Mos të harrojmë “epokën e Aliut!”

Kultura

Mos të harrojmë “epokën e Aliut!”

Nga: Bajram Sefaj Më: 24 prill 2021 Në ora: 14:49
Ali Sutaj

Atë që Anton Pashku ia dha (fali) letërsisë shqipe në Kosovë, Ali Sutaj ia dha (fali) gazetarisë kosovare-shqiptare. Që të dytë, njësoj, këtyre brigjeve, ia falën jetën!. Nëse veç nuk ekziston, sa më parë e mundur, duhet të themelohet shpërblimi vjetor për gazetari, me emrin Ali Sutaj!

Jemi në vitin 1966...

... Edhe pse isha ushtar i një ushtrie të urryer, ani pse isha nën uniformën e saj të trishtueshme (eSeMBe), ani pse kaloja si është më së keqi, kur provoja çaste të vështira që me qonin deri në vetëvrasje(!), gjëja kohë dhe kisha fuqi të ulëm e të shkruaj ndonjë artikull të vogël. I shkruaja, aty-këtu Zërit të Rinisë, kryeredaktor i së cilës javore asokohe ishte Ali Sutaj.

Ai jo vetëm që botonte shënimet dhe skicat e mia nga atje, por, e shihte të arsyeshme dhe gjente kohë e mundësi të me niste ndonjë lek (honorar), që sado i imtë që ishte, për mua, si ushtar që isha, ishte i mirëseardhur dhe i madh sa të duash.

Meqë ra fjala, shfrytëzoj rastin jetik dhe të dashur (për mua), të them edhe ndonjë fjalë për Ali Sutajn dhe personalitetin e tij. E kam dashur shumë, si njeri, që nga takimi i parë me te. Shumë e shumë herë, kemi pirë konjak bashkë. E kam adhuruar si gazetar. Mbase e kam pasur edhe idol, si i thonë fjalës. Shkrimet e tij i kam pëlqyer shumë. Dhe, pa teprim, as fije gënjimi as mashtrimi, mund të deklaroj, pa hezitim se, nuk kam lenë shkronjë, jo më tekst, por, as fjalë më nënshkrim të tij, pa e lexuar. Prej ditëve të hershme, kur emri i tij filloi të shfaqej me shkrime të ndryshme, si korrespondent (pothuajse vullnetar) nga komuna e Deçanit e deri në ditët e fundit tej jetës së shkurtër dhe karrierës së pasur të tij.

Ali Sutaj shkruante bukur. Mrekullisht. Ishte stilist i hollë. Bravuroz. Ekuilibrist. Me te kam bashkëpunuar gjatë e dendur. Me artikujt e ndihmesa e kam ndjekur gjithkund ku ai ka punuar. Edhe kur ishte në Zërin e Rinisë, edhe në Shkëndijë, edhe kur ishte redaktor në rubrikën e kulturës në Rilindje. Edhe kryeredaktor i “Fjalës). Ani pse kurrë e asnjëherë nuk kam qenë në marrëdhënie pune në një redaksi me te. Me vjen mirë, jam krenar që, për të gjallë të tij, në njërin nga numrat e gazetës “Flaka e vëllazërimit”, në muajin tetor, të vitit 1975, në kuadër të serisë se shkrimeve të mia me titull të përbashkët, “Skicë (e vogël) për portret të madh”, kam botuar edhe një reportazh të gjatë kushtuar Ali Sutajt. Me krenari, edhe sot e kësaj dite, përgjithmonë, atë reportazh e ruaj si kujtim të mirë, në faqet e librit tim publicistik, me intervista e mbresa, “Shenjë kohe” (signum temporis), që në vitin 1998 e nxori në dritë, Ndërmarrja Botuese Rilindja, në kuadër të bibliotekës Botime të Veçanta.

Nga ai reportazh, shkëpus dhe riprodhoj, vetëm një grimcë tekst, ashtu si e kam shkruar këtu e tridhjetë e dy vjet më parë.

/... Nga komuna e vogël, (Deçan) përditë në gazetë: një lajm, një informatë, taze e freskët, plot brum, plot entuziazëm (kuptohet), plot rrjedhshmëri, me fjalë të qarta, kuptimplota, me një shkathtësi në të shprehur dhe elasticitet në të thurur...në redaksinë e uritur dhe të etshme të “Rilindjes”, që vinin me emrin dhe mbiemrin e Aliut, botoheshin. Një ditë, edhe një ditë tjetër. Lajmi zgjerohet pak, anon kah informata, shënimi (i zakonshëm) e synon elementin e reportazhit... Ishin këto sinjale të mjaftueshme për redaksinë e “Rilindjes” se atje, atje diku, në njërën nga anët e jazit, në Llukën e Epërme të bereqetshme, është duke rrahur një zemër gazetari. Fill e në Deçan. Deçani i vogël e intelektualë, mësues të diplomuar, jo edhe aq shumë. Ata të redaksisë së “Rilindjes”, patën punë të lehtë. Menjëherë e gjetën Aliun – Ali Sutajn. “..Kur fillova të punoj në “Rilindje”, por edhe më vonë si kryeredaktor i “Zërit”, hetoja se tokë të thatë (simbolike) të gazetarisë kemi. Ndjeja disi se, edhe shumë do sfera të jetës dhe të rritës sonë shpirtërore, i kemi të “pambuluara” me faqe të gazetave e publikimeve gjegjëse. Kështu i lidha në nyje tëra ato shkëndija që kallnin entuziazmin tonë për të nxjerrë edhe sa më shumë gazeta periodike, kuptohet....”.

La, e lë Ali Sutaj gjurmë në gazetarinë tonë që sot zhurnalizëm, të hidhet t’i themi. “Epoka e Aliut” – rrok këto dy decenie, jo vetëm me një hulumtim të thellë për shprehje sa më të përsosur e

bashkëkohëse gazetareske (në të gjitha gjinitë e shprehjes gazetareske) por, edhe si nismëtar e entuziast i “lindjeve të vështira” të shumë atyre gazetave e revistave që sot stolisin kopshtin gazetaresk kosovar. “Fjala”, “Shkëndija”, “Thumbi”, “Gazeta e pionierëve”..., tëra këto gazeta në varg, janë të lidhura ngushtë me aktivitetin gazetaresk të Ali Sutajt. Lirisht mund të thuhet se, të gjitha këtyre gazetave “perçet u mori” dorë e sigurt e gazetarit të rryer dhe të palodhur (Ali) i cili, shumë net të pagjumë bëri, për një “Fjalë”, për një “Shkëndijë”, për një emër (titull) të ri më tepër në këto troje.../.(“Flaka e vëllazërimit”, tetor 1975).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat