lëvizja u përhap në tërë Kosovën dhe më tej, kështu në Skënderaj u formua këshilli nismëtar nga një grup intelektualësh, ku bënte pjesë edhe Hamëz Jashari , tani hero i kombit, këta e organizuan mbajtjen e kuvendit zgjedhor. Kuvendi zgjedhor i LDK Dega në Skënderaj u mbajt më 17 janar 1990 me maksimumin e votave e zgjodhi kryetar IdrizRrecajn dhe kryesinë në përbërje: ShaqirBarani, Ekrem Kryeziu, Sejdi Koca, Xhafer Murtezaj, Vehbi Xani, Vildane Miftari, Ajnishahe Halimi, Fadil Geci, Emin Halimi, Avdyl Salihi, dhe Osman Haliti.

Me zgjedhjen e Idrizit në krye të lëvizjes, sikur u përmbush ajo maksima e lashtë- njeriu i duhur në kohë të duhur. Pesha e personalitetit të tij, po edhe e anëtarëve tjerë të kryesisë, bënë që suksesi të jetë i madh në veprimtarinë e lëvizjes. U bë pajtimi gati i të gjitha gjaqeve dhe ngatërresave të shumta; u organizua mësimi nëpër punkte, i vlerësuar si njëri nga më të mirët në Kosovë. Një punë e madhe u bë në organizimin e mbledhjes dhe shpërndarjes së ndihmave, këtu duhet përmendur të palodhshmin MuharremDerguti,i cili për t’i ndihmuar skamnorët nuk kurseu asgjë, madje as shëndetin e tij. Informimi ishte shumë në nivel, vetë Idrizi mbante kontakte të vazhdueshme me medie kombëtare dhe ndërkombëtare duke e sensibilizuar opinionin vendas, kombëtar dhe atë të huaj me gjendjen e rëndë të jetës nën robërinë serbe në Drenicë dhe në Kosovë në përgjithësi. Shumë manifestime mbaheshin për heronj dhe të rënët tjerë për liri, si përvjetorët e Azem e Shote Galicës, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, Selman Vojvodës e të rënëve tjerë. Manifestimet,të vlerësuara si nga më të mirat në Kosovë, ishin masive dhe të fuqishme, ku shpeshherë ndërhynte policia, duke u munduar t’i ndërpriste ato. Maltretonte e arrestonte veprimtarë, por nuk mundte ta zbehte nivelin e atyre tubimeve madhështore, përkundrazi shtonte mllef e pezëm në masën e tubuar dhe në tërë popullin shqiptar. Organizoheshin varrime të ushtarëve të vrarë në armatën jugosllave me pjesëmarrje nga të gjitha trojet shqiptare, në shumicën e rasteve të rrethuar me take e blinda serbe e të torturuar e të arrestuar shpeshherë.

Disa herë e arrestuan edhe IdrizRrecajn ia bastisën shtëpinë, e torturuan atë, ia maltretuan edhe familjen. Kjo veprimtari zgjati afro një dekadë, deri në masivizimin e luftës së Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, kur fillon një epokë e re.

Më 28 Nëntor 1998 u bë varrimi i mësuesit HalitGeci, që ishte edhe ditëlindja e Komandantit Legjendar edhe Dita e Flamurit, në këtë ditë u bë edhe një datë historike, kësaj i shtohet edhenjë festë, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë. Këtë manifestim e organizuan UÇK, Shkolla e Llaushës, Nëndega e LDK-së në Llaushë dhe Kshilli komunal i arsimit. Idrizi e kishte emruar edhe komisionin për manifestim në përbërje Xhafer Mutezaj, Vehbi Xani dhe Skënder Rrecaj.

Në këtë tubim të zjarrtë u paraqit edhe Idrizi me një fjalë rasti. Ai ndër të tjera tha se liria i ka rrënjët në këto male të koçakëve, ajo këtu do të mbijë, do të lulëzojë e do të rritet, e ku tjetër pos në zemër të Drenicës.

Misioni i Idrizit ishte i rëndësishëm edhe në këtë fazë, ai kishte kontakte bashkëpunimi e bashkërendimi me Komandantin Legjendar Adem Jasharin dhe komandantët: Jetullah Gecin, Sylejman Selimin, Sami Lushtakun e të tjerë. Kështu Sami Lushtaku në një takim që patën gjatë luftës me Idrizin, ia konfirmoi se shumë të rinj para se të hynë në UÇK e kanë pasur edhe bekimin tuaj. Ndërsa, JetullahGeci, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti” tregon se me Idrizin kanë bashkëpunuar vazhdimisht.

Idrizi ishte njeri me ndikim të madh, ishte figurë pajtuese, i guximshëm dhe si e quante populli –trim i urtë- këto janë tipare jetike për të udhëhequr me masa. Ndikimi i tij në popull u bë halë në sy për okupatorin, për këtë ai ishte i ndjekur në çdo hap nga pushtuesi serb. Këtë e vërteton edhe një dokument i shtabit të ushtrisë serbe, gjetur në lokalet e tyre, nga përfaqësuesi i OSB-së. Në atë dokument (sipas Arben Kocit, përkthyes në OSB) ishte edhe një fotografi e Idrizit me disa anëtarë të kryesisë dhe një shkresë- urdhëresë. Urdhëresa urdhëronte policinë serbe që të identifikohen fytyrat e rrethuara në fotografi dhe të arrestohen. Fytyrat e rrethuara ishin të renditur me numra, ku Idrizi ishte nën numrin një. Kjo tregon se ata kanë pasur një gjakim të madh për ta eliminuar, se prita në bjeshkë të thella nuk arsyetohet ndryshe. Pastaj, shumë shqiptarë të burgosur dhe të arrestuar, në biseda informative i kanë pyetur për Idrizin. Disa kolonave me refugjatë,të dëbuar me dhunë nga policia dhe ushtria serbe, përpos vrasjeve, maltretimeve e përbuzjeve të vazhdueshme, policia ua bënte pyetjen: “Ku është IdrizRrecaj?”.

Kjo pyetje: “Ku është Idrizi?” me gjasë do të jetë e përjetshme, por me një ndryshim, tani e shtruar nga pala tjetër: nga familjarët, nga miqtë, shokët dhe nga mbarë Drenica.

U bënë më shumë se pesëmbëdhjetë vjet që familjarët, shokët dhe të gjithë drenicasit nuk e kishin një vend për të vënë një tufë lule, që ta lehtësonin mallin e dhimbjen për Idrizin. Ndërsa prej 18 qershorit të këtij viti (2015), me iniciativën e Kryetarit të Kuvendit Komunal, zotëri Sami Lushtakut dhe Jetullah Gecit, tani asambleist, Kuvendi Komunal i Skënderajt e emërtoi parkun e qytetit me emrin e Idriz Rrecajt. Përjetësimi i Idrizit është edhe një dëshmi se ai ishte një nga figurat më emblematike të Drenicës, njeri që dha çdo gjë për çështjen kombëtare, e në fund edhe jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat