Për ata në parajsë

Kultura

Për ata në parajsë

Nga: Xhevdet Bajraj Më: 30 prill 2021 Në ora: 20:06
Xhevdet Bajraj

Duhet guxim i madh për të jetuar në kujtesën e të tjerëve

Miku im i shtrenjtë

Dhembjen e kam këmishë të përditshme

Me cigare të lira në xhepin e saj

Dhe një biletë autobusi që kurrë nuk e shfrytëzova

Për në Bellacërkë

Duhet guxim i madh të jetosh nëpër ëndrrat e të tjerëve

Miku im i vrarë

Unë shpesh dehem me raki e dhembje

Kafeneve të Meksiko Sitit

Dhe fle si i vdekur

Mbi ujërat e zeza të poezisë që i shkruan jeta

Kosova çeli si vezë shqiponje

Pa ty

Liria erdhi si fëmijë me vaj e me qyrra

Dhe ende pret pranë nevojtores së historisë

Të përfundojë lufta mes krimbave për kolltuqet

E mbushura me pasthirrmat e atyre që nuk janë më

"Blues në qiellin e indianëve", Brezi 9, Tetovë, 2003

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat