Unë dhe Muza

Kultura

Unë dhe Muza

Nga: Arjana Fetahu Gaba Më: 6 korrik 2021 Në ora: 20:09
Arjana Fetahu Gaba

Unë luaj me muzën si një fëmijë

Ajo syrin ma shkel e më bëhet flutur

Herë më fshihet e më shkon larg

E herë më bën të lumtur

 

Ne shkuan bashkë dhe kemi pirë

Aty ku pinë ujë shtojzavallet

Ne kemi rendur fushave me grurë

Aty ku vajzat hidhnin vallet

 

Dhe sa herë lot ne kemi fshirë

Nga syri I nënës i pafjetur

Rrudhat e ballit kemi puthur

Dhe shpirtin e saj të mekur

 

Kemi kënduar bashkë me engjëj

Foshnjës që ta vëmë në gjumë

As unë as muza s'kemi fjetur

Për një ninullë më shumë

 

Pa kemi shkuar jemi lutur

Për një të thyer dashuri

Dhe zemrën djalit kemi zbutur

Pushuam erë e shi.

 

Dhe muza ime prap se prap,

Nuk u lodh aspak nga unë

Ajo më do që t`i shkoj pas

Por unë dhe ca më shumë

 

Ecte ajo mbi pranverë

Ecte ajo me këmbët zbathur mbi pranverë

mbi një qilim lulesh të dëndura mëngjesit të virgjër

dhe përkëdhelte me shputat e saj të bardha

qumësht  dhe barin e harlisur

 

E pemët përgjonin duke mbajtur mbi degëzat e reja

Zogjtë që mësonin nga nëna fluturimin

drejt  qiellit ngjyrë trëndafili

Ndërkohë dielli që përpinte gjithçka

 

Lëshonte ca fije të fildishtë rrezesh

si flokët e vajzave engjëj

në një vallëzim ujëvarash

dhe ajo ngjante me një pikturë sublime

që vinte nga lashtësia

 

Dhe e gjitha kjo ishte një magji

e krijuar në harmoni të përkryer

 

Flladi parfum jargavanësh

lëvizte lehtë mbi lëkurën e saj të njomë

nga frika që asaj mos t`i trëmbej ai shpirt i dashuruar

 

E ngryste ato sy plot jetë

si sy perla të zeza e të rralla

 

Ecte ajo me këmbët zbathur mbi pranverë

Ndërsa shpirtin kish tek dashuria

 

Të kem frikë së më harron

Të kem frikë se më harron

Kur dimri harroi vjeshtën

Më thuaj

E nëse unë jam vjeshta jote

Gjithmonë më duaj

 

Të kem frikë se më harron

A duhet ta shoh si një marrëzi

Më thuaj që dielli s'pa hënën

E s'bën aq herë dashuri

 

Të kem frikë se më harron

Këtë pyetje i bën vetes çdo njeri

Është një e fshehtë gjëegjëzë

Ah sa do të doja ta di

 

Që mos të kem frikë se më harron

Të lutem, mos shko

Bëhu pak dimër e diell

Dhe veç siç di ti më dashuro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat