Epoka e “super heroinave”, gratë i bashkohen botës së dubluesve kinematografikë

Kultura

Epoka e “super heroinave”, gratë i bashkohen botës së dubluesve kinematografikë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 16:59
Foto ilustrim

Nga hedhja nga helikopterët, tek vrapimi i stilit “Parkour” dhe përleshjet fizike, bota e dubluesve të kinematografisë, e dominuar dikur nga burrat, po tërheq një numër në rritje grash në Francë.

Në veri të vendit, një shkollë për dublues është kthyer në më të madhen në botë, me thuajse një të tretën e studentëve që përbëhet nga vajza.

Jashtë kompleksit, ku stërviten rreth 80 studentë, 24 janë vajza të reja që dikur kanë punuar si grimiere, gjimnaste, apo balerina.

Një prej tyre është Valerian Michelini, 29 vjeçe, e cila është stërvitur për vite me radhë si balerinë. Por pas një takimi me një dublues, ajo u frymëzua për të treguar se edhe gratë mund të bëjnë veprime akrobatike, apo të hidhen nga helikopterët, njësoj si burrat.

 “Mendoj se është fantastike, se mentaliteti po evoluon dhe kjo tregon se fakti që je grua nuk do të thotë se nuk mund të simulosh një përleshje, pasi dubluesit këtë bëjnë, simulojnë përleshje pa goditur seriozisht njëri-tjetrin. Kjo tregon se është e mundur që edhe ne të bëjmë dubluesin, sikurse burrat”, u shpreh Valeriane Michelini.

Trajnimi profesional në këtë shkollë zgjat 2 vjet, me 10 periudha stërvitjeje që përfshijnë akrobaci, vrapim të stilit “parkour”, dyluftime, hedhje, etj. Në total, studentëve u duhen 800 orë stërvitje për t’u diplomuar.

 “Në përgjithësi, gratë kanë një avantazh, ato kanë një inat të brendshëm që burrat nuk e shprehin dot. Kur ne performojmë dyluftime, gratë godasin më fortë. Përpara kamerës, ato do t’ju bëjnë të besoni se godasin më fortë. Ndërsa një mashkull, për faktin se është burrë, nuk godet dhe nuk tregon urrejtjen që i duhet një regjisori. Për këtë, gratë kanë një avantazh ndaj nesh”, tha Malik Diouf, instruktor.

Dhe me kinematografinë që po rrit kërkesën për super heroina, si dhe me rritjen e platformave të transmetimit si Netflix, Amazon Prime dhe Disney Plus, vajzat ndihen si një aset i çmuar për këtë industri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat