Torzo e kthyer kah dielli

Kultura

Torzo e kthyer kah dielli

Nga: Bajram Sefaj Më: 30 korrik 2021 Në ora: 17:08
Shaip Beqiri

Ja së fundi ju flas me zjarr

Në zemrën time çela një varr

Thellë e mbolla për llahtari

Sa mos ta shuajë asnjë stuhi

Mu në veten time një dashuri

Nuk e vithis as deti zemërak

Me valat që s`iu ndava aspak

Kur vetullat ua bëra me gjak

Përjetësisht përsëri ju flas

Gjirin godas ah zogjtë i qas

Përtej urës me flatra

Babai për një çast

M`u bë urë me flatra

Tejendanë lumit pa fund

Që s’e kaloja dot as në ëndrra

Nëna një lule e çelur së dyti

Në bregun tjetër të kohës

Njëra gjyshe sodiste me një sy

Grigjën e përgjysmuar të reve

Kur gjyshi trazonte terrinën

Me një skeptër të padukshëm

Thinjoshja ime tjetër

Ujkun nxirrte nga vatha

Dhe fuste dashurinë në qivur

Ndërmjet dy psherëtimave

Shtrihej shkretëtira e jetës

Që duhej kaptuar symbyllur

Gjurmave të gjyshit të tretur

Lart zgavrat pa mbarim

Nëpër të cilat përshkohej

Vallja e madhe e shprishjes

Poshtë maja të thepisura

Përgjumur mes mjegullash

Përkundnin ëndërrueshëm

Çerdhe të prishura dejkash

Unë pritja rrënjë të shtija

Midis katër erërave

Në Veri e kisha edhe një Veri

Prej andej erdhi Gjergji

Drejt Vendenisit për në Krujë

Bogdani nisi bocat e para të Çetës

Unë kam mbetur këtu një torzo

Trung në hi i kthyer kah dielli

Midis katër erërave që më zhbinë

Tutje-tëhu gjithkahnajës

Toka gjëmëmadhe çarë në syngji

Re e mjegulla prerë ndër shkëmbinj

Dhe detët ah të tretë më futen në sy

Nëpër ta u bart koka e pashait të Zi

U këput vallja me shpatat zhveshur

U shprish gjaku i Boçarëve pa shterur

Në Jug më mbeti cung edhe një Jug

Rrungaja në udhëkryq

Sypërgjumur i shoh nga dritarja

Si më sulen me tërbim katallanësh

Pamjet që ndërrohen nën re të rrjepura

Të tokës me reliev të ashpër

Shkëmbinjsh e bregoresh mveshur

Dhe fushash që ngrysen lakuriq

Duke u futur në gji të njëra tjetrës

Në lojë të përjetshme epshndjellëse

Lesbike të përbuzura përkohësisht

Nga lumenjtë që derdhen tutje të dehur

Duke krijuar lumin e madh nëntokësor

Përfundi rrjetash të mpira stinash

Që mbajnë magmën e një vullkani

Pak para se të shpërthejë në mua

Heshtjen ogurzezë të shekujve

Që noton drejt zemrës së tokës

Duke u përplasur rrëkëllyeshëm

Me atë rrungajë të etur akullnajash

Mbërthyer në udhëkryqin e zhbërjes

Që Ilirinë futi në peshkve ta nxirrte Ballkan

Lutja e parafundit

Ati im i përndritur

Bëje muzikë të hyjnueshme

Fjalën që më mbeti në grykë

Nxirrmë purgatorit të heshtjes

Mos më nguros kaq të rreckosur

Në trajtë idhujsh të çoroditur

Me koka të këputura nënsqetullave

Përjargur pas perëndish të pështyra

Ndër krifa të kreshpëruara katallanësh

Fërfëllomë duke më vërvitur

Galaktikave të flakës sime të etjes

Ngujomë në rrethin e dhjetë të ferrit

Para gjunjve të tu më plandos

Në tjetër parajsë llahtarisur

Nën pëlhurën gjak-e-dhe

Në rrjetëza fundëndrrash

Sa fort ju kam dashur

Gra që gërvishtët me thonj

Faqen e lëmuar të jetës sime

Ndonjëra

Ndoshta edhe mua më ka dashur

Me shumë zjarr e ankth

Dhe me fshehtësi përshkuar

Ndonjërës i kam zbërthyer

Zymbylët e paprekur kurrë

Në kraharorin e ënjtur

Dhe me të dyja duart

Kam hedhur në erë

Trëdafilë të egër puthjesh

Në sytë tuaj fërgëllues

Kam soditur tek vërtiten kuturu

Galaktika ëndjesh pa mbarim

Dhe ndonjë curril i hollë gjaku

Në hon psherëtimash të këputura

Ujvara të panumërta rrëkëllyese

Që fashitin gjëmimin

Drejt zemrës së etur të tokës

Thellë ndër rrjeta rrënjash

Tash më pret gruaja gazmore

Me më ngujuar përgjithmonë

Në qelitë e veta të mërisë

Dita që më vret

Vetëm do të rrëshqas kurrizit të kësaj dite

Duke ia shpupuritur përsëri lulen e ballit

E ndiej largas që do të jetë veç imja

Dita që më vret fshehtas syve që i ndrijnë

Në çastin kur vërvitet rrëzomës së vet

Dhe unë më kot hepohem kaçurrelit të saj

Që duket fjollë e thërrmuar drejt gremisjes

Do të ngrysem ndanë humbellës sime

Duke ngritur gurin e saj të stërmadh

Te maja e malit të mesnatës së mehur

Gozhda pa kokë

Ja liria

Që me shekuj kërkuat

Na u çor shpirtmbajtësi me skeptër

Ne robëve të vet të lumturuar

Qafëkëputur ramë në gjunj

Skaj pyllit të hijeve tona

Merreni lirinë e sapofarkëtuar

Vënë në pjatë të praruar

Me blanka gjaku

Një gozhdë pa kokë

Tejshkuar shtrembër

Shpirtin na mban pezull

Ndërmjet dy regëtimave

Ç`liri e paanshme

Me push ëndrrash

Llapashitet ndër bërraka

Ky shpend i stërmadh

Me krahë të thyer

Që hov të dalë

Nëpër dritaren e mbyllur

Kërmat e shpërmendura

Varrtarë duarpërlyer mëdyshjesh të pabesë

Trumbë e zvarritur pas ndonjë kërme të gjallë

Që vërvitet përbaltur duke shuar çdo shpresë

Qenë e bij qenësh

Lindur prej incesti me damkë

Blatuar në gjak të ngjizur me qelb-e-helm

Lapërdharë të rroposur urrejtjesh pa anë

Shpotitni yllin në majat e përflakura

Ulërini pasi s`dini të rënkoni

Këlyshë të verbër ligësish

Që me djaj kutërboni

Atdheun e duani të skuqur si sytë tuaj

Të përdhosur me afsh përvëluar

Prapa grilësh të shumëfishuar

Eunukë epshmërdhezur

Nga fundi i fundit të ferrit

Nakatosur peshkves e territ

Bij vrastarësh pa dëshmitarë

Tinëzarë pa shenja gishtërinjsh

Nuk dini të heshtni as të qeshni

Zulmëzinj me vurrata gjarpinjsh

Fundbark-personazhë-zhveshur të zhbërjes

Dhjam-fjalash-bliruar komedish të pështira

Që rrjedhin duke derdhur jargë-e-spermë

Mespërmes palcës me dhembje të mpira

Tempulli i heshtjes

Mblodhe tërë heshtjen rrotull bedenëve

Dhe bëre murin tënd të fjalës

Gur mbi gur

Hap pas hapi

Deri te maja

Ngrite pasqyrën e përmbysur

Kundruall fytyrës së diellit

Shkëpute shkëmbin vargmalit të fjetur

Ku bora me borën bëjnë mur të gjallë

Me i mbuluar eshtrat e mbetur përdhe

Dhe të yesh një hap më afër ëndrrës

Një dhembje përtej gurit të varrit

Reja që ndërzehej rrallë barkun çau

Ndër gropa të zeza

Në udhën pa anë

Pas një ylli

Ti ushqeve harresën e mbrusur

Me shpresat e mia të unta

Ta bësh përsëri tempull

Heshtjen me myk e ar

Hija e kipcit

Midis flakës që më mbështjell

Unë përsëri vdes

Për të dytën

Të tretën

Për të dhjetën herë

Kokën ma vënë në shënjestër

Gjahtarë të përhënur

Dhe qëllojnë sall hijen

Që bredh në mua

Duke ikur nga vetja

Lasgushiana: Ylli i zemrës

Mblidh mermerin e këtij muzgu

Derdhur sipër pluhur purpuror

Gdhend zurkaja fjale nga çurgu

Që thyhet thellë duke u tretur

Magmës në përplasje gjymtyrash

Kurrnjëherë brenda pa u prekur

Nëpër lahuri gjaku e ngjyrash

Shtjellave të dehura me dritën

Mbërthyer në putra të sfinksit

Që Yllit të Zemrës i zë pritën

Shënim biobibliografik

Shaip Beqiri lindi më 25 mars 1954 në Gllamnik të Besianës (Kosovë). Ka mbaruar studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhësisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitarë.

Beqiri ka nisur të botojë poezi në fillim të vjetëve `70.

Ka botuar librat themelorë të poezisë:

Fontana e etjeve, Rilindja, 1976, Prishtinë; Konica, 2006², Prishtinë,

Flatrat e gjymta, Rilindja, 1983, Prishtinë; Konica, 2016², Prishtinë

Eklipsi i gjakut, Pashku, 2000, Prishtinë; Konica, 2017², Prishtinë

Muranat e muzgut, Konica, 2015, Prishtinë;

Uragani i zhurit, Konica, 2018, Prishtinë;

Librat e zgjedhur të poezisë:

Rekuiem për veten, Buzuku, 1997, Prishtinë,

Prangat e praruara, Toena, 1998, Tiranë,

Hinoret e njëjta, Konica, 2016, Prishtinë,

Librat e përkthyer të poezisë:

Izmedju dva ponora / Ndërmjet dy humnerave, Jedinstvo, 1988, Prishtinë, përkthyer serbisht nga Ramadan Musliu,

Hydra des Zorns / Hidra e mllefit, Limmat, 2014, Zürich, zgjedhur e përkthyer gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch.

Shaip Beqiri nga mesi i vjetëve `70 merret me redaktim, publicistikë dhe përkthim. Në fillim qe mësimdhënës në Gjimnazin e Besianës, pastaj në vjetët 1976 - 1977 redaktor i rubrikës së kulturës i gazetës së studentëve të Kosovës Bota e re; në vjetët 1977 - 1993 poashtu redaktor i rubrikës së kulturës i revistës Zëri; në vjetët 1978 - 1990 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Rilindja; në vjetët 1990 - 1995 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Gjon Buzuku; në vjetët 1990 - 1992 anëtar i redaksisë i të përkohshmes për kulturë, art e letërsi Fjala; ndërkaq në vjetët 1993 - 1994 e themeloi dhe e udhëhoqi (bashkë me Adem Demaçin) të përjavshmen politike Forumi dhe më 1995 (me Teki Dërvishin) të përjavshmen tjetër Zeniti.

Një pjesë e veprës poetike të Shaip Beqirit është botuar edhe në gjuhë të tjera, si gjermanisht, anglisht, frëngjisht, serbisht, rumanisht, kroatisht etj. Ai është paraqitur në shumë antologji të ndryshme të poezisë si dhe në manifestime e lexime letrarë; poashtu ka fituar çmime të shumtë letrarë.

Shaip Beqiri nga vjeti 1995 jeton në Zvicër.

Edhe në mërgim ka vazhduar krijimtarinë në fushë të letërsisë dhe të publicistikës duke bashkëpunuar me revista e gazeta të ndryshme: Eurozëri, Bota sot, Java shqiptare, Zëri ditor etj.

Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga vjeti 1976 dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës nga vjeti 1998.

Nga libri “Uragani i zhurit” për suplementin “Milosao”

Zgjodhi: Bajram Sefaj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat