Libri

Kultura

Libri

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 12:09
Ilustrim

“Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije” (Shën Anselmi)

Cili është qëndrimi aktual i institucioneve kombëtare mbi librin? A duhet ta lëmë librin në duart e “injorantëve”? Jo, pyetja duhet të jetë: a duhet që “injorantët” të përkujdesen për librin, apo thënë më butë: meqë libri është “frymë e shenjtë”, a duhet të kemi një qasje ekskluzivisht kulturore kundrejt librit, apo duhet të jemi nonshalantë dhe të mos brengosemi fort, sepse ka kush të kujdeset për librin! Kush?

Institucionet tona të pushtetit kanë zhvilluar (dhe akoma zhvillojnë) politikë me institucionet nacionale, por edhe me botues të librit dhe, kësisoj, ky konstelacion ka mundësuar që në treg të kemi libra me bollëk. Megjithatë, kjo “politikë” nuk shkon përtej lavdërimeve që zakonisht përdoren përgjatë fushatave parazgjedhore: “ne kemi bërë për librin...”!

Kemi bërë shumë për librin si mall tregu nga i cili përfitojnë ekskluzivisht botuesit! Pra, librin e kemi zbritur deri në “prodhim ushqimor” që siguron ekzistencën e bakallxhiut dhe të familjes së tij!

Por, a paraqet kulturë vetëm botimi i librit dhe i nxjerrjes së tij në vitrina librarish? A është politikë kulturore nacionale subvencionimi i botimit të librit? Pa dyshim, botuesit e librave duhet të interesohen që të gjejnë mundësi për ta botuar me sa më pak vështirësi librin! Është e drejtë e çdo qytetari që të merret me botim të librit, të regjistrojë shtëpi botuese, të hap librari! Nuk është kurrfarë mëkati sigurimi i ekzistencës nga botimi dhe shitja e librit!

Por, “rojtarët” e librit, institucionet shtetërore, ministritë për kulturë, a duhet të ekzistojnë vetëm për ta ndihmuar botimin e librit, apo për ta nxjerrë në pah madhërimin institucional e kombëtar përpara librit, i cili ka qenë, është dhe do të jetë majaja e identitetit kulturor për çdo komb.

Përfundimisht, nuk është kulturë vetëm botimi i librit! Botimi i librit mund të jetë vetëm rrugë e një “ndërmarrësi” për të siguruar ekzistencën e vet. Bazuar në programin vjetor nacional, mund të konstatohet se në Maqedoninë e Veriut, bie fjala, funksionojnë qindra shtëpi botuese dhe, këtë veprimtari mund ta kryejnë të gjithë qytetarët e vendit, sepse mund të jenë përfitues potencial i një buxheti prej minimalisht tremijë deri dhjetëmijë euro, prej të cilave mund të shpenzojnë për botim nja 3000 - 4000 euro dhe t’i ngelin rreth 6000 euro! E po kush e ka buxhetin vjetor, kush e ka në këtë shtet rrogën vjetore prej 6000 euro? Më se 80% e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të ardhura vjetore më shumë se katër-pesë mijë euro!

Ministritë për kulturë, apo institucionet tona nacionale të themeluara për librin, duhet që ta shtojnë fondin, të kenë buxhet më të konsiderueshëm, fonde të respektueshme dedikuar librit! Përfitues të këtij buxheti, të këtyre fondeve, duhet të jenë vetëm ata botues, vetëm ata subjekte që do të ofrojnë, krahas titujve që duan t’i botojnë, edhe aktivitete të bujshme kulturore që do të organizohen me rastin e botimeve veç e veç. Plani vjetor botues duhet të shoqërohet edhe me planin akcional të aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore që do t’u dedikohen librave të botuara. Respektivisht, duhet të subvencionohen vetëm këta aktivitete kulturore që do të ndërmerren me rastin e botimit të librave dhe jo vetë botimi i librit. Nga libri i botuar, me një reklamë të mirë, me pano e afishe, me recensione e emisione radio-televizive, libri do të shitej më shpejtë dhe, me këtë, do t’i nxjerrin paratë e investuara, madje edhe do të fitonin mjaft mirë botuesit! Një politikë e tillë do t’i detyronte botuesit që “të punësonin” edhe recensentë për librat që i botojnë, edhe ekspertë të marketingut, edhe gazetarë, edhe organizatorë të promovimeve dhe ngjarjeve të ndryshme kulturore që duhet ta shoqërojnë një libër të botuar. Botimi i librit duhet të gjenerojë aktivitete kulturore dhe jo vetëm mirëqenie për botuesin! Kështu ndodh te popujt e civilizuar, te ata që kanë përkushtim religjioz ndaj librit. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat