Pasojat e seksit brenda gjakut

Kultura

Pasojat e seksit brenda gjakut

Nga: Lekë Imeraj Më: 14 qershor 2021 Në ora: 07:10
Lekë Imeraj

Seksi (martesa) brenda gjakut, përfshin më shumë se një miliard njërëz në botë. Eshtë shumë e kaherëshme. Njihet që në kohën e Faraonëve të Egjiptit.

Fillimisht është menduar, dhe mendohet akoma sot në shumë kultura, si mënyra më e mirë për ruajtjen e pastërtisë së gjakut, të familjes dhe fisit. Shumë dinasti, mbretëri dhe fise fisnikësh, për t’u mbrojtur nga “infeksioni” i gjakut të huaj, janë martuar brenda gjakut të tyre.

Cilat janë parësitë dhe të metat e kësaj martese?

Njëra ndër parësitë është se, gjaku mund të mbetet i pastër. Brenda gjakut të fisit, nuk futet gjaku i huaj.

Por, krahas kësaj parësie, biologët dhe psikologët kanë vërtetuar një të metë të madhe: Krijimin artificialisht, të mutacioneve, të cilat sjellin degjenerimin e gjenit të njeriut.

Shumë studime kanë arritur në përfundimin se, te fëmijët e lindur nga prindër me lidhje gjaku, rreziku i prekjes nga sëmundjet trashëguese, është pesë përqind më i lartë.

Nës fëmija trashëgon të njëjtin gjen të dëmtuar, nga të dy prindërit, gjë që është shumë e mundur, nuk ka shanse zhvillimi dhe të jetuari normal. Janë shumë të njohura rastet e lindjeve me të meta fizike dhe mendore.

Defekte të tilla, janë shkaku i vdekshmërisë së lartë te fëmijët e lindur nga prindër brenda gjakut.

Sa më e afërt që është lidhja e gjakut midis prindërve, aq më e madhe është mundësia e trashëgimisë së gjenit dëfektoz tek fëmija.

Gjenetiku holandez, Gerard te Meerman, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij fakti. Ndër të tjera, ai ka studiuar rastin e Faraonëve të Egjiptit, të dinastisë Habsburg dhe rastin e hemofilisë në dinastitë dhe familjet fisnike të Europës.

Në dinastinë e faraonëve të Egjiptit, martesa brenda gjakut, ishte një gjë fare normale. Madje edhe vëlla-motër.

Te faraonët, hamendësisht, kjo traditë, kishte të bënte me besimin. Perëndia e Egjiptit, Osiris, ishte martuar me motrën e vet, Isis për të mbajtur të pastër linjën e gjakut.

Prindërit e faraonit të njohur të Egjiptit, Tutanchamun (1332-1323 pr. Kr), kanë qenë motër dhe vëlla. Tutanchamun vuante nga disa sëmundje, të lindura dhe të fituara. Kishte këmbët e deformuara, buzën e poshtme të varur, dhe nofullën bashkë me dhëmbët e poshtëm, të zgjatur përpara,dhe skoliozë.

Në dinastinë e tetëmbëdhjetë egjiptiane, thuajse të gjithë vuanin nga deformime fizike dhe sëmundje të ndryshme. Ishin me dhëmbë shumë të mëdhenj, të dalur përpara dhe, me deformime të kafkës.

Sipas te Meerman, e gjithë kjo ishte pasojë e degjenerimit të gjenit, nga martesa brenda gjakut.

Në Mesjetë, dinastia Habsburge, ishte më e madhja dhe më e njohura në Europë. Ajo sundonte Zvicrën, Austrinë, Hungarinë, Francën, Italinë dhe Spanjën. Por, jo dhe me njerëzit më të pashëm.

Ishte i njohur fakti që, habsburgasit, vuanin nga deformimi i fytyrës të cilat u quajtën “Mjakra habsburgase“. Nofulla e poshtme ishte shumë e deformuar, e tejzgjatur dhe e dalur përpara. Buza e poshtme ishte shumë e gjatë dhe e varur poshtë. Gjuhën e kishin shumë të trashë.

Deformimet fizike shtoheshin gjithnjë e më shumë. Por nuk ishte vetëm kjo. Jeta mesatare e familjes perandorake, shkurtohej vazhdimisht.

Perandori, Karli II (1661-1700)e kishte nofullën e poshtme shumë të shëmtuar, të gjatë, dhe i rritej vazhdimisht, aq sa nuk përtypej dot. Gjuhën e kishte aq të trashë sa, vazhdimisht i rridhnin jargët. Kishte dhe një tjetër të keqe të madhe, ishte shterp. Nuk lindte fëmijë. Për këtë arsye populli e mendonte „i mallkuari“.

Juan Carlos I, i cili ishte mbret i Spanjës, e kishte prejardhjen nga dinastia Habsburge. Edhe ai e kishte trashëguar nofullën habsburgase.

Meerman e shpjegon degjenerimin fizik të habsburgasve, pasojë të martesës brenda gjakut. E gjithë dinastia, gjeneratë pas gjenerate, martohej brenda gjakut të vet.

Sipas G. te Meerman, hemofilia (sëmundje e gjakut) ishte tipike në dinastitë dhe fisnikët e Europës.

Kjo sëmundje u shfaq tek mbretëresha e Anglisë, Victoria (1837-1901). Ajo ishte bartëse e gjenit të mutizuar, i cili shkakton hemofilinë. Sëmundja solli pasoja shumë të mëdha, në familjen mbretërore angleze dhe atë ruse. Kjo për faktin se, të dy familjet mbretërore u kryqëzuan me martesa.

Mbretëresha Victoria e përcolli gjenin e hemofilisë te djali i saj Leopold, dhe kështu gjeni u përcoll gjeneratë pas gjenerate te familja mbretërore.

Eshtë i njohur fakti që, familja mbretërore angleze, u martua me shumë familje mbretërore dhe dinasti të Europës. Nga martesat, sëmundja u përhap, veçanërisht, në Mbretërinë Prusiane dhe në familjen Care në Rusi. Pacienti më i njohur i sëmundjes së hemofilisë, nga dinastia e Carëve, është Alexei Nikolajewitsch, djali i carit të fundit, Nikolaus II.

Te Meerman, këtë dukuri e shpjegon me trashëgiminë e materialit gjenetik. Pasardhësit trashëgojnë material gjenetik nga prindërit e tyre. Në raste të fekondimit, gjithmonë marrim një kromozom nga nëna dhe një nga babai. Ndodh shumë shpesh që kromozomet janë të dëmtuara, çka do të thotë se janë një shkak për trashëgiminë e sëmundjeve. Nëse te njëri nga të dy kromozomet shfaqet një mutacion (gjen i dëmtuar), nuk ka ndonjë problem. Kjo për faktin se, kromozomi tjetër është i paprekur. Por, nëse të dy prindërit përcjellin të njëjtin gjen të deformuar me mutacion, anomalitë te fëmija janë të pashmangshme. Në shumë raste mjafton edhe një gjen i mutizuar, p.sh. në rastin e kromozomit X te djemtë, pasi ata kanë vetëm një të tillë.

Anomali të tilla, vihen re edhe jashtë familjeve mbretërore, në shtresat e gjera të popullsisë.

Shumica kanë karakter rajonal, krahinor. Turqia, Afrika Veriore dhe shumë vende të Orientit, janë të njohura për martesën brenda gjakut.

Në Turqi thuhet: „Vajza e mirë, martohet brenda gjakut. Vajza e keqe, martohet me të huajt“.

Në kulturat patriarkale, fëmijët e lindur me defekte ose që shfaqen më vonë, shkaktojnë konflikte shumë të mëdha, në familje dhe fis. Për gjithçka dhe në çdo rast dështimi, fajësohet gruaja. Në raste të tilla, në Turqi, ajo mendohet „kani bozuk“ (gjaku i prishur).

Autori - shkrimtar, përkthyes, publicist

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat