Mbi përkthimin dhe përkthyesit

Kultura

Mbi përkthimin dhe përkthyesit

Nga: Hejza Art Më: 6 tetor 2021 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Pse Ministria e Kulturës së RMV-së nuk e bën publike (nëse e ka!) çmimin për përkthim të një vargu, të një poezie, të një tregimi, romani, drame. A dihet, cili është çmimi institucional për përkthimin e një faqe, siç e kanë përkthyesit gjyqësorë. Në shqip nuk paguhet më shumë se 2-3 euro, nga shqipja nuk paguhet fare! Pse?

Në Maqedoninë e Veriut, në veprimtarinë e përkthimit, bëhen dy shkelje të pandershme, shumë diskriminuese si ndaj përkthyesve në gjuhën shqipe ashtu edhe ndaj krijimtarisë letrare shqiptare që duhet të përkthehet në gjuhët e huaja, ngjashëm si letërsia maqedonase! Njëra padrejtësi ushtrohet prej “sekserëve të përkthimit” dhe, e dyta, ushtrohet institucionalisht! Janë nja dy-tri “produksione maqedonase”, të cilët gjithnjë i fitojnë “tenderët për përkthim” dhe tërheqin miliona euro për këtë veprimtari! Këto “produksione”, sipas nevojës, punësojnë përkthyes me të cilët bëjnë kontrata qesharake, eksploatuese dhe të pandershme! Nëse del që duhet të përkthehet ndonjë vepër maqedonase, e ndonjë autori maqedonas, që do të botohet në Shqipëri apo Kosovë, sakaq nënshkruhen “kontrata” me përkthyes të mjerë shqiptar, të cilët që në strat i nënshtrohen shkeljeve të të drejtave të përkthyesit!

Nuk do të paguhen më shumë se 2-3 euro për faqe, ndërsa kërkuesi i parë, që i bie të jetë Ministria për Kulturë e RMV-së, i paguan “produksionet” nga 18-20 euro për faqe! Punën e lodhshme e bëjnë përkthyesit shqiptarë, ajkën e hanë “produksionet maqedonase”! Ministria e Kulturës e RMV-së, ndonëse e udhëhequr edhe nga ministrat dhe “nënoficerët” shqiptarë, asnjëherë nuk arriti që ta humanizojë vendimin për hapjen e “Konkursit për financimin e përkthimeve nga botues të huaj”!

Bëhet fjalë ekskluzivisht për financimin e letërsisë maqedonase në gjuhë të huaj e që do të botoheshin nga shtëpitë botuese të huaja! Politikisht, edhe shtëpitë botuese të Shqipërisë dhe Kosovës trajtohen si “shtëpi botuese të huaja”, por meqë ato botojnë libra në gjuhën shqipe, është e pamundur të financohen nga kjo ministri botimet e krijuesve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut! Sepse, detyrimi për botimin e autorëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut bie mbi ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë!

Po pse të mos jetë edhe një konkurs tjetër ekskluzivisht për letërsinë shqiptare në këtë shtet, konkurs ky që do të subvenciononte botime si origjinale në Shqipëri e Kosovë, po ashtu edhe të përkthyera në gjuhë të ndryshme botërore. Mos janë shqiptarët e këtij shteti “bastardë” të mëhallës? Po kështu do të trajtohen përderisa nuk vërejmë se çfarë po bëhet me ta, përreth tyre dhe për vetë ata! Nuk duhet harruar se, që nga viti i kaluar, autorët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora nuk kanë të drejtë të botohen në Maqedoninë e Veriut, sepse ata konsiderohen të huaj, ndërsa ky problem nuk shprehet edhe ndaj autorëve serbë, bullgarë e të tjerë që botohen në gjuhën maqedonase.

Pra, veprat e autorëve të shteteve shqiptare mund të botohen vetëm si të përkthyera në maqedonisht, por jo edhe në shqip! Arsyeja: nuk e njohim këtë gjuhë! Po shqiptarët e këtushëm, sidomos ata të etabluar me decenie në qeveritë maqedonase, a e njohin gjuhën shqipe? Nëse po, të paktën do të intervenonin në tërheqjen e teksteve të përmbajtjeve të ilaçeve nëpër të cilat shqiptarëve u sugjerohet që ilaçin ta marrin “dy-tre rrugë në ditë” (përkthim idiotik nga “dva-tri pati na den”)!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat