Mërgata do të ketë mbështetje për librin dhe kulturën

Kultura

Mërgata do të ketë mbështetje për librin dhe kulturën

Më: 27 maj 2021 Në ora: 22:43
Një delegacion i shoqatës i kryesuar nga kryetari Hysen Ibrahimi, u prit sot te zëvendësministri Sejnur Veshall

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” Suedi, mori sot mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës se do të ndihmojë krijuesit në të gjitha format për botimin e librit. Një delegacion i shoqatës i kryesuar nga kryetari Hysen Ibrahimi, u prit sot te zëvendësministri Sejnur Veshall.

z. Hysen Ibrahimi kërkoi nga zëvendësministri ta njohë me politikat e kabinetit të ministrit sa i përket zhvillimit të kulturës nga mërgata dhe në mërgatë, duke theksuar nevojën që ajo të mbështetet nga institucionet e Kosovës. Z. Ibrahimi bëri një prezantim të përgjithshëm të punës së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, dhe librin “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”.

“Mërgata ka bërë punë të madhe dhe shoqata jonë ka arritur t’i argumentojë shumë punë që janë bërë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ne si Shoqatë “Papa Klementi XI Albani” jemi apolitike. Ne i sherbejmë librit, lexuesit dhe krijimtarisë, prandaj respektojmë secilin bartës të institucioneve të Kosovës, për të komunikuar dhe për të kërkuar mbështetje për punën që bëjmë”, tha Ibrahimi. Ai kërkoi nga zëvendësministri që të shqyrtohet mundësia që numri i 12-të i Thesarit të botohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës…por, edhe që shoqata të ketë mbështetjen që organizime të caktuara në Kosovës të mbahen nën patronazhin e kësaj ministrie.

Zëvendësministri Veshall, foli edhe në emër të ministrit, por edhe në bazë të politikave qeverisëse për kulturën, duke thënë se ata janë në shërbim të qytetarëve, në veçanti të atyre që duan të çojnë përpara projekte të kulturës. Ai foli rreth politikave të kabinetit për të mbështetur botimin e librit, për kulturën dhe trashëgiminë. Ai tha se brenda këtyre dy muajve, prej kur kanë marrë mandatin, kanë takuar mbi 150 palë e delegacione, me qëllim që të kuptojnë më mirë nevojat e tyre dhe mundësitë e zhvillimit të politikave për kulturën, në të mirë të përbashkët.

“Ne jemi në shërbim të palëve dhe mbi kërkesat e tyre do të plotësojmë edhe politikat tona, të cilat duhet të jenë shumë më të mira se sa kabineti paraprak. Tash për tash Departamenti i Librit dhe Departamentet tjera në kuadër të Ministrisë së Kulturës, kanë të caktuara kriterët e punës dhe të veprimit, por në një të ardhme të shkurtër nuk do të thotë se ne nuk do të ndërrojmë në ato kritere, gjithnjë në të mirë të librit, në të mirë të krijuesve dhe të njerëzve që merren me kulturën”, tha z. Veshall.

Ai rekomandoi anëtarët e delegacionit të shoqatës që të përcjellin ofertat për botimin e librit që bën Departamenti i Librit në Ministrinë e Kulturës, por edhe projektet e departamenteve të tjera si ai i Kulturës dhe ai për Trashëgiminë kulturore, në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje nga ana e politikës. Ai siguroi z. Hysen Ibrahimi dhe të tjerët se çfarëdo parregullësie që do të mund të vërehej në proceset e aplikimit në departamentet e sipërmendura, do të adresohet me seriozitetin më të madh.

Ai ftoi Shoqatën e Shkrimtarëve “Papa Klementi XI Albani”, për bashkëpunim dhe për komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës të Kosovës, duke u zotuar se do të ketë projekte shumë të rëndësishme ku mërgata do të ketë rol shumë të rëndësishëm.

z. Hysen Ibrahimi e falenderoi zëvendësminitrin Veshall për pritjen dhe me këtë rast, ai i dhuroi kabinetit të ministrisë dy ekzemlparë të numrit të 11 të këtij libri, i cili sapo ka dalë nga botimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat