Armiku vritet dhe me gurë

Kultura

Armiku vritet dhe me gurë

Nga: Ëngjëllushe Sheme Koltraka Më: 10 shtator 2021 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

O Lili, o Lili!
Ta këndoi këngën me oi!  

O Kolonjë, kurorë me male, 

Nga lashtësia, histori e madhe.  

 

I rrit trimat jelekartë, 

Porsi burrat luftojnë gratë, 

Flakë lëshon jatagani, 

Edhe sytë xixa stërralli.  

 

Je Kolonja, je lavdia  

Nëpër oda ndrin mençuria 

Në beteja ndrin trimëria  

Se ti je zemër Arbëria.  

 

O LIli! O Lili!  

Ç’deshe ti në Itali?!  

Më tha Bani, o bre burrë, 

Bjeri ushtarit me gurë!...  

 

Dhe Lilia një sokoleshë 

Me gurë kokën ia ka përsheshë 

Ia ka regjur si një lëkurë 

Qëndron gruaja porsi burrë.  

 

Si burrë mbron derën e kullës 

Ia pastroi gjëmbat udhës 

Ndaj si një yll ndrin në histori 

Ti, madhështorja Lili!  

 

Si një shqipe krahët hapur, 

Në horizontin e përflakur 

Fluturon nga brezi në brez 

Një zjarr të ndritur zemrave ndez.  

 

Se nga Mollë e Kuqe 

E gjer te Arta, 

E ka folenë një shqipe, 

Fluturon me të shpejtat flatra.  

 

Kjo shqiponjë i ngjason Lilisë 

Që luftoi në mbrojtje të lirisë 

Ndaj provoi burgjet e Italisë 

E mbrujtur prej Perëndisë.  

 

O Lili, ti moj shqiponjë 

U linde e u rrite në Kolonjë 

Rrëzë Gramozi në ato shkrepa 

Në liri ka kuptim jeta.  

 

Ndaj po prin si një flamur 

Hasmi vritet dhe me gurë 

Ndaj dy gurë mbaje te brezi 

Me gurë stralli zjarrin e ndezi.  

 

O Lili! Ti kolonjare 

Je frymëzim për gratë shqiptare 

Se për Atdhe e për Flamur 

Armiku vritet dhe me gurë. 

 

Ndaj mbani në brez dy gurë stralli 

Armikut kokën ia kallni 

Le të tundet fusha e mali 

Të luftojë çika si djali.  

 

Të përsëritet historia 

Me i ba një trojet e mia 

Me i qëndru besnik kësaj fjale 

Duam vatanin në dyzet male.  

 

Dyzet male me shqiponja 

Atje rritet veç lule zonja 

Atje rritet shqiptari i ri  

E sheh vdekjen drejt në sy.  

 

Atje rritet ajka e shqiptarit 

Fort i ngjaka babai djalit 

E kanë zemrën plot furi 

Për flamurin kuq e zi.  

 

O Lili! O moj Lili!  

Ta këndoj këngën me oi! 

Sot vatanin na e kanë shky 

Na kanë heq dritën në sy.  

 

Po na ka lodhë ky coptim i gjatë 

Si Lilia të luftojnë gratë 

Në dyzet male të ngrejmë flamur 

Të ia kallim hasmit kokën me gur.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat