Kohë amatorizmi në letërsi

Kultura

Kohë amatorizmi në letërsi

Nga: Hejza Art Më: 23 shtator 2021 Në ora: 12:30
Puntorie Muça-Ziba, shkrimtare

Puntorie Muça-Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Deri më tani ka botuar poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës”-1987, “Sodisin yjet”-1990, “Kuku”-1977, “Rapsodi udhëtarësh”-1995, “Suita e lënduar”-2002“Suita ime”,“Vega”- 2006, “Koha e qershive”- 2018. Poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë”-1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën”-2007, Pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan”-1999. Tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje”-1974, “Te logu i cucës”-1998, “Mjedra e egër në malin e thatë”-2003. Pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”- e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë 1993 -1994. “Dorotea” e botuar- 1998, “Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” e botuar -2007, “Nuk martohem kësaj vere”-1999, “Zonja me celular”, monodramë, e botuar në revistën “Jehona”, “Ahengu i grave të qytetëruara”- e botuar në revistën “Jehona”, “Djajtë e netëve të fundit”- e botuar në revistën „Jehona“, “Harta sekrete”- komedi. Romane: “Vjeshtë totemesh”-2007, “Emma Jazzi”-2009, “Unë, dhuna dhe Emma Jazzi”-2009, “ Gjurmë dhe ishuj“ - 2012, “Ndërgjegjja e pleshtit” - 2016. Poezitë e Puntorie Zibës u përkthyen në maqedonisht, anglisht, rumanisht, maqedonisht, frëngjisht, gjermanisht etj. Shkrimtarja Ziba është fituese e mbi dhjetëra çmimeve e mirënjohjeve letrare.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

MUÇA – ZIBA: Secila periudhë historike ka shkrimtarët e vet të cilët frymëzohen nga dukuritë që ndodhin gjatë asaj kohe kur ata janë gjallë. Dukuritë janë shprehjet e jashtme, shfaqjet e thelbit të proceseve të realitetit ku jetojmë. Ato burojnë nga shkaqe të caktuara qofshin ato politike, shoqërore etj. Krijuesit inteligjent me aftësi të jashtëzakonshme kanë sens për t’u marr me fenomenet. Në kohën që e jetojmë ne, letërsinë mund ta bëjmë ose mund ta zhbëjmë. Them mund ta zhbëjmë, meqë hapësirat e teknikës gjigante afruan mundësi që çdo njohës i alfabetit të merret me shkrime, të vetëquhet poet, shkrimtar ose dramaturg e romansier. Kështu u krijua kaosi letrar. Duhet kohë për shpëtimin e letërsisë së mirëfilltë nga pseudo-vlerat. Neveritëse është kur letërsinë e mirëfilltë e zhbëjnë edhe dashakeqët e letërsisë, edhe paragjykuesit, smirakët dhe politikat kulturore që shpesh bëjnë ndarjen gjeografike të shkrimtarëve dhe të vlerave të tyre. Ndodh që nëpër manifestime kulturore të përfaqësohemi nga ndonjë poet mediokër i oborreve politike dhe kështu krijohet imazhi i keq se në Maqedoninë e Veriut nuk ka poet cilësor. Them pa droje se këtu ka poet dhe prozator të nivelit të lartë. Pasi një periudhë të gjatë jam në sipërfaqe letrare, krijuese dhe lexuese e rregullt, them se Maqedonia e Veriut ka shkrimtarë që i ka përkrahur kritika e mirëfilltë. Librat e mi dhe disa të tjerëve janë përkrahur nga kritikët e Kosovës, nga kritikët e Shqipërisë, dhe nga kritikët e Maqedonisë Veriore, maqedonas dhe shqiptarë. Shpesh më ka ndodhur që të kem dilema rreth asaj që e krijoj, por kritikë të ndryshëm që jetojnë në Belgjikë, në Austri, në Londër i përkthyen dhe i futën poezitë e mia nëpër antologji të botuara jashtë vendit. Që unë të vazhdoj rrugën letrare më stimuluan disa nga kritikët bashkëkohor nga të gjitha trojet tona. Pa kritikë bashkëkohore nuk bëhet letërsi. Thonë se koha i filtron vlerat. Unë mendoj se çdo krijim duhet të filtrohet në mënyrë institucionale para se të botohet, ose para se ta filtron koha. Për të dalë në dritë një vepër cilësore qoftë në prozë apo në vargje, rreth saj, përveç atij që e krijon, duhet të qëndrojnë një grup njerëzish me kritere të larta. Ata duhet ta lexojnë, ta lekturojnë, ta redaktojnë librin dhe të japin sinjalin e kalimit që libri të vazhdojë rrugën e mëtutjeshme. Gjërat e bukura realizohen nëpërmjet institucioneve ku do të ishin të punësuar njohësit e letërsisë sublime, njohësit e gjuhës, dhe njohësit e vlerave të letërsisë nacionale. Disa nga shkrimtarët e talentuar edhe kur i provojnë ose i ngjyejnë të gjitha zhanret, ata janë të vetëdijshëm  se ku mund të jenë më të suksesshëm. Mendoj se në tërë gjeografinë letrare kemi pak krijues me vlera. Problematike është mungesa e kritikës. Edhe ata pak kritik që herë pas here nxjerrin kokën, fshihen pas krijimeve të veta, duke u frikuar se mos e lënë nën hije atë që e krijojnë. Kritikët e talentuar harrojnë nderin që mund t’ia bëjnë letërsisë kombëtare. Në këtë kohë krizash materiale, shpesh ndodh që kritikët të shkruajnë me para, kështu që detyrohen të përkëdhelin sedrën e atyre që insistojnë ta marrin atributin shkrimtar.  Gjatë periudhës (së gjatë) tranzitore mungojnë edhe politikat kulturore. Në këtë lëmsh “letërsie”  nuk bëhet “herrja” ose spastrimi, me qëllim që të themi se edhe kjo periudhë krijon letërsi të mirëfilltë, letërsi që merret me problemet aktuale të jetës njerëzore, me të kaluarën, me të ardhmen për të ngritur ndërgjegjen, për të vetëdijesuar njeriun shqiptar. Sot letërsi bëjnë një grup jo edhe aq i madh shkrimtarësh. Këta krijues bashkëkohor shqiptar, shkruajnë për emigracionin, për papunësinë dhe për fenomene tjera.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

MUÇA-ZIBA: Periudha e tranzicionit nuk shënoi ”epokën letrare”, si u shënua gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, ose gjenerata brilante e viteve 70-90 me shumë shkrimtarë nga të gjitha trojet etnike brenda dhe jashtë kufirit shqiptar, si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj. Mbase në pluralizëm kur shumëçka është politizuar, është materializuar, kur u themeluan shumë parti, shumë asociacione, kur u themeluan shumë shkolla të ulta e të larta private pa kritere, shumë shtëpi botuese private, vetëm për interesa materiale, po rritet një brez që ndërtohet ndryshe, që nuk e adhuron librin, nuk lexon, bile e nënvleftëson dhe e nënçmon krijimtarinë, duke ju dhënë shkrimtarëve epitete të shëmtuara. Ka ndodh që edhe në debate disa “politikan”të thonë: “Mos thuaj vjersha” në kuptimin mos thuaj pallavra. Tërë kjo e largoi dhe e dëmtoi shumë shkrimtarin e mirëfilltë dhe letërsinë. Sot ekzistojnë krijues me vlera që heshtin dhe të ashtuquajturit “krijues” me vlera të dyshimta që janë shumë të zhurmshëm. Megjithatë unë mendoj se po të “gjurmonim” ose po të ndodhte një ringjallje e kritikës letrare pa interesa materiale dhe pa baza miqësore, më detajisht, diku nën hije të kohës së turbullirave mund të gjejmë një“epokë më të vogël letrare”të pa lexuar, të pa përkrahur, të pa vlerësuar. Në kohën e pasluftës kur Maqedonisë së Veriut i duheshin shkrimtar, kuptohet të nacionalitetit maqedonas (tek-tuk edhe ndonjë shkrimtar shqiptar që dëshironte apo nuk dëshironte quhej shkrimtar maqedonas) ata që shkruanin kishin përkrahjen maksimale nga shteti i tyre. Me një fjalë të talentuarve ju krijohej rehati, hapësirë, përkrahje materiale e morale që ata të krijonin letërsi nacionale. Dramaturgut që i vihej drama në skenë, i paguanin hotel të posaçëm që ai të ketë qetësinë e duhur dhe ta shkruaj dramën e radhës. Shkrimtarët e ditëve të sotme jo që nuk përkrahen, por degradohen dhe stigmatizohen. Sjellja ndaj tyre është konformiste, sikur ata nuk ekzistojnë fare. Sot mund të kemi një tufë krijuesish si dikur, por ata nuk i shohin, nuk i vlerësojnë, nuk i përfillin teneqe-ministritë. Politikat kulturore na japin mesazhe rëqethëse. Politikanët nuk merren fare me krijuesit e letërsisë. Ata harrojnë se atë që e harron historia e thotë letërsia. Gjatë kësaj periudhe disa parti në pushtet, në oborret e tyre kanë ca shkrimtarë me vlera të diskutueshme që ju duhen ndonjëherë. Ata krijues që rrinë larg punëve partiake, ndëshkohen në mënyra të llojllojshme. Sidoqoftë, shkrimtarët si nxitës të emancipimit nacional, duhet të qëndrojnë larg politikës dhe demagogjisë.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

MUÇA – ZIBA: Kritika si shkencë, si diçka e nevojshme që në fushën letrare do të ndante egjrën nga gruri, ajo që do të zbulonte të fshehtën e librit, në këtë periudhë kohore ekziston shumë pak ose pothuajse nuk ekziston meqë edhe kritikët e mirëfilltë ranë në hall dhe shkrimet e tyre mbeten nën hije njësoj si letërsia që krijohet nga shkrimtarët me vlera. Pasi çështja e letërsisë (pa ndarje gjeografike letrare) është dytësore, edhe kritika e mirëfilltë mbetet dytësore dhe e papërfillshme. Ashtu si nuk ka lexues të letërsisë, nuk ka edhe lexues të vështrimeve kritike që ju bëhen disa veprave nga kritik të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në këto kohëra pa lexues, kur na ngulfat amatorizmi dhe pseudoshkrimtarët, kritika bashkëkohore letrare ekziston fare pak. Shumica e kritikëve janë “dorëzuar” meqë nuk mund t’i shpallin “luftë” lëvizjes së madhe amatore letrare, librave të shumtë, vjershave në fushën e FB-së. Sot me pak lekë në xhep botohen libra që arrijnë deri në panaire librash. Po të ekzistonte kritika bashkëkohore pas saj edhe metakritika që do të thotë kritika mbi kritikën, nuk do të gjendeshim në këtë kaos letrar. Kuptohet që mbase edhe do të kishte kritikë serioze bashkëkohore, po qe se ajo stimulohej dhe përkrahej nga institucionet përkatëse.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

MUÇA – ZIBA: Profilizimi i krijuesve të mirëfilltë nga portalet, nga redaksitë elektronike që do të viheshin nën përkujdesin institucional të shteteve shqiptare, janë një domosdoshmëri për shpëtimin e asaj që ne e quajmë me ëndje letërsi kombëtare, për shpëtimin e humanizmit të strukturuar, për shpëtimin e dashurisë dhe vlerave kombëtare. Megjithatë për evoluimin e letërsisë si produkt shpirtëror dhe të kritikës si shkencë duhet përkrahje imediate nga ministritë e kulturës d.m.th. nga politikat kulturore.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpatmale, në shpella!

MUÇA – ZIBA: Edhe pse bota po merr udhën e digjitalizimit për mua dhe për shumë lexues e krijues të tjerë i vështirë është integrimi. Digjitalizimi edhe mund të jetë vdekje e librit nëse nuk i kemi parasysh dëmet shëndetësore që do të mund të na krijonte leximi i librave elektronik. Frika se në të ardhmen libri mund të mbetet dekor muzeumesh është prezent në shumë vende të botës. Leximi i shkrimeve të para në pergamen, në dru e në gur deri në përpunimin e letrës, dëshmon për një proces që flet për një zhvillim dhe avancim, kurse dallimi mes librit elektronik dhe librit të shtypur është i madh. Shpresoj se libri i shtypur do të mundet ta mbrojë vlerën që ka. Mbase kjo e re teknologjike nuk mund të jetë edhe aq atraktive kur mendohen pasojat shëndetësore, si dëmtimi i shikimit, dëmtimi i shëndetit mendor dhe fizik. Pranimi i librit elektronik do një hulumtim të thellë. Njeriu që e adhuron leximin do ta zgjedh vetë këtë çështje. Ai do të zgjedh me siguri rehatinë dhe shëndetin. Libri i shtypur nuk duhet të vdes kurrë. Bibliotekat tona janë thesare familjare.

HJEZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

MUÇA – ZIBA: Gazetat dhe revistat kulturore duhet të posedojnë lirinë e të menduarit dhe lirinë absolute të të shprehurit. Censura, varshmëria nga tregjet e përcaktimeve ideopolitike, zbehin profilin e gazetave. Në këto kohë nuk brengos vetëm amatorizmi në letërsi, meqë shumë brengosës është edhe amatorizmi i dukshëm në gazeta. Sa vuan kritika letrare për mungesë gazetash dhe revistash kulturore, po aq duhet të vuajë stafi gazetaresk për bashkëpunim me kritikët. Në pluralizëm gazetat hiqen te partitë në pushtet për interesa të ndryshme. Kështu që shumëçka realizohet në bazë interesi. Profesionalizmi gazetaresk është i rëndësishëm për të ysht bashkëpunëtorët qofshin ata kritik apo krijues, që do të hijeshonin faqet e gazetave në rubrikat e kulturës. Edhe pse nuk ka mjaftueshëm gazeta dhe revista kulturore letrare, nuk besoj që kritika jonë që numërohet me gishta, nuk ka hapësirë të duhur për t’u marr me këtë “zanat”. Në shtetet shqiptare, e ceka edhe më lartë, mungon kritika. Mendoj se vullneti i atyre pak kritikëve për bashkëpunim, do t’i hapte dyert atje ku vetë do të dëshironte. Kritikët e mirëfilltë do t’i quaja shpëtimtarë të letërsisë po qe se ata i rreken kësaj pune me seriozitet, po qe se ata nuk hedhin mjegull përmes panagjerizmit dhe lavdeve të pamerituara. Kritikët letrar duhet ta japin kontributin e tyre për të nderuar letërsinë dhe kombin, kuptohet në bashkëpunim me autorët dhe me gazetat profesioniste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat