Pas reticensave të vëllimit poetik “Sa do të doja... “ të Arjana Fetahu (Gaba)

Kultura

Pas reticensave të vëllimit poetik “Sa do të doja... “ të Arjana Fetahu (Gaba)

Nga: Përparim Hysi Më: 18 shtator 2021 Në ora: 20:19
Kopertina

Librin me poezi "Sa do të doja..." të Arjana Fetahu(Gaba) ma dhuroi miku im Albert Zholi. Ky mik i krijuesëve (S'dihet numri i atyre që ka promovuar), ma dhuroi dhe më ka bërë ftesë nominale për promovimin e autores nga dyjavëshi i parë i tetorit dhe, për "të paguar disi taksën e dhurimit", do mundohem që të them dy fjalë për autoren që, për fatin tim të keq, nuk e njoh.

Berti, altruist si ai dhe i kudondodhur dhe i kudogjetur, bën shumë për miqtë dhe ndaj jam disi si borxhëli. Se unë jam pak nopran dhe sado që analogjia ime është pak e çalë,dua të them se,sa për dhuratat, jam pak si NIÇE që thoshte: "Dhuratat ma zhveshin lëkurën". Dhe unë, me "lëkurëzhveshur" po shkruaj,

* * *
E mora"dhuratën" dhe nuk qe si çdo pako që duhet hapur për të parë se "ç'bujashka ka prurë lumi",se që në titull,"pakoja" u kthye si "një fshat që duket". Dhe një fshat që duket,nuk do kallaus. Autorja që në titull,jo vetëm e grish lexuesin për të lexuar poezitë e saj, por me tri pikat e heshtjes,e fton secilin që të japë mendimin e tij. Nën këtë"trysni sa interesante dhe aq të butë",jam edhe unë. Libri ka gati 130 poezi dhe larmia e tyre është jo vetëm e ndryshme,por duke marrë hua një term nga gjuha kulinare:poezia e Arjana Fetahut është "e shijshme".

Nuk është as e stisur dhe as e"shpifur",por e ndjerë dhe e"kripur" me karar,sa ngjetë me ujin e mirë të pijshëm që,sa rrëkëllen një gotë,papritmas kërkon gotën tjetër. Pra,ka një"gjeografi poetike të larmishme" që,po e hodhe në hartë,të duhen ngjyra të ndryshme. Parë në tërësi,ti që e lexon arrin në atë përfundmin që aq mirë e kanë thënë njerëz që dinë ta vlerësojnë krijimtarinë:" Krijimi nuk është një"sinurgji" apo veprimtari që gjendet në natyrë,por gjen vend në mendjen e krijuesit. Dhe ç'ka lexon në libër,ësht prodhim sa"bio" dhe po aq origjinale nga mendja e POETES ARJANA FETAHU (GABA). Kur thotë GËTE:" Karakter në gjëra të mëdha apo të vogla.do të thotë në je i zoti për t'I bërë ato gjëra". Nëse e merr thënien e GËTES dhe e vë përbri poezive të autores,bindesh se ajo është e zonja dhe tregon integritet e karakter si krjuese. Ajo është vetvetja.
* * *
Në këtë kohë,kur bota po"ftohet", POETJA jo vetëm del me libër,por si krijuese do që këtë botë do që ta bëjë sa më të ngrohtë dhe mesazhet që,janë pothuaj,të lexueshme,janë jo vetëm të bardha, por dhe optimiste. Në këtë shoqëri që gati është e plasaritur, ajo me vargjet e saj kthehet në "rrymë GOLFSTRIMI" për ta ngrohur botën.

Në"hartën poetike" të saj,përgjithësisht ka poezi lirike ku autorja ka një"guxim qytetar",sa,ndonjëherë, një sy i kujdesshëm vë re ( ndoshta nga një opinion i mbrendshëm i saj),sikur poetja ka"kapërcyer ylberin":e fillon poezinë si femër dhe e sos si mashkull. Nëse ndodh kështu,them unë,do "të prishë syrin e keq".se rrojmë në një shoqëri heterogjene ku domenin e vë shoqëria maskiliste.Do të veçoja për lexuesit poezinë"Grua!" ku autorja"ka kapërcyer ylberin" "... e kush më shumë se ti më fal/po kush më shumë se ti,moj grua?/gjithë botën pëmbys në çast/vetëm të mëthuash/si dikur të dua..

Po sa qytetari ka në vargje,si :" sot po.Dua të dergjem/në shtratin tënd/pa frikë. Frika më e madhe:është ikja.Ose nuk është hiç e vështirë të lexosh aluzionet,si:"Të lutem sot,ti deti im/më la nga mëkati/pse desha dikë...Poetja, siç ndodh shpesh me poetët,ka një shpirt të brishtë e të ndjeshëm:" Të ftohta agimet e mbrëmjet/strukur zogjtë në fole/gjithkund sundon anomali dhe vargu tronditës dhe shumë domethënës:"Të shoh të trishtuar ATDHE!".Ka patur shumë të drejtë ZHAN POL SARTËR kur thotë se shkrimtarët me veprat e tyre shpirtërojnë botën."

Ky shpirtërim,në mund të shprehem kështu,vihet re në disa poezi të autores dhe unë,pa frikë,në ato reticencat e saj tek vëllimi"SA do të doja",do të shkruaja:-E di sa do të doje dhe çfarë do të doje: së pari ,"të shëroje botën" që është bërë kaotike në këtë kohëpandemie,dhei"pilulë shëruese",në këtë kohë krize del me një libër me poezi,ku amplifikon dashuri njerëzore; kërkon që ÇAMËRIA të marrë atë që i kanë grabitur. POETJA e bën ferk që është ÇAME.

Mjafton të lexosh poezitë "Erdha nënë ÇAMËRI"."Çame e bukur" dhe më tepër se këto ai aluzioni sa i bukur dhe aq sinjifikativ për atë"valltarin çam që solli të gjallë OSMAN TAKE". Unë nuk jam çam,por valltarin e bukur nga KONISPOLI që ngjalli me valle OSMAN TAKEN,të bukurin TAIP MADANI e qava me vargje,kur u nda aksidentalisht nga jeta.Në një kohë,kur shoqëria zë e ftohet se monstrat,nuk shohin dot njerëz miqësor,POETJA apelon për miq. Shiko se sa bukur:"Në ditët e mia plot diell/ndodh që më zë një gjumë letargjik/por më të dhimbshme ditët i kam/kur humb një shok a një mik.Shumë sinjifikative është poezia"Përse shkruaj".

Kjo poezi është kredoja e saj poetike: shkruan për dashurinë;shkruan që botën ta bëjë më të ngrohtë,do të sjelë dritë,për të dëbuar errësirën(e djeg shpirtin tim,thotë poetja). Me këtë varg,sikur u bënë jehonë fjalëve të arta të ATDHETARIT,ISMET TOTA që ka thënë:" Sa je gjallë,digju dhe,nëpër djegie,lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota është e atyre që digjen dhe jo e atyre që djegin. Kisha shumë për të shkruar për poeten Arjana Fetahu(Gaba), por jo të gjitha mund të shkruhen në një ese. Para se ta mbyll shkrimin tim,nuk kam si mos i bë kortezi syrit prej profesionisti të mikut tim.

Albert Zholi, që poezinë "KULAÇI" ku ka një densitet të madh dashurie për nënën e ka cituar të plotë.Në gjykimin tim është poezi antologjike që i vë një dafinë mbi ballë poetes Arjana Fetahu(Gaba). I ftoj lexuesit e kësaj esesje se,ngaqë ia "vodha" BERTIT,le të hamë të gjithë nga një copë kulaç.Do ta shikoni se sa i shijshëmë është:

K U L A Ç I

Nëna mblodhi kulaçin e fundit
Dhe e nërzitur uli sytë

Me duarët e dridhura nga hallet dhe mundi

GGatoi kulaçin e fundit atë ditë.

Ne rrinim rreth saj si zogj dimërakë
Të mardhur nga era dhe acari
Po prisnim shenjën,të na jepte nga pak
Sa të dilte kulaçi nga zjarri,

E dinim me kaq,nuk shuhej uria
DHe stomaku prapë do mbetej bosh
Por në duart e nënës rrinte vet dashuria
Dhe ato ke dëshirë t'i vështrosh

Ndaj fshinim lotët e zinim të qeshnim
Harronim urinë e mjerimin
Kulaçi i vogël me miellin e fundit
Nuk mund të na ivriste gëzimin.

Nuk ka se si shkruhet më bukur dhe,tek po shijoni këtë"mrekulli poetike",mund të them për Arjana Fetahu(Gaba) atë që ka thënë amerikania Helen Keller (1880-1968):"Askush nuk ka të drejtë ta kosumoj lumturinë pa e prodhuar atë.".Arjana Fetahu(Gaba) e ka prodhuar me këtë libër dhe ka të drejtë ta konsumojë atë.Por ajo,si altruiste që është,digjet dhe sjell ngrohtësi.

Tiranë,17 shtator 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat