Kuptimi i gjysmës…

Kultura

Kuptimi i gjysmës…

Nga: Lulzim Logu Më: 18 maj 2021 Në ora: 19:19
Kopertina e librit

Pas një kalvari bukur të çuditshëm jetësor, me ulje ngritje marrëmëndëse, kacavjerrur mundimshëm për të gjetur unin e vet të vertetë dhe për të siguruar qetësinë e qenies dhe të krijimit, duke hapur pa frikë, katërkapakësh dritaren e vet të lirisë, poeti Hasan Selimi ka mbërritur në stacionin e tij të ëndërruar, duke u rehatuar, ashtu siç ai di të rehatohet, në krahët e një poezie të bukur, të ashpër në dukje, por aq fluide dhe delikate, e rrëmbyeshme dhe joshëse, ndonjëherë e vështirë për tu kapur në brendinë e vet, por gjithësesi e pjekur.

Përtej disa manierave, ku shpesh nxitimi për tu shfaqur dhe ndonjë paraqitje e sforcuar e imazhit me redaktorë dhe emra të shumtë që paraqesin vlerat e tij poetike, ai ja ka arritur të mbushë mangësitë e kohës së humbur dhe vonesës në takimin me lexuesin e tij, ndërsa poezia e tij vlonte përbrënda vetes, gati në të shpërthyer dhe ai e ndalte hera herës hovin e saj të pashembullt…

Duke u munduar me ndrojtje të pafajshme dhe të ndershme ta mbante akoma thellësive të tij të mistershme, alternuar me mistikë dhe frymë të patjetërsueshme shprese dhe nostalgjie, ku vendlindja me trajtat e mrekullueshme, hijet e gjata të muzgut të moshës, dalldia e dashnisë për nanën dhe babën si pjesa më e çmuar e fëminisë dhe e formimit kompleks me pamje të gjërë të botës dhe karakterit njerëzor si dhe adhurimi mbi besimin kanë ndërtuar tashmë një profil të veçantë poetik.

Tash poezia e tij e njohur për strukture solide, figuracion të qëlluar dhe original, hapësirë të dallueshme tematike dhe frymë të theksuar realiste ndoshta ka nevojë të qetësojë sadopak ritmin e “çmendur”, të sistemojë notat ndonjëherë të shfrenuara, të qartësohet në heshtjen e leximit, ashtu si lumi qartësohet në muzgun e tij të paqtë dhe më tej rrjedh në shtratin e gjerë si një këngë madhështore dhe prekëse , e cila prek deri në fund të shpirtit udhëtarin e harruar dhe të tronditur në breg.

Thjeshtësisht kam bindje se Hasan Selimi më shumë sesa studjues, publicist, prozator, është mbi të gjitha një poet i vertetë, nga ata poetë të cilëve mjafton tu analizosh një poezi në tërësinë e vet dhe ke kuptuar apo kumtuar përmasat e krejt librit, pjesë e të cilit është:

…Kërkoj të bëhem mit

Ngjitem e zbres kohrave të pashkelura

Ëndrrat zgjuar mallin përcjellin

Veçohem në harresën e motit të djegun

Fillo për së pari të rritem në shuarje

Zjarr i ruajtur në hi…

Në librin e ri poeti shkruan për majat dhe kuotat e larta, simbolikisht shenja të llojit të vet, si malet e njohura, Tomorri dhe Shkelzeni, të përmendura dhe të adhurueshme për historinë e besimit që bartin, për Jeruzalemin si sheshlojë tragjike e fateve të popujve të vjetër, për Skenderbeun si busullën orientuese kah fatet historike të kohës, për renë e bardhë dhe të vetmuar tutje horizontit si shprehje e ndryshimit të ardhshëm të motit fizik dhe shpirtëror, për të shtatin qiell si personifikim i misterit dhe pafundësisë së ekzistencës pa cak, gjurmën e tij të djegur në borën e re, për statuja që ngrihen perditë pakuptueshëm, ndërsa të vjetrat shpesh po bien dhe statuja kafshësh “brohorasin”…

…Folni n’bindje kohe

Murin e vjetër mbajeni

Tregon vuajtjet e hershme

Kalljen n’të mos e pranoni

Jeta shkon fluturim

Liri nuk ka

Lutuni për njeri tjetrin njerëz

Jeruzalem…

Poeti në kthinat e librit të tij më të ri bie dhe flë në përralla të ngrohta fëminie, ngrihet dhe “çartet’ duke kërkuar sesi ta barazojë dashurinë, me çfarë fjale dhe vargu,dëshmitar vetmitar në ngrysjen dhe perëndimin e hanës dhe pritës i paepur i diellit , kapluar rrezesh, teksa topthi i artë i tij fillon e pasqyrohet në lkenin e Kasaje, kafshon ajrin në këmbët e një pëllumbi, përcjell gjarpërin kumar në plisat e tokës së djegur etje, hurp të kaltrën e qiellit mbi Shkelzen dhe prêt një sy të dashur ta ndjejë lumturinë e pagjetur të ditës, ndërsa zemra e tokës poshtë siluetës së tij dridhet:

…Frymë jete

Më bluaj në gurin tënd vënë pa rregull

Toka ime e re dhe e vjetër

Fryma ime udhëton dikund tjetër

Unë bluar në tokë, nanë dhe gji…

Në zemrën e tronditue të poetit dridhet fort zemra, zemra e një nane, dilema e dashnisë, dora e një foshnje luan, trillet e erës, fjala e një burri, graviteti i botës, erë shkrumbi bie larg si fillim lojë a kërkim fundi:

…Një grusht hi ajrit të kohës

Farë përtej jetës

Përtej balte

Në përshpirtje ndaj Hyjit

Gjej fillimin, fund s’ka…

Mund të udhëtosh i përhumbur në viset poetike të Selimit e prapë mbetesh i panginjur, përpiqesh të analizosh, por prapë diçka e pakuptueshme të shtyn kah vargu që flet vetë dhe s’ka nevojë për koment, ta komentosh të duket se mëkaton dhe prish magjinë e vargut dhe detajeve të magjishme që feksin papritur si yje të harruar, por kur ndriçojnë feksin me lajm të madh, të veçosh vargje apo ndonjë poezi të ngjan se prish plotninë e një statuje të përfunduar, ndaj më sipër u përpoqa të”gervisht” diçka, por pa rënë në sy besoj, për njëanshmëri apo për maninë e gjetjes prej kritiku. Vetëm si ai i dashuruari, I cili kerkon të thyejë sadopak monotoninë e adhurimit me disa fjalë gjysma, të cilat tingëllojnë si terheqje e lehtë vëmëndjeje…

Gjithmonë kur flas për krijimet e tij, por edhe kur i lexoj më duket se kam thënë vetëm gjysmën e atyre që kam përjetuar pas leximit dhe kam dashur të vazhdoj prapë, sikur kam mbetur në gjysëm të shijes dhe pres përsëri. Sidomos kur i rikthehem poezisë së tij aq të veçantë “Mungon gjysma” që aq mire do të kishte qëndruar si titull i librit:

Më mungove në gjysmën e të qeshurës

Eja një natë tjetër dhe ma provo mallin

Tash vetëm kujtim bleruar

Prill në gjysmëqeshje ti…

Gjithësesi një libër i bukur, një stacion i këndshëm për lexues të kultivuar të poezisë, një premtim për stacione të tjerë interesantë të udhëtimit dhe kendimit poetik të Hasan Muzli Selimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat