Monolog i ushtarit të UÇK-së

Kultura

Monolog i ushtarit të UÇK-së

Nga: Nexhat Halimi Më: 30 korrik 2021 Në ora: 17:02
Nexhat Halimi

I dhurova sytë e mi që ta gjej udhën atdheu

i dhurova këmbët, të mund të ecin lisat, krojet

i dhurova duart, fëmijët e trembur të zgjohen

të mund t'i prekin fluturat e dritës në gji

e të arrijnë te ëndrrat në kohë të robërisë,

në të cilën vdisnim për një fjalë fshehur gjakut.

ja, tashmë i lamë rrugës copëzat e trupit, fatin...

thotë ushtari i UÇK-së e lëviz me karro lirisë,

është i ngazëllyer, zemrës i zgjohen zogjtë,

ilirinë e përjeton ndërmjet atyre që s' janë më.

emrin s' ia flas pse ai ka veç dritën e yllit

pafundësinë e oqeanit të gjakut të Kosovës

e unë fluturoj kufirit të vjetër të Rugovës

e qaj pandërprerë në vetminë e thellë të prillit

e mes qiellit dikush ende ja i binte fyellit

e atdheu ecë e ecë me zvarritje të kërmillit

Monolog i ushtarit të UÇK-së II

pisha jetike ndezur në hije të gjatë

rrënjës i rrjedh gjaku përmbi gur

luftëtari i plagosur ec betejat në urë

hëna e verdhë e ndrit e bie natë

kufiri ka ndërruar s' është në Çakor

as nga Kulla nuk bie më dot

sysh më ikin vadë dy pikë lot

aty qëndronim me Azem Shkrelin

me poetin e këngës së hutinit

e këndoi Dyl Mehmetin në Rugovë

flakën e pashuar të luftës në Kosovë

te shtëpia e vjetër e drurit të tretur

pisha e zezë e vjetër hije gjatë

në qiell ende shqip një zog gërgat

kush e shiti zotIm shpirtin në natë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat