Ylli i pashuar i pajtimit

Kultura

Ylli i pashuar i pajtimit

Nga: Vlash Prendi Më: 3 maj 2021 Në ora: 17:49
Anton Çetta

Në zhvillimin dhe përjetësimin e shkencës folklorike shqiptare një vend nderi i takon edhe humanistit të shquar, folkloristit të palodhur dhe simbolit të pajtimit mbarëkombëtar prof. Anton Çeta. Një jetë të tërë e kaloi maleve të Kosovës me laps në dorë duke mbledhur nga goja e popullit perlat e folklorit shqiptar, një jetë të tërë e kaloi ai në kullat e moçme të vendlindjes duke vendosur kryqin e artë të pajtimit. Ashtu i urtë, i heshtur, i matur dhe i ëmbël u fut në zemrat e njerëzve, në kujtesën e tyre, për të mos u shuar më kurrë.

E ndersa kёto ditё pranvere po i afrohemi 30 vjetorit tё nisjes sё misionit tё pajtimit nga i paharruari dhe i pavdekshmi Anton Ҫetta, mё njoftojnё se nё qytetin e Klinёs ёshtё vendosur busti i humanistit tё shquar, simbolit tё pajtimit prof. Anton Ҫetёs, i cili sё bashku me misionarё tё tjerё kosovarё si Zekeria Cana, Hajrulla Gorani, Mark Krasniqi, Engjёll Sedaj etj, punuan me pёrkushtim pёr tё shuar njёherё e pёrgjithmonё zakonin e egёr tё gjakmarrjes nё shoqёrinё kosovare. Me inisiativёn dhe pёrkushtimin e kryetarit tё asociacionit, Forumi i Intelektualёve ”Luigj Gurakuqi” nё Klinё, z. Zenun Zenalaj dhe me ndihmёn e pakursyer tё humanistёve dhe patriotёve Dodё Ndrecaj dhe Pal Canaj, busti do tё perurohet sё shpejti nё qendёr tё qytetit historik tё Klinёs.

Profesor Anton Çeta lindi në qytetin e lashtë të Gjakovës me 20.02.1920 në një familje me tradita atdhetare.Familja e tij ishte me origjinë nga Fani i Mirditës e ardhur në Kosovë aty nga mesi i shekullit të XVIII.Gjyshi i tij Dedë Kolë Çeta pati rrëmbyer armët kundër pushtueseve turqe në mbrojtje të trojeve amtare,prandaj ai u përjetësua edhe në këngë :”…Krisi pushka n’ato shkrepa, / Luftë po ban ky Dedë Kolë Çeta, / Po luftoka megjith vëlla, / Shumë asqer na paska vra…”. Ishte djali i Lazër Çetës i cili u vendos në Gjakovë për arsye ekonomike aty nga mesi i shek XVIII. Por në Kosovë nuk qëndroi gjatë sepse familja e tij, për arsye pune u vendos në Tiranë rreth vitit 1926. Në këtë kohë babai i tij Lazri, punoi disa vjet në Ministrinë e Arsimit të asaj kohe. Antoni i vogël i filloi mësimet në Tiranë, ndërsa në vitin 1934 i vijoi ato në Liceun e Korçës. Lazër Çeta ishte njeri me kulturë, intelektual i njohur dhe atdhetar. Ai i shfaqi hapur pikpamjet dhe idetë e tij atdhetare dhe demokratike. Për këtë, në vitin 1938 burgoset dhe internohet në Itali ku vdes larg atdheut.

Antoni i vogël mbetet jetim. I detyruar nga kushtet e rënda ekonomike detyrohet të ndërpresë studimet në Lice dhe të udhëtojë për tek dajat në qytetin e Gjakovës. Ishte një udhëtim trishtues, pa shpresa por që pati vlera për djalin e ri, por i ndihmuar nga dajat e tij, përfundoi studimet e ndërprera në Korçë dhe u nis drejt Beogradit për të vijuar studimet e mëtejshme për romantikë. Pas përfundimit të studimeve caktohet mësues në fshatrat e Kosovës ku punoi për një kohë të gjatë në disa krahina për përhapjen e dijes. Krahas punës mesimore merrej edhe me krijimtari letrare, por jeta e tij ishte e lidhur me mbledhjen,botimin dhe studimin e folklorit të ruajtur në gojën e popullit kosovar. E nisi aktivitetin e tij shkencor në një periudhë tepër të vështirë,por ka merita të pamohueshme sepse njohu lloji e zhanre të ndryshme të kulturës folklorike. Zbuloi dhe mblodhi krijime të panjohura më parë, solli variante shumë interesante, hodhi teza origjinale për prejardhjen e burimeve folklorike dhe përpunoi përpunime të sakta rreth fushës së folklorit në zona dhe krahina të ndryshme të Kosovës. Me punën e tij plot përkushtim, me gjetjet folklorike synoi të zgjonte tek bashkëkombësit e tij ndjenjën e respektit për vlerat e pakrahasueshme të folklorit të ruajtura në zemrën e popullit.

vitin 1967 kur u krijua Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. Antoni u ngarkua me detyrën e shefit të katedrës së folklorit, punë të cilën e bëri plot zelle dhe dëshirë. Menjëherë formoi një arkiv të pasur me pasuri të gjalla folklorike të mbledhura nga të gjitha trevat shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër Arkivi i folklorit pranë Institutit Albanologjik ishte pasuruar mjaft. Pasuria e tij tashmë arriti një shifër rekord. Kishte mbledhur rreth 450 000 njёsi folklorike. Nuk vonoi edhe seria e botimeve të tij, kur ndër më kryesoret mund të përmendim “Balada dhe legjenda”, Vol.I, Prishtinë 1974, “Balada dhe legjenda”, Vol,II, Prishtinë 1977, “Kënga kreshnike”, Prishtinë 1974, “Kërkime folklorike”, Prishtinë 1981, “Këngë dasme”, Prishtinë 1984, të dyja këto të fundit me bashkëautor Anton Nikё Berishën. këto vepra dhe të tjera, paraqitet një fragment i pasurisë së madhe shpirtërore të popullit tonë, të këngës, zakoneve dhe riteve të tij, pikërisht ajo pasuri që jeton e zhvillohet me tipare të përbashkëta dhe dalluese në mbarë trevat e banuara nga mbarë shqiptarët. Ky ka qënë një kontribut i padiskutueshëm i tij që dëshmon për lashtësinë dhe njesinë e etnokulturës sonë popullore në Kosovë dhe më gjërë. Kjo punë kishte vlera argumentuese pasi vertetonte autoktoninë e shqiptarëve në ato treva prehistorike. Ky njeri gojëëmbël i qeshur dhe i afrueshëm me njerëzit e thjeshtë ndjente kënaqësi të veçantë kur zbulonte nga goja e popullit një dëshmi të re, një këngë një baladë ose legjendë të panjohur më parë. Përmes veprës së tij, këngëve dhe riteve të mbledhura ai vuri re se në ceremonialin e dasmës shqiptare dallohen gjurmë zakonesh e ritesh të vjetra të epokave të ndryshme historike. Këto shtresime historike shoqërore i japin ceremonialit të dasmës karakter të lashtë me një ritual të pasur dhe interesant. Njohja e thellë e jetës së malësorëve, traditave dhe zakoneve të tyre, psikologjisë dhe trashëgëmisë kulturore e bëri prof . Anton Çetën të aftë dhe autoritar të respektuar dhe të dashur sa që të gjithë e ndjenin se ishte i tyre, të gjithë e besonin fjalën e tij, mendimin e tij. Tani Instituti Albanologjik i Prishtinës nën drejtimin e tij kishte krijuar një fizionomi të plotë dhe kishte botuar 25 vëllime të korpusit të folklorit popullor nga trevat shqiptare. Për një kohë të gjatë ka drejtuar dhe shkruar mjaft artikuj në revistën shkencore “Gjurmime Albanologjike”, ka marrë pjesë në mjaf konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit duke dhënë ndihmesën e tij edhe në kuadrin e studimeve folklorike ballkanike, duke i paraqitur faktet me kopetenca dhe nivel të larte shkencor. Prof . Anton Çeta ishte një thesar pashtershёm i kulturës dhe dijes. Ai shquhej për erudicionin, kulturën e spikatur në fushën e folklorit. Njohës i shkëlqyer i arritjeve folklorike botërore tradicionale dhe bashkëkohore. Ai ka çelur shtigje të panjohura dhe ka çuar më tej mendimin shkencor folkloristik shqiptar.

MISIONAR I PAQES DHE PAJTIMIT

Vitet 1990 trokitën me ndryshime të theksuara në jetën e shqiptarëve. Plaga e rëndë e hakmarrjes ishte përhapur kudo ndёr shqiptarё. Jetën njeriut ia kishte falur Zoti, por vala e ndryshimeve bënte që shumë jetë të shkonin nga dora gjakatare. Anton Çeta nuk mund të heshtëte. Tani ai do të merrte vlera të veçanta duke ndërmarrë me inisiativën e tij një aksion që do të mbetet në histori. Ai vlerësoi si shumë te rrezikshme pasojat e rënda të hakmarrjes që ushqehej djallëzisht nga qarqet e caktuara shoviniste për të përqarë popullin shqiptar, u mobilizua me guxim dhe mençuri për eleminimin e këtij fenomeni që po dëmtonte aq shumë marrëdhëniet mes vëllezërve kosovar. Kjo lëvizje fisnike filloi në shkurt të vitit 1990, në fshatin Lumëbardhë të komunës së Deçanit. Ishte një moment historik kur u fal gjaku i parë, kur u pajtuan dy familje, kur u shpetuan jetё vёllezёrish kosovarё. Ishte falur një jetë, për këtë prof. Antoni ndihej krenar. Kishte vënë në funksion përvojën e tij shumëvjeçare në njohjen e normave kanunore dhe rregullave familjare e marrëdhënieve fisnore në mbarë Kosovën. Këtë përvojë të shkëlqyer e vuri në shërbim të çeshtjes së madhe të pajtimit. Brenda një kohe të shkurtër në mbarë Kosovën ishin falur mbi 900 gjaqe. Kudo emri i tij përmendej si perëndi. Në vatrat shqiptare, në bjeshkët e Kosovës, në frontin e luftës këndohej: “…Kur po vjen e bardha orë, / Me falë gjaqet në Kosovë, / Anton Çeta i biri i shqipes, / Plak i bardhë si rrezja e dritës,/ Zemra - zemrën lajmëron bjeshkën, / Prite, prite Anton Çetën, / Asht kallaj për me luejt çarkun, / Por ma zor për me fal gjakun, / Nderon kombin e kanakun, / Derë për derë kur çon flamurin, / Ban me folë gurin me gurin…”.

Kosova ishte përfshirë nga flakët e luftës. Era e barutit dhe krisma e pushkёs zotëronte ngado. Për kosovarët ishte bërë e qartë se pajtimi kombëtar ishte i domosdoshëm për t’i bërë ballë pushtuesit shovinist serb. Kështu, me 2 shkurt 1990 një grup studentësh nga qyteti i Pejёs krijuan Këshillin e parë të Misionit të Pajtimit të gjaqeve në krye të të cilit u vu prof. Anton Çeta, i cili me zgjuarsinë e tij, humanizmin, kulturën dhe vlerat njerëzore formoi bindjen se uniteti mes popullit, bashkëjetesa paqësore është themeli i jetës së qytetërimit, prandaj ai synoi të njohë së afërmi shpirtin e njerëzve, bujarinë, mikpritjen, besën, vlerat njerëzore dhe shpirtërore dhe gatishmërinë për të sakrifikuar për çeshtjen kombëtare. Mbartte mbi supe një përvojë shumë të pasur, gëzonte respekt dhe emër të nderuar dhe njihte mirë format dhe metodat e pajtimit. Pati gjithmonë pranë ndihmën e bashkëluftëtarëve tё tij më të vyer Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Pajazit Nushi, Zekeria Cana etj, të cilët nuk kursyen asgjë për çeshtjen e madhe të bashkimit. Fjala e tij, mendimi i tij i ndërgjegjësoi kosovarët se duhej ndalur vëllavrasja, duhej urryer hasmëria dhe hakmarrja. Kosovarët e njohën Anton Çetën dhe e vlerësuan si burrë fisnik, atdhetar i flakët, besnik i traditave popullore, prandaj e deshën shumë, i dëgjuan fjalën ulur këmbëkryq në log të kuvendit, ose në odat e burrave ku bëhej pajtimi. Ai synonte që me fjalën e tij të urtë, të matur, të ëmbël, të zgjedhur, të prekte shpirtin e njerëzve. Shpesh përdorte sentencën popullore “Me fal gjakun asht burrni, sepse trimi di me fal…”. Në mjaft raste tek kjo figurë madhore sintetizohej besimi i madh se “…Në qoftë se fal gjakun, ia fal vetëm Anton Çetës”.

Plaku legjendar tani ishte bërë figura më e spikatur në Kosovë e mё gjёrё. Misionar i palodhur i pajtimit, folklorist i shquar, deputet i Parlamentit të parë të Kosovës që nga viti 1990. Emri i tij tani ishte ngritur në kult. Tërë Kosova e njihte birin flokëthinjur. E prisnin me gëzim dhe zemër të hapur. Fjalët e tij kalonin gojë më gojë, familje në familje dhe fshat në fshat duke dhënë efektet e duhura në forcimin e ndërgjegjes kombëtare. Këto përpjekje madhështore shtonin shpresën se jeta po ngadhnjente mbi vdekjen, e këtë xhest fisnik po e bënin shqiptarët, të urtët, të mençurit, të dashurit, tolerantët, bijtёb e Kosovёs kreshnike. Rezultatet ishin të prekshme, reale dhe të pritshme. Brenda njё kohe tё shkurtёr u falën rreth 1050 gjaqe, 500 plagosje dhe 600 grindje të rënda me premisë hakmarrjen. Vepra e tij, puna plot pasion për pajtimin e gjaqeve është vlerësuar kudoherë. Prof. Anton Berisha shkruan: “...Në punën e tij në terren Anton Çeta njohu …gatishmërinë për flijim, qoftë për nderin vetijak e të familjes, qoftë për katundin, për fisin, për atdheun. Njohu urinë e njerëzve dhe madhështinë e veprimit individual e kolektiv në raste të gëzueshme…por dhe të dhimbshme e tragjike… “. Dr.Nikollë Toma e vlerëson: “…Mbeti i paharruar për faljen e gjaqeve, sepse shpëtoi qindra jetë njerëzish, sepse ndikoi në evitimin e plagëve të renda të cilat pushtuesi serb më shumë zell i stimulonte, sepse këto plagë kishin shoqëruar jetën e vёshtirё tё kosovarëve për shumë vite”. Ndërsa studiuesi Agron Xhangolli thotë: “…Diku prania e Anton Çetës, në një vend tjetër fjala e tij bindëse, në një vend tjetër një tregim popullor me temë pajtimin…ushtronin ndikime të pallogaritshme. Midis njerëzve që deri në ato momente shfaqej dhe shprehej armiqësi, që kërkonte vdekje, shtrihej dora e pajtimit, e fjalës, e bashkimit në emër të idealit të lartë të pajtimit mbarëkombëtar…”. Kurse T. Syla shkruan: “Kështu, kësaj here Anton Çeta, që është karakterizuar si plak i urtë i odave dhe kuvendeve të pajtimit, me vetmohim i përkushtohet zhdukjes së plagës shekullore tё gjakmarrjes”. Jeta e tij qe e shkurtër. Zemra e tij pushoi me 4 nëntor 1995, kur populli kosovar kishte më shumë se kurrё nevojë për të, për fjalën e tij të artë, pёr qёndrimin e tij fisnik, për mendimin e tij të vyer. Para trupit të tij, studiuesi i mirёnjohur Sadri Fetiu do të theksonte “…Jemi tubuar për t’i bërë nderimet e fundit një burri të rrallë të Kosovës, një plaku të urtë të kombit shqiptar, i cili në ditët më të vështira…u ngrit bashkë me rininë kosovare, që popullit të vet t’ja mjekojë plagët shekullore, që gjakun ta shndërrojë në dritë, që urrejtjen ta kthejë në dashuri…”. U shkrua shumë për heroin e pajtimit, por në mendjen e njerëzve do të mbetën tё pashlyera fjalët e prof. Engjëll Sedajt para varrit të tij në Prizren me 5 nëntor 1995. Ai ndër të tjera do të thoshte:

“Fort i dashuri dhe i paharrueshëm ynë, Prof. Anton !

Lajmi për vdekjen tënde na ka gjetur me lot për faqe .Ti ke qënë sëmurë dhe nuk e ke ditë,e unë po të tregoj se pikërisht të mërkurën me 01 nëntor 1995 në Zym kemi varrosun Anton Pashkun, profetin e heshtjes. Ti e ke njohur mirë Anton Pashkun dhe gjithë shkrimtarët shqiptare. Madje, ato më të vjetrit i ke njohur më mirë,sepse ke qënë profesor i letërsisë së vjetër shqiptare. Të gjithë ato kanë vdekur për tu bërë të mëdhenj, për tu bërë shëmbëlltyra të jetës sonë. Kështu na ke mësuar ti neve i dashur profesor, dhe tani të ka ardhur koha që ti vetë të bëhesh i madh . Ne sot po i dorëzojmë dheut të zi trupin tënd të shenjtë e të dobësuar nga ato brenga të mëdha. Ishte ky trup i fuqishëm duke mbartur ato barrë të rënda të kombit tonë, atë barrë të rëndë të pajtimit dhe të paqes. Ti ishe në odën e madhe të asaj familjes së Drenicës, në Malësinë e Gallakut, në Tuz e në Shkodër, në Prishtinë e në Tiranë. Ti shkove në Gjermani e në Amerikë për të lënë gjithkund amanetin e pajtimit njerëzor dhe të bashkimit kombëtar,duke na mësuar se bashkimi arrihet me vepra të mira. Ti na ke mësuar se bashkimi arrihet në zemrat tona, bash ashtu siç na ka mësuar Zoti ynë, Jezu Krishti, shëmbëlltyra e jetës dhe vdekjes sonë në amshim. Amen... !”. Veprën e tij e ka vlerësuar populli, e kanë vlerësuar 2000 zemra që vazhdojnë të rrahin,e vlerëson mbarë Kosova. Dhe ja tani, e nderojnё vёllezёrit e tij tё njё gjaku, Zenun Zenelaj, Dodё Ndrecaj, Pal Canaj dhe shumё tё tjerё, e nderon Shqipëria dhe gjithë trojet tona, prandaj do tё qёndrojё pergjithmonё krenar nё mes tё qytetit tё Klinёs. Prandaj zemra e popullit tonё këndon: “…Kur thotë fjalën Antoni plak, / Lind pajtimi, s’ka ma gjak, / Kur ngre zanin Anton Çeta, / Falet gjaku, zgjatet jeta…”. Ai rron dhe do tё rrojё në mendjen dhe zemrën e popullit të Kosovës martire, që falë punës së tij, sot gëzon bashkimin, vëllazërinë, lirinë, jetën .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat